Futboll

Java e 5-të, sfida “zjarri” për Partizanin e Tiranën para derbit

Nga Fatjon Rupi - Javën e ardhshme kthehet pas një viti mungesë derbi i kryeqytetit, Tirana-Partizani. Pritshmëritë janë të mëdha, jo vetëm për atë çfarë do të japin dy skuadrat në fushë, por edhe për tifozët në shkallët e stadiumit. Për derbin ka edhe një javë kohë dhe Partizani dhe Tirana duhet të shkojnë në atë ndeshje me moralin e lartë, që do të thotë se duhet të kalojnë me sukses ndeshjet e kësaj fundjave, që në fakt janë sfida zjarri si për të kuqtë, ashtu edhe për bardheblutë. Java e 5-të e Superiores sjell edhe përplasje të tjera interesante: Luftëtari me trajner të ri pret Teutën, që duhet të reagojë pas humbjes së parë, Kukësi kërkon vazhdimësinë në ndeshjen me Kamzën, që është spostuar në stadiumin Loro Boriçi”, ndërsa Laçi synon të shfrytëzojë fushën asnjanëse për të mundur Kastriotin në krizë.

Partizani-Flamurtari

I pari zbret në fushë Partizani, që pret Flamurtarin e plagosur nga humbja në shtëpi me Skënderbeun. Trajneri i të kuqve, Skënder Gega, beson shumë se skuadra e tij do të kthehet te fitorja, pas barazimit në Laç. Grupin e ka të plotë dhe me ndihmën e tifozëve shpreson t’ia dalë në “Selman Stërmasi”. Të dyja skuadrat kanë pikë të barabarta, nga 7 secila, ndaj dhe kush fiton rrit kuotat për më tej. Partizani vjen në këtë ndeshje më mirë në anën psikologjike, ndryshe nga Flamurtari, që duhet të reagojë pas asaj paraqitjeje të dobët në fushën e vet ndaj korçarëve. Atmosfera në skuadrën e drejtuar nga trajneri Daja nuk është ajo më e mira, por vlonjatët kanë treguar se në ndeshjet me Partizanin bëjnë mirë. Një tjetër humbje do të rëndonte shumë mbi Flamurtarin, një nga skuadrat më të investuara. Është një nga ndeshjet tipike, ku vendosin episodet dhe trajnerët Gega e Daja janë kujdesur shumë për çdo detaj gjatë javës.

Ibrahimi dhe Bushiç në dyluftim gjatë një ndeshjeje Partizani-Flamurtari

Skënderbeu-Tirana

Një tjetër ndeshje po kaq e rëndësishme e kësaj jave është ajo që luhet në stadiumin e Korçës, fatkeqësisht pa tifozë, për shkak të dënimit të Skënderbeut nga Komisioni i Disiplinës pas ndeshjes së javës së parë me Partizanin. Skuadra e trajnerit Shehi vjen në këtë ndeshje me autoritetin e kryesuesit dhe me moral të lartë nga fitorja në Vlorë. Kthehet në skuadër Leonit Abazi, i cili shleu dënimin njëjavor nga kartoni i kuq i marrë me Laçin, si dhe sulmuesi Ardit Hoxhaj, që vjen pas një dëmtimi. Korçarët kanë 10 pikë dhe luajnë për shkëputjen nga rivalët, por sigurisht që nuk do të jenë dakord bardheblutë, të cilët e kanë marrë disi veten me fitoren ndaj Luftëtarit, e para në kampionat. Për trajnerin Ze Maria do të kthehej rreziku i shkarkimit, nëse humb në Korçë. Braziliani i stolit bardheblu është në ankth për afrikanin Kobina, i cili ka pësuar një dëmtim në stërvitje. Kapiteni Karabeci është ulur në stol dhe pritet që edhe në Korçë të jetë titullar Imami në mbrojtje. Ndeshje mjaft delikate për bardheblutë, me 4 pikë në renditjes pas 4 javësh.            

Nga një ndeshje mes Skënderbeut dhe Tiranës vitet e fundit

Luftëtari-Teuta

Gentian Mezani debuton të shtunën në stolin e Luftëtarit dhe objektivi i tij i vetëm është që ta nxjerrë skuadrën nga kriza e rezultateve në ndeshjen me Teutën. Trajneri vlonjat ka vetëm pak kohë në dispozicion, por shpreson ta gjejë zgjidhjen për t’i dhënë Luftëtarit pikët e para në këtë kampionat. Gjirokastritët vazhdojnë të vuajnë mungesën e mesfushorit Eduard Rroca, mjaft i rëndësishëm për lidhjen e lojës mbrojtëse me atë sulmuese. Luftëtari pëson shumë gola dhe së pari trajneri Mezani duhet të stabilizojë prapavijën. Nga ana tjetër, Teuta e formatuar thuajse nga e para këtë sezon, me shumë emra me përvojë, do të bëjë gjithçka për të mos u kthyer pa pikë nga Gjirokastra, pasi dy humbje radhazi do të ishin të papranueshme. Pika e dobët e durrsakëve mbetet sulmi, që shpërdoron raste pa fund.   

Gentian Mezani, trajneri i ri i Luftëtarit

Kastrioti-Laçi

Krutanët i luajnë ndeshjet e tyre në stadiumin “Redi Maloku” të Fushë-Krujës dhe ky është një avantazh për Laçin e drejtuar nga trajneri Mërgjyshi. Kurbinasit, pa humbje në këtë kampionat, mund të thellojnë krizën e Kastriotit, që vjen nga 3 humbje radhazi. Entuziazmi i fitores së javës së parë në Gjirokastër u shuajt shpejt dhe të besuarit e Plorit duhet të tregojnë se nuk kanë ardhur për shëtitje në Superiore. Laçi kërkon të shfrytëzojë momentin dhe në këtë ndeshje pritet të ketë më shumë minuta sulmuesi me përvojë, Xhevahir Sukaj.

Kukësi-Kamza

Java e pestë mbyllet në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, ku pritës është Kukësi, ndërsa mysafir Kamza. Kuksianët nuk luajnë në “Zeqir Ymeri” këtë sezon dhe herë shtegtojnë në Elbasan dhe herë në Shkodër. Fitorja në transfertën e Durrësit e ka ngritur skuadrën e Cungut dhe tashmë fitoret në “shtëpi” janë detyrim. Trajneri shkodran i Kukësit ka humbur mesfushorin Besart Musolli, ndërsa kapiteni Ylli Shameti është në dyshim serioz. Klodian Duro e nisi mirë aventurën te Kamza, duke debutuar me fitoren ndaj Kastriotit, që tashmë është arkivuar dhe duhet konfirmimi me një tjetër rezultat pozitiv në transfertën ndaj Kukësit.

Kukësi para ndeshjes me Teutën

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë