Xh.D. tentoi tre herë për t’u larguar nga Shqipëria. Herën e parë si turiste. Herën e dytë me dokumenta italiane. Të tretën e bindur se do t’ia dilte mbanë, si shtetase angleze. Të treja herët dështoi, por së fundmi ajo është marrë edhe nën përgjegjësi penale.
Është 24 vjeçe dhe tregon në polici se nuk kishte asnjë mundësi për punësim. Dhe se synimi i saj ishte Anglia, jo vetëm për shkaqe ekonomike por sepse synonte të ndiqte studimet e larta në Britaninë e Madhe. Për këtë arsye vajza nga Burreli, pasi ka marrë bekimin e prindërve, ka kontaktuar me një bashkëqytetar, i cili edhe ai është zbuluar nga policia.
“Jam lodhur duke punuar në fasoneri, paguhesha keq. I tregova babait që duhet të ikja nga Shqipëria. Nuk ma bëri dy. I tregova se e ardhmja ime ishte në Angli, atje duhet të studioj dhe të kem një jetë më të mirë më pas”, ka thënë pranë policisë kufitare XH.D. Të njëjtat rrethana pohon dhe i ati.
“Pasi përfundoi shkollën, vajza ime nisi punë në fasoneri. Më pati thënë se donte të ikte jashtë shtetit, më pati pyetur a njihja ndokënd që ta ndihmonte në Angli. Pyeta kushëririn tim që jeton në Tiranë dhe më siguroi që do të bënte çmos. Më pati thënë madje se nuk njihte ndonjë person konkret, pasi nuk merrej me atë lloj pune, por meqë vajza donte të largohej, më premtoi se nuk do ta linim në Shqipëri përderisa XH. deshte Anglinë”, sqaron në polici babai 53-vjeçar.
“Vajza ime donte të largohej për arsye ekonomike dhe nëqoftëse do të arrinte atje, sapo të mbërrinte do të kërkonte azil. Por e zbuluan”, vijon më tej ai.
E dyshuar për falsifikim të vizave, 24-vjecarja fillimisht mohoi se mbante dokumenta false. E zbuluar në sportelin dalës të Rinasit, 24-vjeçarja sipas burimeve të Gazetës “Si”, këmnënguli se quhej Greta Zucca, sipas pasaportës biometrike që i dorëzoi policisë kufitare.
“Këtë dokument e mora nga kushëriri im, e paguam 500 euro”, shpjegoi më vonë në polici vajza.
Kushëriri i pasaportave
Policia thotë për Gazetën “Si” se R.K i kërkoi 24-vjeçares vetëm dy fotografi që do t’i duhej t’i ngjiste në pasaportë. Por kushëriri i saj mohon me forcë përfshirjen në falsifikimin e pasaportës.
“Nuk e njoh fare XH. Të atin po, e njoh, e mbaj mend se e kam kushëri të largët. Më kërkoi ndihmë për vajzën, por i thashë që nuk merrem me këto punë, madje i theksova se nëqoftëse e kapin me dokumenta false, do ta ketë problem në Evropë”, thotë i dyshuari R.K.
Policia shton për Gazetën “Si” se nga kontrolli i telefonit të Xh. zbulohen komunikimet intensive me familjarët e saj, ku ajo tregon se e gjeti pasaportën me të cilën do të udhëtojë. Për këtë qëllim policia ka administruar në cilësinë e provës edhe bisedat mes të vëllait dhe shokut të saj, biseda që zhvillohen kryesisht në whatsapp.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.