Futboll

Italia ka “alergji” nga goli, por më pak frikë për të ardhmen

Një vit më parë Italia dështonte të shënonte ndaj Suedisë në ndeshjen shtesë për të shkuar në Botërorin e Rusisë, duke shënuar momentin më të errët të historisë së saj. Një vit më pas situata ka ndryshuar pak, sepse edhe ndaj Portugalisë skuadra e Mançinit ka dështuar të shënojë dhe rrjedhimisht edhe të fitojë, kështu që në fazën “Final Four” ka shkuar skuadra e trajnerit Santos.

Italia ishte e bukur për t’u parë për një orë, por i ka munguar sulmuesi i golit. Ndeshja me Portugalinë është mbyllur 0-0 dhe “axurrët” mund të ngushëllohen me faktin se kanë një skuadër në rritje, që luan mirë dhe lufton në fushë. Por ka një problem serioz për të zgjidhur: golin. Një problem që duhet zgjidhur para marsit, kur fillon gara për të shkuar në Euro 2020.

Kieza pas një rasti të humbur

Italia luajti në sulm në “San Siro”. Imobile, Kieza dhe Insinje kanë krijuar shumë ndaj kampionëve në fuqi të Europës, të cilët vazhdojnë të jenë pa Kristiano Ronaldon. Në momente të caktuara, Zhorzhinjo, Verrati dhe Insinje kanë dhënë spektakël, por pa shënuar. Imobile ka gabuar përballë portierit Rui Patricio, i cili u tregua i zoti për ta devijuar topin me këmbë. Edhe Bonuçi me kokë i është afruar golit, ndërsa Portogalia nuk gjuajti asnjëherë në portën e Donarumës në 45 mintat e para.

Edhe në pjesën e dytë italianët i kishin mundësitë për të shënuar, por goli vazhdon të mbetet makth për ta. Gjithçka është mbyllur 0-0, si një vit më parë me Suedinë, por tani Italia ka më pak frikë për të parë përpara.

 

Më Shumë