Futboll

Java e katërt e Superligës, beteja e trajnerëve

Pas pushimit për ndeshjet e kombëtares rikthehet Superliga Shqiptare në javën e katërt të saj. Një rifillim i kampionatit, pas tre javëve të para, që kanë shërbyer si një kolaudim i mirë për të 10-ta ekipet. Në këtë javë të katërt Superliga fillon me marsh të lartë, pasi përballjet do të jenë shumë të forta. Për të filluar që nga sfida në Vlorë, tek ato në Durrës e Tiranë, por edhe dy ndeshjet e tjera në Kamëz dhe Kurbin, janë ndeshje shumë interesante.

Ky raundi i katërt i Superligës fillon me një ndeshje për mbijetesë. Përballë vihen Kamza me trajnerin e ri Klodian Duro dhe Kastrioti i ringritur që deri tani ka zhvilluar një lojë interesante. Në tre ndeshje të dyja skuadrat kanë marrë nga tre pikë, duke mundur respektivisht, Kamza Tiranën në “Selman Stërmasi” dhe Kastrioti Luftëtarin në Gjirokastër. Objektivi primar i të dyja ekipeve është mbijetesa dhe kjo është një nga ato ndeshje që asnjëra nuk do donte ta humbiste. Kamza vjen pas dy disfatash dhe me uljen e Klodian Duros në stol do të kërkojë që ta nisë mbarë, por njëkohësisht të mbajë ritmin me rivalët e tjera. Nga ana tjetër Kastrioti i Plorit, pas fitores në Gjirokastër është mundur nga Partizani dhe Skënderbeu. Me tre pikë në renditje, në këtë transfertë të Kamzës do të kërkohet fitorja, por edhe një barazim nuk do të ishte negativ.

Po të shtunën, në “Niko Dovana” të Durrësit, Teuta do të presë Kukësin. Bregdetarët me Bledi Shkëmbin në stol duket një tjetër ekip nga ai i vitit të shkuar dhe pretendimet janë të mëdha. Por ky Kukës me Armando Cungun dëshiron të fitojë titullin dhe nuk mund të lërë më pikë të tjera. Në këto javë të para të kampionatit, Teuta ka marrë një pikë më shumë se Kukësi, që ka një humbje një barazim dhe një fitore. Sfida do të jetë shumë interesante, për objektivat e të dyja ekipeve, por edhe lojën që ato kanë treguar deri më tani.

Ze Maria, trajneri i Tiranës

Të dielën “Selman Stërmasi” mund të jetë arena ku me shumë gjasa do të bëhet “kurban” trajneri i dytë i Superligës. Tirana dhe Luftëtari janë dy ekipet më të dobëta në këto javë të para të Superligës. Kryeqytetasit kanë grumbulluar vetëm 1 pikë, ndërsa Luftëtari ka vetëm humbje në tre javë dhe të dyja janë të etura për të bërë mirë dhe për pikë. Për Ze Maria-n mbaruan tre javët e para të provës dhe tashmë duhet të fitojë përballë tifozëve, pasi në të kundërt stoli i tij do të vihej shumë në rrezik. Por edhe slloveni Millosh Kostiç nuk është më shumë komod në Gjirokastër. Në tre vitet e fundit në Superiore, ky është starti më i dobët  për Luftëtarin dhe të gjithë kanë filluar ta projektojnë atë si skuadrën e parë do të zbresë një kategori më poshtë. Por gjithsesi për miqtë bluzinj edhe një barazim në Tiranë do të ishte pozitiv, ndryshe nga bardheblutë që do kërkojnë fitoren e parë me çdo kusht.

Ndeshja që mund të cilësohet si me paparashikueshmja e kësaj javë të Superligës luhet në Kurbin. Laçi pret Partizanin e Skënder Gegës, pasi në javën e tretë arriti të merrte një barazim me shumë vlerë në Korçë përballë Skënderbeut. Me dy fitore në javët e fundit, situata te Partizani është shumë optimiste, ashtu si edhe të Laçi që në këto tre javë të para të kampionatit ka grumbulluar 5 pikë. Me blerjet e fundit Artan Mergjyshi tashmë e ka skuadrën e plotë, ndërsa Gega do duhet të bëjë zgjedhje të rëndësishme sa i përket lojtarëve që do të hedhë në fushë që nga minuta e parë.

Ilir Daja dhe Orges Shehi, kur ishin bashkë te Skënderbeu

Sfida e fundit për këtë javë të katërt të Superligës është lënë ajo që cilësohet edhe si kryendeshja e javës. Për përballjen Flamurtari-Skënderbeu ka shumë për çfarë të flitet dhe për këtë shkak mbase është veçuar nga ndeshjet e tjera dhe do luhet ditën e hënë në mbrëmje. Nxënësi zbret në fushë për të sfiduar profesorin, pasi Orges Shehi do të jetë për herë të parë kundërshtar me Ilir Dajën, nga i cili ka mësuar shumë nga bota e trajnimit. Janë dy skuadrat kryesuese të tabelës dhe që me shumë siguri do të duelojnë për kreun e tabelës deri në fund të kampionat, sigurisht duke mos përjashtuar surprizat. Në tre javë, Flamurtari dhe Skënderbeu kanë marrë nga 2 fitore dhe një barazim, por me korçarët që kanë shënuar një gol më shumë. Vlonjatët duke qenë në shtëpinë e tyre, objektivin e vetëm kanë fitoren që njëkohësisht do iu jepte edhe kreun e tabelës. Ndërsa për Skënderbeun edhe një barazim në Vlorë do të ishte pozitiv, pasi do të mbanin më poshtë në tabelë një rival të drejtpërdrejtë.

Tabela e ndeshjeve të javës së 4 të Superligës Shqiptare:  

E shtunë 15:45 :  FK Kamza - KS Kastrioti

E shtunë 18:45 :  KF Teuta - FK Kukesi

E dielë 15:45 :      KF Laçi- KF Partizani

E dielë 18:45 :      KF Tirana - KS Luftëtari     

E hënë 19:45 :    Flamurtari FC - KF Skenderbeu     


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë