Ne rrjet

Itali, ministri jep dorëheqjen se nuk i dhanë fonde për arsimin

Ministri italian i Arsimit Lorenzo Fioramonti ka dhënë dorëheqjen pasi qeveria nuk i dha fondet e nevojshme për të rikonstruktuar shkollat ​​dhe universitetet e vendit fqinj.

Dorëheqja e tij është një goditje për qeverinë e kryeministrit Xhupeze Konte pasi partitë në pushtet nuk bien dakort për një sërë çështjesh që variojnë nga reforma e eurozonës e deri te të drejtat e emigrantëve.

Ajo gjithashtu nxori në pah problemet e brendshme të Lëvizjes Pesë Yjet, partisë së Fioramontit, e cila po përpiqet të riorganizohet mes pakënaqësisë së brendshme me liderin e saj Luigi Di Maio.

Fioramonti njoftoi se kishte ofruar "dorëheqjen e pakthyeshme" kryeministrit Giuseppe Conte në një letër më 23 dhjetor.

Fioramonti bëri të ditur së i kishte paralajmëruar partinë e tij dhe Partisë Demokratike në shtator se nëse shpenzimet për arsimin nuk arrinin në 3 miliardë euro, në buxhetin e vitit 2020-ës do të dorëhiqej.

Pakkush e besoi atë, edhe pse buxheti vazhdoi kalimin e tij nëpër parlament dhe u bë e qartë që qeveria kishte pak synim të shkurtonte shpenzimet për të gjetur fondet që ai kërkonte. Buxheti u miratua të hënën përpara afatit të 31 dhjetorit.

"Nuk duhet të jetë befasi për askënd që një ministër të mbajë fjalën e tij," tha Fioramonti për “Reuters” në një intervistë të Mërkurën.

Fioramonti tha se ai do të vazhdonte të mbështeste qeverinë në parlament. Italia harxhon 3.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për arsimin, krahasuar me mesataren prej 5%  të vendeve europiane,

Fioramonti, një ish-profesor i ekonomisë në Universitetin e Pretorias, ka qenë një nga ministrat më popullor të qeverisë së re të Italisë.

Një mbështetës i zëshëm i politikave klimaterike, Fioramonti u bë i famshëm kur njoftoi se Italia do të bëhej vendi i parë që fuste lëndën e ndryshimeve klimatike.

Në fillim të këtij muaji ai tha se gjiganti italian i energjisë ENI duhet të ndalojë kërkimet e naftës dhe të përqëndrohet në energjinë e rinovueshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë