Para se dy skuadrat të zbrisnin në fushë, bastet dhe ekspertët favorizonin lehtësisht Spanjën në përballjen e kësaj të fundit me Portugalinë dhe kishin të drejtë. Spanja vërtet zbriti në fushën e lojës me një grup më superior në emra, por fanelën e saj nuk e vishte Cristiano Ronaldo.
Asi portugez “u hakmor” në mënyrën më të mirë të mundshme ndaj një vendimi të drejtësisë spanjolle që e ndëshkoi me 18.2 milionë euro gjobë dhe 2 vite burg të pezulluara për akuzën e evazionit fiskal.
Ronaldo mori skuadrën e vet prej dore që në minutat e para. U fut me topin brenda zonës dhe aty i vodhi një 11-metërsh Nachos, shokut të skuadrës tek Reali i Madridit. Merr po vetë përsipër përgjegjësinë e ekzekutimit dhe arrin që të fluturojë topin në njërën anë dhe De Gean në anën tjetër.
Portugalia kalon në avantazh menjëherë. Goli u jep zemër dhe pak minuta më vonë, Ronaldo shërben bukur brenda zonës për një nga shokët e tij, por goditja finale ishte larg portës. Spanja fiton gradualisht terren me Iniestan dhe fillon ta shohë më shpesh portën kundërshtare.
Barazimi mbërrin nga këmbët e Diego Costas. Braziliani i natyralizuar spanjoll fiton një duel me Pepen për topin dhe më pas godet bukur nga jashtë zonës dhe gjen rrjetën. Portugezët pretendojnë për një faull, që edhe mund të fërshellehej nga gjyqtari italian Rocchi. Nga përsëritja e pamjeve, duke një kontakt i lehtë me bërryll i Diego Costas ndaj Pepes.
Të gjithë menduan dhe po përgatiteshin për të hyrë në pushimin e ndeshjes me barazimin 1-1. Por, nuk ndante këtë mendim Cristiano Ronaldo, që në “bashkëpunim” me De Gean kalon sërish në avantazh Portugalinë. Ronaldo merr një top në kufijtë e zonës dhe godet menjëherë me të majtën. Gjuajtja ishte pa shumë pretendime dhe qendrore. De Gea u përgatit për ta kontrolluar topin, por ky i fundit iu përplas në duar dhe përfundoi në rrjetë.
Pjesa e dytë nisi me spanjollët që dominuan gjithçka. Gjetën golin e barazimit sërish me Diego Costan vetëm 10 minuta nga fillimi dhe jo vetëm kaq, por Nacho i kaloi në avantazh. Kaq mjaftoi dhe Spanja mori frenat e takimit në dorë. Nisi të jetë më e qartë me qarkullimin e topit në mesfushë dhe të kërcënonte më shpesh portën kundërshtare.
Me rezultatin 3-2 në favor, trajneri Fernando Hierro, që iu bashkua grupit vetëm një ditë më parë pas atij shkarkimi rrufe të Lopeteguit, vendos të largojë Iniestan dhe të hedhë në fushë Thiago Alcantaran.
Skuadra humbi pak qartësinë, por kishte më shumë freski dhe forcë në mesfushë dhe për minuta me radhë, Cristiano Ronaldo me shokët ishin hije e vetvetes. Minutat po kalonin dhe portugezët nuk kishin më gjë për të humbur. Hidhen më shumë drejt sulmit dhe në minutën e 88 fitojnë një faull.
Ronaldo merr përsipër ekzekutimin. Nëse goli i parë erdhi nga 11-metërshi dhe i dyti nga një gafë e De Geas, për të tretin mendoi ai vetë. Godet me të djathtën dhe topi përfundon në trekëndëshin e majtë të portës spanjolle.
De Gea u shtang në vend, po ashtu si të gjithë spanjollët e tjerë në fushë, shkallët e stadiumit dhe ata që e ndiqnin nga ekrani, të tjerët plasën në brohorima dhe duartroktije. Ronald mbetet Ronaldo dhe ai bëhet më i rrezikshëm pikërisht atëherë kur kundërshtarët mendojnë se e neutralizuan.
Portugezi, ashtu si në europianin e fituar në Francë, edhe këtë botëror duket se do të marrë prej dore kombëtaren e tij. Portugalia duket një skuadër e vogël për të dhe shifrat e provojnë. Ronaldo është i vetmi lojtar që ka shënuar gol në 8 kompeticione radhazi për skuadrat kombëtare.
Në Spanjë e njohin mirë dhe mediat vendase ironizonin me titujt. “Spanja i mbijeton Ronaldos”, hapte titullin e saj “As”. Në Portugali me të drejtë është një “Zot”. “Me Zotin Ronaldo mrekullitë ndodhin”, shkruante Correlo da Mancha.
Mënyra se si shënoi 2 golat e parë nuk kanë bindur një numër të madh analistësh për të cilësuar këtë si performancën më të mirë të një lojtari në Kupën e Botës. “Një gol me penallti dhe një tjetër i ndihmuar nga fati nuk mjaftojnë”, thonë ata. Por, ashtu siç shprehja thotë “fati ndihmon më të mirët” dhe kur fati shterohet, Ronaldo “aktivizon” talentin dhe prodhon në minutat e fundit një gol si ai i barazimit 3-3.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.