Mendim

Janë burrat problemi (ose gratë zgjidhja)?

Mentor Kasa – Direktiva e Kryeministrit Edi Rama për të zëvendësuar të gjitha postet drejtuese të administraës shtetërore në Shkodër duke patur si prioritet gratë, ironikisht mbërrin në ditët kur një ministre e tij akuzohet për abuzim të parave të taksapaguesve dhe kur drejtoresha e një dege të një fondi mikrofinanciar është në gjyq si organizatore e një skeme mashtrimi me kreditë, nga e cila dyshohet se ka përfituar miliona lekë.

Që politika dhe shoqëria shqiptare kanë nevojë të përparojnë edhe më shumë në drejtim të barazisë gjinore, kjo është e ditur, por përvoja jo fort e largët na sugjeron se kur gratë katapultohen në poste drejtuese në institucione, jo gjithmonë përmirësohet performanca e punës së atij institucioni, për të mos thënë të kundërtën.

Me flamurin e më shumë pushtet për gratë, Kryeministri Edi Rama emëroi në kabinet dhe në institucionet kyçe qendrore në 2013 disa emra që mbërritën surprizë. Elisa Spiropali, aktualisht ministre e Shtetit mori drejtimin e doganave të vendit dhe pas një viti e gjysmë dha dorëheqjen, siç tha për arsye familjare. Kohëzgjatja e paktë në krye të doganave nuk e shpëtoi nga akuzat për abuzim dhe korrupsion në shuma që shkojnë disa miliona euro.

Në krye të tatimeve u vendos Briseida Shehaj. Performanca e administratës tatimore në shifra u përmirësua, por edhe këtu akuzat për shpërdorim detyre dhe korrupsion nuk munguan. Në 2015, një punonjës i administratës së tatimeve në Shkodër e akuzonte Shehajn për ndërhyrje në firmosjen e rimbursimit të TVSH-së për disa kompani në mënyrë të paligjshme. Dëmi i shkaktuar buxhetit të shtetit, sipas prokurorisë ishte rreth 200 mijë euro, ndërkohë që gjatë hetimeve organi i akuzës tha se nuk kishte gjetur prova të përfshirjes së Shehajt në këtë aferë. Shehaj u largua nga kjo detyrë në shtator të 2016, për t’u emëruar zv.ministre e Ekonomisë. Këtu qëndroi rreth 2 muaj dhe dha dorëheqjen.

Për të mbërritur më pas tek një rast ende në detyrë. Posti i kryeprokurores së përgjithshme nuk është ekskluzivitet i Qeverisë, por me votat në Parlament mazhoranca zgjodhi Arta Markun. Ajo u zgjodh mes flakadanëve dhe protestës së fortë të deputetëve të opozitës dhe vazhdimisht ka qenë në shënjestër të akuzave politike të PD-së dhe LSI-së si “vegël e Ramës”.

Përtej akuzave politike, që prej marrjes së detyrës si Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku është shoqëruar edhe nga akuza për zvarritje dhe pengesë të hetimeve në dosjet e bujshme, madje edhe për shkelje të ligjit me vendimin për të transferuar në rrethe një grup prokurorësh të Krimeve të Rënda. Pra, vështirë se mund të thuhet se deri më tani në krye të organit të akuzës Arta Marku ka arritur më shumë se paraardhësit e saj burra në kopsitjen e dosjeve të bujshme.

Këta janë shembujt e bujshëm, ndërkohë që kronika e zezë përgjatë viteve të fundit ka qenë e pasur me emra zyrtaresh që kanë abuzuar me detyrën në forma nga më të ndryshmet. I tillë është rasti i Liza Tabakut, ish-drejtore e Zyrës Arsimore në Lushnje, që veç shumës prej 3 deri në 5 mijë euro që merrte për një vend pune, ajo u akuzua edhe se rekrutonte mesueset femra, me qëllim që t’ua ofronte njerëzve me pushtet për favore seksuale. Një tjetër rast është ai i drejtores së Qendrës Sociale në Berat, që u akuzua po për korrupsion.

Këto raste tregojnë se drejtimi nga gratë nuk e imunizon një institucion nga keqdrejtimi, abuzimi me detyrën, korrupsioni dhe për më tepër , një grua në krye nuk është as kusht i domosdoshëm për luftimin e këtyre fenomeneve, sepse nëse do të ishte kështu, Shkodra nuk do të ishte keqqeverisur nga Voltana Ademi, ashtu sicc akuzon Kryeministri Edi Rama.

 

Më Shumë