Futboll

Java e 7-të, shansi i Partizanit për shkëputje

Java e 7-të e Superiores luhet në mesjavë, të mërkurën dhe të enjten. Ndeshja kryesore e javës është ajo mes Skënderbeut dhe Kukësit, e vetmja që është programuar për ditën e enjte dhe që do të luhet me tifozë, pasi klubi korçar do ta shlyejë financiarisht pjesën e mbetur të dënimit. Përveç kësaj, ndeshje të tjera më të rëndësishme janë Partizani-Teuta dhe Laçi-Flamurtari.

Kjo javë mund të konsiderohet një shans mjaft i mirë për Partizanin që të bëjë shkëputjen nga Kukësi, me të cilin ndan kreun me 13 pikë. Të kuqtë janë në momentin e tyre më të mirë pas fitores në derbi. Moralisht dhe fizikisht skuadra e trajnerit Skënder Gega është shumë mirë dhe pritet të regjistrojë suksesin e radhës ndaj Teutës, që pavarësisht fitores me Skënderbeut, ka shfaqur probleme në lojën e saj. Me tifozët në krah, Partizani i ka të gjitha mundësitë për të shtuar 3 pikë në tabelën e renditjes, për të përfituar më pas nga një ndalesë e mundshme e Kukësit në Korçë.

Nga ndeshja e sezonit të kaluar, Laçi-Flamurtari, 4-2

Laçi i pathyeshëm deri tani pret Flamurtarin dhe kjo ndeshje pritet të tregojë më qartë potencialin e këtyre dy skuadrave. Laçi ka qenë gjithmonë “macja e zezë” për vlonjatët, të cilët janë çliruar me fitoren e thellë ndaj Kastriotit dhe pritet të mos bëjnë hapa prapa në këtë transfertë të vështirë. Trajneri Ilir Daja nuk ka të gatshëm mbrojtësin rumun Sirgi, i dëmtuar në ndeshjen e fundit. Shpresat janë te rikthimi i mbrojtësit Albi Alla, ndërkohë që sulmi ka dhënë sinjale të mirë javën e fundit, ku Bushiç dhe Torrasa gjetën rrugën e rrjetës.

Tirana “e plagosur” nga humbja në derbi është disi me fat që kalendari këtë javë e vë përballë Kastriotit në fushën asnjanëse të Fushë-Krujës. Bardhebluve në këtë moment u vlen vetëm fitorja për t’u rehabilituar sadopak dhe në letër kanë shanse të mëdha të marrin 3 pikët. Nëse nuk ia dalin as ndaj Kastriotit, atëherë kriza do të thellohej shumë. Luftëtari-Kamza është një tjetër ndeshje “me spec” për trajnerët Mezani dhe Duro. I dyti është i rrezikuar, sepse Kamza vjen nga dy humbje radhazi dhe një e tretë mund të rezultojë fatale për elbasanasin, trajneri i dytë i kamzalinjve në këto javë kampionat.

Nga një ndeshje e sezonit të kaluar mes Skënderbeut dhe Kukësit në Korçë

Jo rastësisht është lënë që java të mbyllet me kryesfidën Skënderbeu-Kukësi, një përplasje e denjë rivalësh. Pozitiv është fakti që në stadiumin e Korçës do të kthehen tifozët, që kanë munguar në ndeshjet me Laçin dhe Tiranën. Në të dyja këto ndeshje Skënderbeu nuk ka mundur të fitojë dhe ndoshta rikthimi i tifozëve mund t’i japë skuadrës së Shehit motivimin e duhur për të rigjetur fitoren. Humbja në Durrës i ka zbritur korçarët në vend të tretë. Ata vijnë me skuadër të plotë në këtë 90-minutësh, ku synimi i vetëm është fitorja, që do të thotë barazim me pikë me Kukësin kryesues të momentit. Veriorët nuk kanë të gatshëm në këtë ndeshje mesfushorin Musolli, i cili është një ndërhyrjeje kirurgjikale. Cilido që të jetë rezultati, e sigurt është që në Korçë do të luhet futboll i një niveli të lartë.

Renditja e Superiores pas javës së 6-të

Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë