Ne rrjet

Italia bllokadë emigrantëve, s’ka më azil dhe mbrojtje humanitare

Qeveria populiste e Italisë miratoi një paketë masash të reja kundër emigrantëve, këtë javë, duke e bërë më të vështirë marrjen e azilit dhe mbrojtjen humanitare. Sipas legjislacionit të ri, i cili pritet të aprovohet në parlamentin italian, emigrantëve mund t’ju anulohen kërkesat për azil dhe të përballen me riatdhesim të menjëhershëm nëse janë të dënuar për krime si trafiku i drogës apo sulmet seksuale.

Një rregull tjetër do të vështirësojë pajisen e emigrantëve me mbrojtje humanitare, e cila siguron aktualisht një leje dyvjeçare për të qëndruar në Itali, për arsye specifike. Zakonisht kjo kategori përfshin emigrantët që kanë qenë viktima të shfrytëzimit të punës ose trafikimit të qenieve njerëzore, ata që kanë nevojë për ndihmë të menjëhershme mjekësore ose ata që kanë ikur nga fatkeqësitë natyrore në vendin e tyre të origjinës. Përkufizimi për mbrojtjen humanitare deri më tani është interpretuar lirisht por mund të ndryshojë nga rasti në rast.

Dekreti dyfishon gjithashtu sasinë e kohës që emigrantët mund të kalojnë në qendrat e pritjes para se të riatdhesohen, duke e çuar në 180 ditë. Ndërkohë, një nga propozimet më të diskutueshme do të lejojë qeverinë populiste t’i heqë nënshtetësinë italiane dikujt që është shpallur fajtor për terrorizëm ndërkombëtar.

"Ky është një hap përpara për ta bërë Italinë më të sigurt," tha ministri i Brendshëm Matteo Salvini në një postim në Facebook, duke shtuar se masat do ta ndihmonin Italinë "të jetë më e fortë në luftën kundër mafias dhe kontrabandistëve të drogës dhe të ulë kostot e emigracionit të pakontrolluar. Sipas tij Roma duhet të dëbojnë sa më shpejt kriminelët dhe “refugjatët e rremë ".

Matteo Salvini 

Propozimet janë kritikuar nga grupet e të drejtave të njeriut si dhe nga ekspertët ligjorë, të cilët argumentojnë se legjislacioni bie në kundërshtim me kushtetutën italiane. Një prej tyre e quajti projektligjin e kabinetit qeveritar një "hap shqetësues", që dobëson në vend që të forcojë politikat e autoriteteve lokale italiane.

Salvini ka premtuar ta forcojë ndjeshëm politikat  e emigracionit që nga marrja e detyrës, duke  mbyllur disa herë portet italiane për anijet që transportonin emigrantët e shpëtuar në Mesdhe. Ai dhe kryeministri Giuseppe Conte mbrojtën masat e marra, në një konferencë shtypi pas miratimit të tyre nga kabineti, duke argumentuar se legjislacioni do të përafrojë Italinë me vendet e tjera evropiane.

"Këto masa vazhdojnë të garantojnë respektimin e plotë të të drejtave humanitare dhe janë në përputhje me parimet e kushtetutës sonë", tha Conte.

Frikë nga politikat kundër të huajve

Qeveria populiste italiane nuk ka humbur kohë për t’u zotuar se do të mbajë premtimin e dhënë gjatë fushatës duke deportuar qindra mijëra emigrantë, pavarësisht implikimeve financiare, logjistike dhe humanitare të një ndërmarrjeje të tillë. Partia e krahut të djathtë Lega Nord është forca shtytëse e retorikës kundër emigracionit dhe është e vendosur për të dëbuar 500,000 emigrantë të paligjshëm, përshirë këtu edhe qindra qytetarë shqiptarë, të cilët nuk janë pajisur ende me dokumente italiane. Udhëheqësi i Lega Nord, Matteo Salvini, i cili është tani zëvendëskryeministri dhe ministri i Brendshëm i Italisë, ka përsëritur vazhdimishr qëllimin e qeverisë për të dëbuar emigrantët e paligjshëm.

Por një organizatë joqeveritare në Romë, e cila u mëson të huajve gjuhën italiane, shpreson se qeveria e re italiane do të verë në jetë pak nga ato që ka premtuar në fushatën elektorale.

“Nganjëherë ne shkojmë me emigrantët pas mësimit në një lokal këtu afër. Njerëzit në banak janë në përgjithësi kundër emigrantëve, por nuk janë kundër atyre që sjellim ne me vete.” Kështu e përshkruan mësuesja e italishtes Chiara Bergamini klimën, kur bëhet fjalë për numrin e madh të azilkërkuesve në vend. “Kur e takojnë një migrant dhe flasin me të, atëherë gjykimi është ndryshe,” thotë Chiara Bergamini.

Ajo jep mësim katër herë në javë në organizatën humanitare “In Migrazione” në një lagje në rrethinat e Romës. Klasa ka emigrantë nga gjithë vendet e mundshme. Shumë prej tyre jetojnë në një kamp që ndodhet aty afër, ku ata presin për të marrë vendimin për kërkesat e azilit ose zgjatjen e lejes së qëndrimit.

Shumë prej emigrantëve, tregon mësuesja, janë analfabetë. Shumë janë të traumatizuar. “Disa janë depresivë, nuk lëvizin nga krevati ose ia ngulin sytë gjithë ditën celularit për të mbajtur kontakt me familjen.”Disa prej refugjatëve, që kanë ardhur për arsye ekonomike, janë po ashtu të mërzitur dhe të zhgënjyer që kanë ngecur në Itali dhe nuk lejohet të punojnë, thotë Chiara Bergamini. “Natyrisht disa prej tyre kthehen në kriminelë ose ushtrojnë dhunë. Por pjesa më e madhe janë të sjellshëm dhe mirënjohës.”

Po me sa duket çdo premtim për të çliruar vendin nga refugjatët është popullor për publikun dhe Salvini dhe Luigi Di Maio e kanë më se të qartë këtë strategji. Madje partia Lega Nord ka hyrë në fushatë para zgjedhjeve të 4 marsit me sloganin “Prima gli Italiani”(italianët të parët). Ata e kanë gjithashtu të qartë se do ta kenë publikun në anën e tyre nëse i përmbushin premtimet e bëra gjatë fushatës për deportimin e emigrantëve.

Burimet: "Politico. Eu", DW 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë