Analize

Italia në kaos, Salvini kërkon zgjedhje të parakohshme!

Matteo Salvini ka shkaktuar një tërmet politik në Italinë duke kërkuar zyrtarisht zgjedhje të parakohshme, me shpresën për t’u bërë kryeministri i ardhshëm i vendit fqinj.

Në një deklaratë për shtyp, ministri i brendshëm dhe një nga dy zv/kryeministrat e vendit fqinj tha se Italia duhet të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme, duke deklaruar se përçarjet dhe dallimet brenda partnerëve të koalicionit, nuk mund të tejkalohen më.

Deklarata e Salvinit erdhi pas një votimi parlamentar të mërkurën kur partia e tij Lega Nord votoi kundër një mocion të ngritur nga partneri i saj i koalicionit, Lëvizja Pesë Yjet për të bllokuar ndërtimin e një autostrade që do të lidhë Torinon dhe Lionin.

Pas thirrjes së Salvinit, kryeministri italian Giuseppe Conte pritet të fillojë zyrtarisht procesin për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme që në tetor. Në një fjalim në orët e vona të së enjtes, Conte i bëri thirrje deputetëve italianë të përmbaheshin përpara thirrjes së një votë besimikundër qeverisë aktuale. Kryeministri ka bërë të ditur se tanimë Salvini duhet ta arsyetojë para Parlamentit thirrjen e tij për zgjedhje.

"Salvini erdhi të flasë me mua për të më njoftuar se ai po planifikon të shkojë përsëri në votime, duke shfrytëzuar popullaritetin e tij aktual për të fituar zgjedhjet e parakohshme," tha Conte. "Unë i thashë Salvinit se vendimi i tij do të rrezikonte reformat e rëndësishme që ka ndërmarrë qeveria ime”, theksoi ai.

Matteo Salvini, Gazeta Si, 9 gusht 2019

Lideri i Lëvizjes Pesë Yjet, Luigi Di Maio është kundërpërgjigjur duke thënë se partia e tij nuk i frikësohet zgjedhjeve të reja. Përplasjet politike duket se arritën kulmin pas anulimit të projektit të ndërtimit të një autostrade që do të lidhte qytetin italian të Torinos dhe atë francez, Lionin. Ky projekt do të kushtonte miliarda euro dhe përfshinte edhe hapjen e një tuneli 56 kilometra nën Alpe. Por Conte ka pezulluar përkohësisht tenderin.

Ndërtimi i kësaj autostrade është kundërshtuar ashpër nga Lëvizja Pesë Yjet, por Lega Nord ka këmbëngulur se ky projekt do të stimulonte vendet e punës dhe rritjen ekonomike.
Përveç kësaj, mbështetësit e këtij projekti kanë thënë se kjo rrugë do të shkurtonte në dy orë udhëtimin mes dy qyteteve. Ky tunel, po ashtu, do të mundësonte udhëtimin nga Parisi në Milano për katër orë, udhëtim që tanimë zgjat shtatë orë.

Ky projekt është thënë të jetë nisur 20 vjet më parë dhe një pjesë e tunelit tashmë është gërmuar, por punimet janë planifikuar të zgjasin deri më 2025. Shpenzimet fillimisht ishte planifikuar se do të arrinin në 8.6 miliardë euro, mirëpo ministri italian i Transportit, Danilo Toninelli, anëtar i Lëvizjes Pesë Yjet, ka thënë se shpenzimet do të arrijnë shifrën mbi 20 miliardë euro.
Megjithatë, kërkesa e Salvinit për zgjedhje të reja nuk nënkupton se ato do të mbahen në një të ardhme të afërt. Presidenti Sergio Mattarella ka mundësi që të formojë një qeveri teknike dhe të shtyjë zgjedhjet e reja për në vitin e ardhshëm. Salvini është shfaqur si figura më e fortë politike, duke bërë fushatë të fuqishme nëpërmjet mediave sociale kundër emigracionit të paligjshëm. Partia e tij u bë e njohur dikur për talljen e banorëve të Jugut të Italisë, të cilët i konsideronte si lypës, hajdutë dhe të paaftë. Megjithatë Salvini kryeson tani me 32.2 për qind të mbështetjes në sondazhe, krahasuar me Pesë Yjet, që kanë mbështetjen e 25.2 për qind të popullit italian. Pas saj, radhitet Partia Demokratike me 17.3 për qind dhe Forza Italia e ish-kryeministrit Silvio Berluskoni me 8.2 për qind.

Pas triumfit në zgjedhjet parlamentare evropiane, Salvini mund të tundohet të shpallë zgjedhje të parakohshme dhe të përpiqet të rrëmbejë postin e Kryeministrit, të cilin e refuzoi vitin e kaluar në emër të koalicionit të përbashkët me Pesë Yjet.


Në sistemin italian, zgjedhjet e përgjithshme ndodhin 60 ose 70 ditë pasi presidenti shpërndan parlamentin. Ekspertët në Itali thonë se Salvinin mund të vendosë të “ndëshkojë” Di Maio dhe në varësi të rezultatit zgjedhor të vendosë të qeverisë me Forza Italian e Berluskonit. Lega Nord do të ishte partia dominuese në një koalicion të tillë dhe do ta kishte më të lehtë për të çuar përpara politikat e saj.

Por Salvini ka gjithashtu arsye për të qenë në mëdyshje përpara se të vendosë të shkojë në zgjedhje të parakohshme. “Koalicioni me Berluskoni është një problem për Salvinin sepse ai dëshiron të përfaqësojë një brez të ri politikanësh që nuk kanë lidhje me të kaluarën”, tha Roberto D’Alimonte, profesor i shkencave politike në Universitetin e Romës. Koalicioni populist në pushtet u përplas po ashtu ashpër edhe për zgjedhjen e Ursula von der Leyen si presidente e Komisionit Europian në një votim që shoi shpresat e Romës për të siguruar një post të lartë në ekzekutivin e ri të BE-së.

Partia e Salvinit dhe Lëvizja pesë Yjet priteshin të mbështesin Von der Leyen në votimin e Parlamentit Evropian. Megjithatë, Lega Nord votoi kundër. Emanuele Bonini, një analist që ndjek nga afër politikën italiane, shkroi të mërkurën se koalicioni vështirë se mund t’i mbijetonte ketyre përplasjeve.

“Për më tepër, Italia ka gjasa të dënohet për shkak të sjelljes së Lega Nord, duke marrë një portofol të parëndësishëm në Komisionin e ardhshëm Europian”, shkroi Bonini.

Salvini dhe Di Maio duket se nuk pajtohen me të gjitha për gjithçka, sidomos për çështje të tilla si buxheti, lidhje hekurudhore me shpejtësi të lartë me Francën dhe mbi të gjitha politika e jashtme. Debatet bëhen edhe më të forta kur bëhet fjalë për premtimet e tyre zgjedhore dhe ngadalësim e rritjes ekonomike që kufizon aftësinë e të dy palëve për të përmbushur këto premtime.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë