Futboll

Italia është gjallë, thyen Poloninë në kohën shtesë

Italia është ende gjallë. E ka treguar në Poloni, ku ka dominuar ndeshjen dhe e ka fituar falë një goli të Biragit në minutën e dytë shtesë. Skuadra e Mançinit ka dhënë më në fund shkëndijën se po rilind dhe e vetmja gjë që duhet të përmirësojë është të gjejë sulmuesin-gol, pasi ka shpërdoruar shumë raste.

Italia luajti në Poloni me formacionin e miqësores me Ukrainën: Donaruma në portë, Florenci, Bonuçi, Kielini dhe Biragi në mbrojtje, Zhorzhinjo, Barela dhe Verrati në mesfushë dhe Kieza, Bernardeski dhe Insinje në sulm, me juventinin që bënte "9-ën false". Polonia zbriti në fushë pa goleadorin Piatek, me dyshen Levandovski-Milik në sulm. Pjesa e parë është dominuar totalisht nga Italia, por rezultati mbeti  0-0 për shkak të fatit të keq të “axurrëve”, të cilët goditën 2 herë traversën dhe në tre raste Shezni bëri mrekullinë. Të besuarit e Mançinit e kontrolluan lojën dhe krijuan raste, por Bernardeski, Kieza dhe Insinje nuk ia dolën ta dërgonin topin në rrjetë.

Biragi shënon golin e fitores

Polonia e nisi pjesën e dytë me dy zëvendësime, duke shtuar forcën sulmuese me Grosiçkin dhe Bllazhikovskin. I pari vuri në provë Donarumën nga shumë afër, por portieri i Italisë reagoi mirë. Biragi shpërdoroi më pas një rast të mirë. Për shumë minuta Italia ka imituar Barcelonën me mbajtje topi dhe i është afruar golit, por Bernardeski gjuajti keq me kokë jo më shumë se 5 metra larg portës. Donaruma shpëtoi portën nga goli, duke neutralizuar gjuajtjen e Grosiçkit dhe në shtesë Italia ka gjetur golin e çmuar. Krosi në zonë nga goditja e këndit është devijuar nga Lazanja, që ka dhënë një asist për Biragin dhe ky i fundit, në shtyllën e dytë, i ka dhënë fitoren e merituar Italisë me golin e dedikuar Davide Astorit, ish-kapitenit të Fiorentinës, i ndarë nga jeta kohë më parë. Një ndeshje shumë më e mirë se ato të mëparshmet për “axurrët|, që me këtë fitore mbeten në Ligën A.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë