Treg

Izolimi i gjatë po i nxit njerëzit të blejnë në bregdet

Sabina Veizaj - Dajana ka marrë një vilë me qira në Qerret që kushton 440 euro java.

Ajo punon në bankë dhe thotë se ka qenë e stresuar gjatë këtyre tetë javëve izolim pavarësisht se ka shkuar çdo ditë në punë.

Ka qenë i shoqi ai që e ka ndihmuar me vajzat e vogla, pasi as prindërit e të shoqit, as të sajët nuk mund t'i rrezikonte nga shëndeti në këtë situatë pandemie, edhe pse të dy palët janë shumë afër me shtëpinë e saj.

“Meqenëse situata u lirua disi, sëbashku me bashkëshortin vendosëm të merrnim një vilë me qira që ta provojmë një javë e mandej të shohim nëse biem dakord për ndonjë çmim të mirë me të zotin, ta mbajmë gjithë verën. Prindërit kanë nevojë, fëmijët edhe ne gjithashtu. Situata nuk qe aspak e mirë dhe ishte shumë e papritur e na rëndoi psikologjikisht. Kemi nevojë të qetësohemi në natyrë sepse në Tiranë jetojmë në apartament. Tani që edhe bashkëshorti ka nisur punën në zyrë, mbarojmë punën e shkojmë në Qerret. Fëmijët janë me prindërit tanë atje”, thotë Dajana për Gazetën “Si”.

Në fakt, izolimi i gjatë i ka nxitur njerëzit të blejnë dhe të marrin me qira prona të patundshme në bregdet. Kjo është një sjellje e re në tregun imobiliar që ka reflektuar kriza.

Kurse në Tiranë, siç thonë ekspertët e fushës, nuk po ndodh asgjë.

Dritan Leka, Century 21

“Është rritur kërkesa shumë për në bregdet. Në çmime nuk ka asnjë ndryshim, është shpejt për të pasur të tillë impakt. Pa u hapur totalisht dhe pa kaluar një periudhë “inkubimi” e krizës financiare. Nuk do të kemi rezultate të ndjeshme. Në bregdet kërkohen shtëpi për pushime, por jo vetëm për qira. Duke qenë se njerëzit u mbyllën gjatë nëpër apartamente, kërkojnë të gjithë të blejnë në Durrës, Qerret, Gjiri i Lalzit, Vlorë, Dhërmi, Sarandë”, shprehet Dritan Leka nga "Century 21".

Çmimet fillojnë për blerje nga 500 euro m2 në Durrës e Golem, deri në 700-1500 euro m2 në Tale, Shëngjin, Gjiri i Lalzit. Vlorë, Dhërmi, Sarandë. Kurse qirate janë 50-150€ dita në varësi të pronës ose edhe me bazë javore e mujore.

Kërkesat janë sipas buxheteve; kush ka buxhet të lartë kërkon vilë. Kush ka pak mundësi, kërkon apartament.

“Në Tiranë nuk po ndodh asgjë. Është akoma shpejt për të parë rezultate në Tiranë. Pasojat e krizës janë që shitjet kanë ndaluar thuajse fare. Qiratë vazhdojnë me ritëm të ngadaltë, kryesisht rezidenciale. Por, unë jam optimist. Gjykoj që frenimi s’do me thënë ndalim. E shikoj si periudhë pauze për të rifilluar. Personalisht jam çdo ditë në punë dhe në kontakt si me stafin edhe klientët. Kemi gjeneruar punë nga hiçi dhe po vazhdojmë ta bëjmë. Jemi vërtet shumë minus. 2 muaj (që janë dhe muajt më të mirë të vitit). Për ne janë shumë domethënës. Megjithatë jam optimist se do rekuperojmë”, shpjegon Leka për Gazetën “Si”.

Ai gjykon se situatën do ta ndihmojë shumë hapja e kufijve tokësorë me Maqedoninë dhe Kosovën. Sepse, sqaron ai, do të blejnë më shumë, pasi nuk do të kenë mundësi të lëvizin me avion.

“Sigurisht kur flasim për bregdetin, kosovarët dhe maqedonasit janë target-group kryesor. Kemi shumë klientë që na kanë kontaktuar dhe mezi presin të hapen kufijtë”, tregon Leka.

Tabloja që përshkruan Juliana Nela nga "Re/Max" është që kriza ka shkaktuar errësirë në sektorin imobiliar.

Juliana Nela, Re/MAx

“Në teori po procesojmë në 2-3 javë kërkesat e 3 muajve ndaj dobët është. Emigrantët, po, janë pezull. Shitësit shqiptarë janë spekulatorë. Kur u vjen momenti pastaj, humbasin një tufë me lekë. Po Real Estate në Shqipëri nuk ka logjikë. S’ka lidhje as me fuqinë blerëse, dhe as me qiranë”, shpjegon Nela.

Megjithatë të gjithë bien dakord se edhe krizat përballohen nga ata që kanë likuiditet.

Dajana thotë se nëse "na shkon mirë qëndrimi në vilë gjatë kësaj periudhe, do të mendojmë ta blejmë një të tillë". "Unë punoj në bankë dhe mund të marr kredi me interes të ulët. Një bisedë të tillë e kam dëgjuar dhe nga mikesha të miat që kanë mundësi të investojnë. Izolimi na i mësoi ca gjëra”, thotë ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë