Ne rrjet

Italia: BE nuk po na zgjat dorën!

Ambasadori italian në BE Maurizio Masari kritikoi ashpër vendet e BE se nuk kishin zgjatur dorën për të ndihmuar Italinë, e cila po përballet me shpërthimin më të madh të koronavirusit në Europë.

Përkundrazi, ishte Kina ajo që iu përgjigj e para kërkesës së Italisë për ndihmë në blerjen e pajisjeve mjekësore.

Në përgjigje të kritikave, Gjermania pritet të dërgojë një milion maska për fytyrën në Itali për ta ndihmuar të luftuar shpërthimin e koronavirusit, por kjo ndihmë është e pakrahasueshme me nevojat e vendit fqinj.

“Kriza e koronavirusit nuk është thjesht një krizë kombëtare. Është një krizë europiane dhe duhet të trajtohet si e tillë”, shkruan ambasadori. “Kapërcimi i saj do të kërkojë guxim politik, vizion dhe solidaritet nga ana e qeverive evropiane dhe institucioneve të BE-së.

Italia, vendi evropian i goditur më shumë nga koronavirusi, ka bërë gjithçka që mundet për të përmirësuar dhe menaxhuar epideminë. Kjo është një betejë në të cilën ne po përballemi me dy armiq të tmerrshëm: panik dhe egoizëm”, tha ai.

Ai i bëri thirrje që Roma nuk duhet të lihet të trajtojë vetëm këtë krizë.  “Tani është koha që BE të kalojë përtej angazhimit dhe konsultimeve, me veprime urgjente që janë të shpejta, konkrete dhe efektive. Ne duhet të furnizohemi nën koordinimin e BE-së, me pajisjet en nevojshme mjekësore dhe rishpërndarjen e saj midis atyre vendeve dhe rajoneve që kanë më shumë nevojë. Sot, ka nevojë Italia, nesër, mund të jetë një vend tjetër. “Italia tashmë ka kërkuar të aktivizojë Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian për furnizimin me pajisje mjekësore për mbrojtje individuale. Por, për fat të keq, asnjë vend i vetëm i BE-së nuk iu përgjigj thirrjes së Komisionit. Vetëm Kina u përgjigj në mënyrë bilaterale. Sigurisht, kjo nuk është një shenjë e mirë e solidaritetit europian.”

Ambasadori i Italisë në BE ka kërkuar që BE të financojë kostot e kujdesit shëndetësor dhe për të ndihmuar në përballimin e pasojave ekonomike të karantinës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë