Bota

Izraeli druhet se Trump po forcon ndikimin e Iranit në Liban

Sipas burimeve izraelite, marrëveshjet e reja SHBA-Iran kufizojnë lirinë e veprimit të Izraelit kundër Hezbollahut dhe rrisin rolin e Teheranit në Liban

Nga Gazeta ‘Si’- Qeveria izraelite është gjithnjë e më e shqetësuar se administrata e presidentit Donald Trump po legjitimon ndikimin e Iranit në Liban dhe po kufizon lirinë e veprimit të Izraelit në rajon përmes marrëveshjeve të reja të arritura në Zvicër.

Kështu shkruan Axios, duke cituar dy burime izraelite, sipas të cilave kuptimet e reja mes Washington-it dhe Teheranit po ndryshojnë ekuilibrat e sigurisë në Liban në favor të Iranit dhe aleatit të tij, Hezbollahut.

Sipas raportimit, memorandumi i mirëkuptimit i nënshkruar javën e kaluar mes SHBA-ve dhe Iranit parashikon që të dyja palët dhe aleatët e tyre të ndalin armiqësitë, përfshirë edhe në Liban, si dhe të respektojnë integritetin territorial dhe sovranitetin e vendit.

Në kuadër të bisedimeve në Zvicër është rënë dakord edhe për krijimin e një mekanizmi të ri koordinimi (“deconfliction cell”), ku do të marrin pjesë SHBA, Irani, Libani dhe ndërmjetësit nga Katari dhe Pakistani, me synimin për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit.

Megjithatë, Izraeli nuk do të jetë pjesë direkte e këtij mekanizmi, një fakt që ka ngritur shqetësime serioze në Tel Aviv.

Burimet izraelite pretendojnë se marrëveshjet e reja zbehin dakordësimet e arritura në vitin 2024 mes qeverisë Netanyahu dhe administratës Biden, të cilat i garantonin Izraelit të drejtën për të ndërhyrë kundër kërcënimeve të menjëhershme dhe atyre në zhvillim nga Hezbollahu.

Sipas rregullave të reja, liria e veprimit të Izraelit duket se kufizohet vetëm ndaj kërcënimeve të menjëhershme.

Një burim izraelit i tha Axios se kryeministri Benjamin Netanyahu është më i shqetësuar për pjesën e marrëveshjes që lidhet me Libanin sesa për aspektin bërthamor të negociatave me Iranin.

“Bibi është në panik”, citohet të ketë thënë burimi, duke iu referuar Netanyahut me nofkën e tij.

Raporti zbulon gjithashtu se Netanyahu i ka kërkuar ish-ministrit Ron Dermer të përdorë lidhjet e tij me ekipin e Trump për të ndikuar në negociatat mbi Libanin.

Sipas të njëjtit burim, kjo ndërhyrje ndikoi edhe në një postim të Trump në Truth Social, ku presidenti amerikan kërcënoi Iranin me sulme nëse nuk frenonte Hezbollahun.

Nga ana tjetër, një zyrtar i lartë amerikan minimizoi shqetësimet izraelite, duke argumentuar se prania e SHBA-ve në mekanizmin e ri garanton edhe interesat e Izraelit.

“Ne jemi aq të koordinuar me Izraelin, sa një kanal i drejtpërdrejtë SHBA-Iran për Libanin mund të jetë vetëm në dobi të tij”, tha zyrtari.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë