Menaxhim

Jepen 18 leje ndërtimi në bregdet nga Shkodra në Sarandë për resorte, vila private dhe port turistik

Një valë ndërtimesh nga Shkodra në Sarandë kanë përfshirë bregdetin shqiptar ku një pjesë e tyre janë struktura akomoduese me funksion turizmin apo vila private por duket se edhe projekte të tjera do të nisin zbatimin.

Këshilli Kombëtar i Territorit(KKT) në mbledhjen e fundit të enjten, 10 qershor, miratoi 32 vendime në rend të ditës nga të cilat të paktën 18 prej tyre lidhen me leje ndërtimi, zhvillimi apo ndryshime në vendime të mëparshme për projekte në bregdet.

Në mbledhje janë miratuar ndërtimi i disa hoteleve dhe resorteve si në Gjilekë të Himarës, dhe në Sarandë ndërkohë që një tjetër projekt është ai për struktura hotelerie, rezidenca banimi dhe parkim, në Jalë.

 Të tjera leje janë dhënë në zonën e Vlorës për struktura akomoduese kurse një tjetër subjekt ka marrë lejen për ndërtimin e vilave apo shtëpi të dyta.

Në zonë e Shëngjinit është dhënë një leje për zhvillimin e një objekti me godina banimi dhe shërbimesh ndërkohë që në zonën Pulaj Plazh në Velipojë është dhënë një leje zhvillimi për godina hotelerie, shërbimesh, banimi dhe parkim nëntokë.

 Në mbledhjen e fundit KKT miratoi edhe një lejë për portin turistik dhe të shërbimeve “Marina Limion”dhe Kompleksi turistik “Marina Bay Saranda” me vendndodhje në Bashkinë Sarandë, me zhvillues shoqëritë “Concord Investment” sh.p.k, “Marina Limion” sh.p.k. dhe “Marina Bay Saranda” sh.p.k.

Porti Turistik ishte një procedurë që u zhvillua në vitin 2019 ndërkohë që kontrata me kompanitë fituese u nënshkrua vitin e shkuar për një vlerë investimi 1.3 miliardë lekë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë