Njerez

Ja artistët që janë në krah të studentëve

Në mbrëmje ka premierën e filmit të tij më të ri, “Streha mes maleve”, që e sheh si provim përpara publikut shqiptar, por paraditen e së enjtes së 13 dhjetorit, regjisori Robert Budina ndjek protestën e studentëve, që nga pedonalja në krah të godinës së Teatrit Kombëtar marshojnë me pankarta dhe brohoritma drejt Parlamentit, ku një pjesë kanë vendosur të protestojnë aty, në të enjten e seancës plenare. “Artet janë këtu”, shkruan Budina, mbi videon e postuar, ndërsa më herët do të njoftonte edhe për premierën e filmit. “Sot premiera shqiptare e “Streha mes reve”. Kurorëzimi i një pune shumëvjeçare, por edhe protesta e studentëve. Kinemaja dhe kërkimi i së drejtës janë dy pasionet e mia më të mëdha”, shprehet Budina, ndërsa për muaj me radhë, gjatë 2018-ës, ka qenë i pamungueshëm në protestën në mbrojtje të godinës së Teatrit Kombëtar, protestë e cila vijon ende, tashmë e shndërruar në një ritual, ku aktorë, regjisorë, aktivistë por edhe qytetarë që janë kundër shembjes së godinës, janë çdo mbrëmje aty.

Regjisori Robert Budina, ka vendosur këtë foto profili duke u solidarizuar me studentët që protestojnë prej 9 ditësh 

Një prej mbrëmjeve, në sheshin mes dy godinave – asaj të Teatrit Kombëtar, që duke nisur nga ky sezon nuk i çeli më dyert as për premiera e as për publikun dhe Teatrit Eksperimental, që vijon punën normalisht, me të dy sallat funksionale. Nuk bën habi të shohësh që thuajse i gjithë ai komunitet artistësh që protestonin më herët për Teatrin, janë radhitur si mbështetës të protestës së studentëve, të cilët e nisën duke kërkuar fillimisht heqjen e tarifës për provimet e mbartura, më pas në përpilimin e tetë pikave kyçe, ku të rinjtë e sistemit shqiptar të arsimit të lartë shohin problemet më të mëdha e deri tek shfuqizimi i ligjit për arsimin e lartë.

Artet jane ketu!! Studentet e arteve drejt parlamentit!!!

Gepostet von Robert Budina am Donnerstag, 13. Dezember 2018


Disa prej tyre heqin paralele të qarta të protestës së studentëve, me atë që bënë dikur ata, njëzetetetë vjet më parë. “Dhjetori i 1990-ës nisi nga Instituti i Lartë i Arteve”, shkruan një tjetër regjisor, Bujar Alimani, i cili vetëm një muaj më herët, gjatë nëntorit ishte në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Varshavë, ku filmi i tij “Delegacioni”, u vlerësua si filmi më i mirë.
“Mos ndaloni”, u jep zemër Alimani të rinjve, “Nuk është çështja tek kërkesat teknike. Çështja është thellësisht politike”.

Bujar Alimani

Edhe aktorja Ema Andrea e ka shfaqur hapur mbështetjen e saj ndaj studentëve, duke mos i kursyer edhe kritikat ndaj politikës së të dy kaheve. “Larg duart nga protesta PD!”, shkruante Andrea në një postim të sajin në Facebook, “Diplomat gjashtë mujore të kohës suaj, shkatërruan dijen, zhvlerësuan intelektualin, shkollën. Ju shitet e blete kartonë  diplomash! Mos bëni të dhimbsurin tani”, është shprehur aktorja, ndërsa ka ironizuar me politikanët opozitarë, që e kanë mbështetur protestën e studentëve, por që nuk janë lejuar nga këta të fundit, t’i bashkohen kauzës së tyre për ta kthyer në politike. “Këta politikanët që gëzojnë kaq shumë për protestën e studentëve, ku i kanë fëmijët e tyre me studime, dini gjë? Se që janë “lodhur” shumë për këtë vend, duken nga makinat e nga veshjet”.

Ema Andrea 

Andrea ka ngritur zërin edhe për taksat e larta dhe rrogat e ulëta. “Nga këto taksa nuk përfitojmë asgjë; as në mjekësi e as në transport publik, as në salla rekreacioni apo salla pa qira… Mbi një lajm ku thuhet se rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule paguhet nga shteti shqiptar me njëmbëdhjetë paga, për njëmbëdhjetë detyra të ndryshme që ai kryen, Ema Andrea shkruan: “Unë bëj dy a tri, ndonjëherë edhe katër, projekte artistike ma kacidhe apo sociale, “for free” e çdo janar e çdo shtator mendoj si do ta paguaj qiranë e radhës. 25 vjet punë. Ku na hodhi Zoti! Këtë e paskësh hedhur në parajsë”.

Kastriot Çipi gjithashtu është një ndër zërat kryesorë jo vetëm të protestës kundër shembjes së Teatrit, por e ka përqafuar protestën e të rinjve që në ditët e para të saj. Gjithashtu nuk i ka fshehur kritikat për mënyrën e tyre të organizimit – duke mos pranuar edhe grupe të tjerë qytatarësh për të protestuar për një gamë më të gjerë problematikash – si edhe u ka dhënë disa këshilla. “Si ish-student i dhjetorit ’90, por edhe si aktivist aktual Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, kam një përvojë që duhet ta ndaj me studentët protestues politikë”, ka shkruar Çipi në faqen e tij të Facebook-ut, duke e kundërshtuar edhe etiketimin “Dhjetori i dytë” për këtë protestë të 2018-s. “Partitë nuk mbahen larg duke thirrur “Nuk duam politikë!”. Harrojeni! Sado të thërrisni ju, partitë kanë burimet njerëzore dhe financiare, aksesin në informacione private, rrjete pune dhe komunikimi, përvojë dhe ekspertë që u mundësojnë infiltrimin në çdo lëvizje qytetare. Ato tashmë janë aty, mes jush, me të dërguarit e tyre. E vetmja mënyrë që të ruani pavarësinë e protestës është të organizoheni dhe të artikuloheni”, iu shkruante regjisori të rinjve, duke u sugjeruar të mblidheshin në çdo fakultet e të zgjidhnin përfaqësues për çdo vit studimi.

“Mos zgjidhni asnjë kryetar! Kryetarët mund t’ju shesin, por një këshill me 200 anëtarë nuk ka parti e qeveri që e blen dot. Por që të jeni edhe më të sigurt, mos u jepni mandat vendimmarrës, por vetëm përfaqësues.” Gjë të cilën studentët e bënë ditën e mërkurë, ku përpara se të dilnin në rrugë për të protestuar – përballë Ministrisë së Arsimit dhe godinës së Kryeministrisë – ata u mblodhën më herët në fakultetet përkatëse për të vendosur ç’itinerar dhe ç’qëndrim do të mbanin. Çipi u ka thënë që të krijojnë në faqe Facebook, për ta përdorur si kanalin e vetëm zyrtar mes tyre dhe publikut. Edhe pse nuk ka ende një faqe të tillë, protesta është mbuluar gjerësisht nga mediat e shkruara e audiovizive dhe rrjetet sociale.

Aktori Neritan Liçaj, një zë aktiv në protestat qytetare në vend. 


Edhe aktori Neritan Liçaj nuk e ka fshehur krenarinë për lëvizjen studentore. “Jeni rinia e kombit dhe jam krenar për ju” , shkruan ai, ndërsa e sheh një erë ndryshimesh, njësoj siç ndodhi në vitin 1990. “ Era e ndryshimeve ndihet tani po njësoj si atëherë. Një ndryshim i vërtetë. Ne bëhemi!”, shkruan shpresëplotë Liçaj. E kam urryer togfjalëshin “ne s’bëhemi”, edhe pse ka pasur raste që e kam thënë dhe vetë. Pak herë, por e kam thënë. Por shpresa nuk vdes kurrë. Prandaj jam këtu, në këtë vend dhe do jem gjithmonë me këtë rini”, përfundon Liçaj, ndërsa ka ndërmendur këngën e Pink Floyd “Another Brick in the Wall” . Liçaj ka thënë se ka qenë i pranishëm çdo ditë, në protestën e studentëve “Për t’i mbështetur me prezencë”, shton pa ndërhyrë në atë lëvizje që aktori e quan të sinqertë dhe shumë qytetare. “Po na japin një leksion të denjë të mendimit të tyre të lirë dhe të pastër”, ka shkruar ndërsa u ka bërë thirrje miqve të rinj ta mbështesin protestën. “I detyrohemi kësaj të ardhmeje, nga i pari tek i fundit”.

Nga e djatha, aktori Igli Zarka


Një tjetër aktor, që i përket brezit të ri dhe aktualisht student i masterit në Universitetin e Arteve, Igli Zarka i është bashkuar protestës. Zarka u bë i njohur për publikun shqiptar në dramën “Equus”, në rolin e 17 –vjeçarit Alan Strang, i cili pas një adhurimi thuajse religjioz për kuajt arrin deri aty sa verbon me një çengel gjashtë kuaj. Në krah të profesorit të tij, aktorit Timo Flloko, Zarka arriti të përcjellë tek publiku tronditjen e thellë dhe mesazhin e fortë të veprës, kontraversiale të dramaturgut Peter Shaffer. Që në mbrëmjen e premierës Zarka arriti të kthehet në një sensacion – edhe për shfaqjen e lakuriqësisë, të konceptuar nga regjisori boshnjak Dino Mustafiç – por edhe duke u vlerësuar jo pak nga kritika. “Ne jemi studentet e Arteve dhe ky është mesazhi ynë: Ne nuk kemi parti! Duam t’u japim zë atyre që mbyten nga britmat e militantëve politikë, studentëve. Ne jemi me studentët e çdo fakulteti”, shkruan Zarka në profilin e tij në Facebook, duke u solidarizuar me mesazhin që studentët e Universitetit të Arteve kanë nxjerrë njëzëri.

“Ne jemi studentë. Kemi të drejta. Ne nuk konkurruam ne akademi për t’u bërë  spektatorë pedagogësh, objekte seksuale apo vegla falas në projektet private duke na kërcënuar se do të na ngelin. Dikush ngeli se korrigjoi pedagogun për paaftësinë, dikush se nuk e pranonte dot që pedagogu t’i shkruajë mesazhe erotike pas mesnate e ta ftojë për kafe në mëngjes, dikush se nuk lejoi të diskriminohej, të përbuzej e shtypej, dikush se nuk kishte leke ta blinte librin shtesë që shet pedagogu, dikush për mungesat që vete pedagogu bën, e barra në fund na ngel ne”, vijon mesazhi i studentëve të Arteve.

#ProtestojmeArt #teaser Full version coming soon🌞

Gepostet von Igli Zarka am Dienstag, 11. Dezember 2018


Igli Zarka, së bashku me disa kolegë të tij, si Krist Lleshi apo Ermir Jonka, të cilëve regjisori Mustafiç u dha mundësinë të provojnë skenën e teatrit me të përfunduar tre vitet e studimit bachelor në Univeristeitn e Arteve, vendosën një standard për kolegët dhe bashkëmoshatarët e tyre, ndoshta duke u dhënë edhe një shpresë se pas diplomimit, shanset do të ishin njëlloj edhe për ta. Zarka, i cili një muaj më parë ishte në rolin e murgut ortodoks Atë Sergit, në veprën me të njëjtin titull të Tolstoit, sjellë për skenën e teatrit nga regjisori Fatos Berisha, do të shprehej në një intervistë të disa kohëve më parë, se standardet nuk duhet të jenë vetëm për të rinjtë dhe se këta të fundit nuk duhen shpërfillur për shkak të mungesës së përvojës.

Studentët e Universitetit të Arteve, në protestë

Karriera mund të shihet edhe si një fushëbetejë ku secili bën luftën vetjake për ta ngritur çdo ditë e më shumë standardin profesional për të sjellë te publiku shfaqje që jo vetëm do i mbërthejnë në ndenjëset e sallave të teatrit, por do i bëjnë të mendojnë gjatë edhe pasi perdja e skenës të ketë rënë… Sot, sëbashku me kolegë të tjerë që në Universitetin e Arteve studiojnë në fusha të ndryshme, nga muzika, artet skenike e deri tek artet figurative protestojnë sepse nuk duan ta braktisin vendin dhe duan të kenë një të ardhme këtu. “Jemi e tashmja dhe duam te ardhmen. Ky është zëri i të heshturve! Ne jemi studentet e arteve! Ne protestojmë me art!”

Më Shumë