Taksa

Italia tërhiqet pjesërisht nga taksimi i papritur i bankave me 40%. Aksionet rifitojnë terren

Koalicioni i djathtë i Italisë, befasoi fillimisht tregjet financiare, duke njoftuar një taksë “të papritur” prej 40 për qind mbi fitimet bankare, të krijuara nga normat më të larta të interesit, duke bërë që aksionet e institucioneve huadhënëse të vendit të bien.

Aksionet në Intesa Sanpaolo dhe UniCredit, dy bankat më të mëdha të vendit, ranë përkatësisht 8 për qind dhe 6.5 për qind, pasi Italia njoftoi taksën duke thënë se do të përdorte 2 miliardë euro, për të financuar lehtësi financiare për familjet e goditura nga normat më të larta të interesit.

Por pas reagimeve të shumta duket se qeveria italiane u tërhoq pjesërisht.

Ajo u tërhoq nga një pjesë e taksës së saj duke thënë se do të vendoste një kufi për të kufizuar ndikimin për shumë huadhënës ndërsa përpiqet të qetësojë trazirat në treg.

Ministria e Ekonomisë e Italisë sqaroi se taksa e saj prej 40 për qind, e cila synon fitimet që bankat kanë bërë me norma më të larta interesi, nuk do të arrinte më shumë se 0.1 për qind të totalit të aktiveve të tyre.

Pas njoftimit aksionet e bankave italiane rifituan terren të mërkurën(9 gusht).Aksionet e Intesa u rritën me 1.7% dhe të UniCredit me 2.5%.

Megjithatë, kishte paqartësi rreth specifikimeve të sakta të taksës, disa analistë të bankave, llogaritën se mund të mblidhte shumë më tepër se vlerësimi zyrtar prej 2 miliardë euro.

Pesë bankat më të mëdha të Italisë, kanë raportuar fitime totale prej 10.5 miliardë euro, në gjysmën e parë të 2023, 64 për qind më shumë se një vit më parë, sipas agjencisë së vlerësimit DBRS Morningstar. Performanca ishte rritur nga interesi neto më i lartë, tarifat neto elastike dhe kontrolli i fortë i kostos.

Matteo Salvini, zëvendëskryeministri, tha në një konferencë për shtyp se taksa ishte “llogjike”. Shumat e mbledhura do të financojnë masa të tilla, si shkurtimet e taksave dhe subvencionet për hipotekat për blerësit e shtëpive për herë të parë, tha ai, duke synuar të ndihmojë familjet dhe bizneset e goditura nga rritja e normave të interesit.

Ndërsa vendet e tjera evropiane, si Spanja dhe Hungaria, kanë vendosur taksa të papritura për bankat, analistët thanë se vendimi i Italisë e gjeti tregun të papërgatitur, duke dëmtuar besimin.

Burimi: Financial Times/Reuters; Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë