Futboll

Java e 8-të e Superiores, transferta delikate për tre kryesuesit

Para ndeshjeve të Kombëtares, Superiorja luan javën e saj të 8-të. Të tria skuadrat kryesuese të kampionatit luajnë në transfertë, në fusha kundërshtarësh të vështirë. Por kush pretendon titullin duhet të fitojë sa më shumë pikë jashtë fushe dhe te Partizani, Skënderbeu, Laçi dhe Flamurtari e dinë mjaft mirë këtë gjë. Në fakt, Partizani i vendit të parë ka një favor në raport me rivalët: luan në fushë asnjanëse me Kukësin. Në stadiumet e Shkodrës dhe të Elbasanit veriorët zhvillojnë ndeshjet si pritës, pasi stadiumi i tyre po rikonstruktohet. Këtë herë kanë zgjedhur Elbasanin për të pritur të kuqtë dhe janë të detyruar të fitojnë, pas humbjes në Korçë. Një tjetër rezultat negativ do ta linte skuadrën e trajnerit Cungu prapa me pikë, madje edhe barazimi do të ishte i papërshtartshëm për Kukësin. Partizani kërkon të shfrytëzojë momentin e mirë që po kalon dhe ndryshe nga Kukësi, që ka mungesa të rëndësishme si Musolli e Rrumbullaku, e ka grupin më të plotë. Para se të luajnë ndeshjen e radhës, Kukësi dhe Partizani do të kenë mësuar edhe rezultatet e rivalëve.

Nga një ndeshje mes Tiranës dhe Laçit

Tirana-Laçi është një nga sfidat më interesante të javës së tetë. Nga njëra anë është skuadra që kërkon të konfirmojë se me fitoren ndaj Kastriotit e ka kaluar krizën, pas goditjes së fortë që mori në derbi, ku u vu në diskutim serioz edhe qnëdrimi i trajnerit Ze Maria. Nga ana tjetër është Laçi, e vetmi pa humbje deri tani dhe që nëse kalon me sukses edhe Tiranën, atëherë nuk do të ketë dyshime për ta quajtur pretendent për titull. Në renditjen aktuale, Tirana është më pranë zonës së rënies se zonës së kreut, kështu që i duhet me çdo kusht të marrë 3 pikët.

Skënderbeu i vendit të dytë shkon në Gjirokastër për t’u ndeshur me Luftëtarin. Një tjetër transfertë delikate kjo për një ekip kryesues, aq më tepër kur ekipi kundërshtar drejtohet nga një trajner si Gentian Mezani, që Skënderbeun e ka mundur disa me Flamurtarin dhe me Laçin. Korçarët shkojnë në këtë ndeshje me moralin e duhur për ta pasuar fitoren me Kukësin me një tjetër sukses jashtë fushe, por nuk kanë gati kapitenin Marko Radas të skualifikuar. Luftëtarit i kthehet në këtë sfidë kapiteni Behar Ramadani. Flamurtari i luhatjeve të mëdha ka një provë serioze të dielën në fushën e Kamzës. Është transferta e dytë radhazi dhe 0 pikë në 2 ndeshje do të ishin të papranueshme për vlonjatët, të cilët duhet të reagojnë pas humbjes në Laç. Kamza e Duros është në pozita shumë të vështira dhe një tjetër disfatë, që do të ishte e katërta radhazi, mund të rezultojë fatale për trajnerin elbasanas.

Nga një ndeshje mes Luftëtarit dhe Skënderbeut

Teuta-Kastrioti është ndeshja tjetër e kësaj jave, por jo më pak e rëndësishmja. Durrsakët nuk po arrijnë të gjejnë ekuilibrat, edhe pse kanë kaluar 7 javë, por të paktën në fushën e tyre nuk gabojnë. Kastrioti i vendit të fundit ka konfimuar në stol trajnerin Elvis Plori, por drejtuesdit presin që skuadra të bëjë kthesën në fushë, duke marrë të paktën barazimin në fushën e Teutës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë