Ne rrjet

Italia drejt zgjedhjeve të parakohshme!?

Vetëm një vit pas ardhjes në pushtet të Lega Nord dhe Lëvizjes Pesë Yjet, Italia duket se po shkon sërish drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Koalicioni populist në pushtet u përplas ashpër të mërkurën për zgjedhjen e Ursula von der Leyen si presidente e Komisionit Europian në një votim që shoi shpresat e Romës për të siguruar një post të lartë në ekzekutivin e ri të BE-së.

Partia Lega Nord e Matteo Salvinit dhe Lëvizja pesë Yjet e Luigi di Maio priteshin të mbështesin Von der Leyen në votimin e Parlamentit Evropian. Megjithatë, Lega Nord votoi kundër.

“Italia ende ka kohë për të shpërndarë parlamentin dhe për të mbajtur zgjedhje të parakohshme pas pushimece verore”, tha Salvini për të përditshmen italiane “Corriere della Sera”.

Në një intervistë të publikuar të enjten, Salvini tha se ishte në dorë të Lëvizjes Pesë Yjet të vendoste nëse qeveria italiane do të mbijetonte. Ai kërkoi më shumë bashkëpunim për rritjen e autonomisë kombëtare, votimin e buxhetin e vitit të ardhshëm dhe kalimin e një reforme të sistemit gjyqësor. . Ai përflitet se mund të formojë tanimë një koalicion me partinë e ish-kryeministrit Silvio Berlusconi, Forca Italia dhe partinë ekstremiste “Fratelli d'Italia”

Luigi di Maio

Duke iu përgjigjur këtyre deklaratave, Di Maio deklaroi se në këto kushte aleatët e tij të djathtë duhej të vendosnin nëse donin të prishnin koalicionin qeveritar dhe të shkonin në zgjedhje të parakohshme, apo të vazhdonin të qendronin në pushtet.

Emanuele Bonini, një analist që ndjek nga afër politikën italiane, shkroi të mërkurën se koalicioni vështirë se mund t’i mbijetonte përplasjes për votimin e presidentes së Komisionit.

"Votimi i Legas kundër presidentes të zgjedhur të Komisionit Evropian po prodhon tani një tërmet politik në Itali", shkruan Bonini.

“Në samitin e BE-së, kur u morën vendime për postet më të mëdha, Kryeministri italian Giuseppe Conte mbështeti zyrtarisht Von der Leyen”, shkruan Bonini. “Në këtë mënyrë Conte ndërmori një angazhim politik me udhëheqësit e tjerë evropianë, por Lega e tradhtoi”, thekson ai.

Pas votimit, Conte akuzoi deputetët e Salvinit për "mosrespektim institucional" dhe akuzoi Lega Nord se kishte votuar "kundër interesit kombëtar".

“Për më tepër, Italia ka gjasa të dënohet për shkak të sjelljes së Lega Nord, duke marrë një portofol të parëndësishëm në Komisionin e ardhshëm Europian”, shkroi Bonini.

Përplasja për presidenten e KE-së nuk ishte surprizë, pasi Salvini dhe Di Maio duket se nuk pajtohen me të gjitha për gjithçka, sidomos për çështje të tilla si buxheti, lidhje hekurudhore me shpejtësi të lartë me Francën dhe mbi të gjitha politika e jashtme. Debatet bëhen edhe më të forta kur bëhet fjalë për premtimet e tyre zgjedhore dhe ngadalësim e rritjes ekonomike që kufizon aftësinë e të dy palëve për të përmbushur këto premtimet.

Matteo Salvini

Salvini është shfaqur si figura më e fortë politike, duke bërë fushatë të fuqishme nëpërmjet mediave sociale kundër emigracionit të paligjshëm. Partia e tij u bë e njohur dikur për talljen e banorëve të Jugut të Italisë, të cilët i konsideronte si lypës, hajdutë dhe të paaftë. Megjithatë Salvini kryeson tani me 32.2 për qind të mbështetjes në sondazhe, krahasuar me Pesë Yjet, që kanë mbështetjen e 25.2 për qind të popullit italian. Pas saj, radhitet Partia Demokratike me 17.3 për qind dhe Forza Italia e ish-kryeministrit Silvio Berluskoni me 8.2 për qind.

Pas triumfit në zgjedhjet parlamentare evropiane nnë maj, Salvini mund të tundohet të shpallë zgjedhje të parakohshme dhe të përpiqet të rrëmbejë postin e Kryeministrit, të cilin e refuzoi vitin e kaluar në emër të koalicionit të përbashkët me Pesë Yjet.

Në sistemin italian, zgjedhjet e përgjithshme ndodhin 60 ose 70 ditë pasi presidenti shpërndan parlamentin. Ekspertët në Itali thonë se Salvinin mund të vendosë të “ndëshkojë” Di Maio dhe në varësi të rezultatit zgjedhor të vendosë të qeverisë me Forza Italian e Berluskonit. Lega Nord do të ishte partia dominuese në një koalicion të tillë dhe do ta kishte më të lehtë për të cuar përpara politikat.

Por Salvini ka gjithashtu arsye për të qenë mëdyshje përpara se të vendosë të shkojë në zgjedhje të parakohshme. "Koalicioni me Berluskoni është një problem për Salvinin sepse ai dëshiron të përfaqësojë një brez të ri politikanësh që nuk kanë lidhje me të kaluarën", tha Roberto D'Alimonte, profesor i shkencave politike në Universitetin e Romës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë