Art dhe Kulture

Ismail Kadare ripropozohet për Çmimin “Nobel”

Në 84-vjetorin e lindjes së shkrimtarit të madh, Ismail Kadare, kreu i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, i ripropozon Akademisë Suedeze emrin e shkrimtarit shqiptar për Çmimin Nobel. Edhe pse në mungesë të shkrimtarit, Akademia e Shkencave, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit në këtë 84-vjetor të lindjes për kontributin e shkrimtarit të madh, ka organizuar një tryezë debati “Kadare dhe letrat shqipe”, ku janë bërë bashkë studiues të letërsisë, pedagogë, shkrimtarë: si Shaban Sinani, Persida Asllani, Alda Bardhyli, Gjovalin Shkurtaj, Viola Isufaj, Diana Çuli, Vera Bekteshi, etj.

Kreu i Akademisë, Skënder Gjinushi, gjatë fjalës së tij, ndërsa vuri në pah çmimet e rëndësishme letrare që Kadare ka rrëmbyer dhe përhapjen e kulturës shqiptare në botë, e ka ripropozuar emrin e tij për Çmimin Nobel.

Kreu i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, gjatë fjalës për Ismail Kadarenë

“Gjatë vitit 2019 Ismail Kadare u shpall fitues i tri prej çmimeve më të rëndësishme letrare dhe intelektuale në shkallë botërore: në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ai mori trofeun Neustadt (Njustad), që konsiderohet Nobeli i Amerikës. Me çmimin Pak Kyongni (Pak Knjonjí), që iu dorëzua në Korenë e Jugut, Kadare mori një prej vlerësimeve më të larta në një anë tjetër të globit, në Azi, duke e shtrirë në mënyrë sovrane përmasën e veprës së vet në shkallë botërore. Mirënjohja e tretë e vitit 2019 iu kushtua sërish nga vendi që e promovoi për herë të parë si shkrimtar europian, nga Franca. Presidenti francez, Macron, i dha atij titullin Oficer i Madh i Legjionit të Nderit. Këto çmime e tituj madhor të fituar rishtas e përligjin plotësisht propozimin tonë të ri, për dhënien e çmimit Nobel në letërsi Ismail Kadaresë për vitin 2020.

Jemi të bindur se propozimi ynë ka mbështetjen e shpreh dëshirën e tërë hapësirës shqiptare, pasi roli i veprës së tij në historinë e letërsisë, kulturës dhe qytetërimit shqiptar, është i pazëvendësueshëm”, tha ndër të tjera Gjinushi.

Për 84-vjetorin e lindjes shkrimtarin Ismail Kadare e ka uruar edhe presidenti Meta, duke e cilësuar si një kolos krijues me përmasa botërore.

“Gjeniu i letrave dhe i mendimit shqiptar, simboli i vokacionit tonë perëndimor, Ismail Kadare, kolosi krijues me përmasa botërore, që na bën krenar të gjithëve, feston sot 84-vjetorin e lindjes”, shkruan presidenti Meta ndër të tjera.

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/photos/a.1479540228758912/2770337843012471/?type=3&theater

Ismail Kadare dhe vepra e tij

Poeti dhe shkrimtari, Ismail Kadare, lindi më 28 janar të vitit 1936.

Kadare lindi në Gjirokastër, ku përfundoi edhe arsimin e mesëm. Në vitin 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës për të vazhduar më pas në Moskë me studime për dy vjet në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” (1958-1960).

Rrugën e krijimtarisë letrare e nisi si poet që në vitet e gjimnazit “Frymëzimet djaloshare”, 1954, “Ëndërrimet”, (1957), por u bë i njohur sidomos me vëllimin “Shekulli im” (1961), që u pasua nga vëllimet e tjera poetike, si: “Përse mendohen këto male” (1964), “Motive me diell” (1968) dhe “Koha” (1976). Vepra poetike e Ismail Kadaresë shquhet për idetë e thella dhe për figuracionin e pasur e origjinal.

Në fushën e prozës, Ismail Kadare ka lëvruar tregimin, novelën dhe romanin. Vepra e parë e rëndësishme e Ismail Kadaresë në prozë është romani “Qyteti pa reklama”, që nuk u lejua të botohej i plotë deri në vitin 2003. Prozën e tij e karakterizojnë përgjithësimet e gjera historiko-filozofike, subjekti i ngjeshur dhe mendimi i thellë i shprehur shpesh me anë të parabolës, mbi bazën e asociacionit apo të analogjive historike.

Ideja e romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1964) është shpirti liridashës i popullit shqiptar. Temën e shpirtit të pamposhtur të shqiptarëve nëpër shekuj autori e trajtoi edhe në romanin Kështjella (1975). Në romanin “Kronikë në gur” (1970) Kadare kritikoi psikologjinë provinciale dhe traditat prapanike.

Probleme të rëndësishme të historisë janë trajtuar edhe në përmbledhjet me tregime e novela Emblema e dikurshme (1977), “Ura me tri harqe” (1978) dhe “Gjakftohtësia” (1980). E veçanta e talentit të Ismail Kadaresë shfaqet sidomos në trajtimin, nga një këndvështrim i ri, i temës historike dhe në tingëllimin e mprehtë aktual që është i aftë t’i japë asaj.

Një nga krijimet më të shquara të Ismail Kadaresë dhe të të gjithë letërsisë së re shqiptare është romani “Pallati i ëndrrave” (1981). Shumica e veprave të Ismail Kadaresë janë përkthyer e botuar në mbi 45 gjuhë të botës.

Në vjeshtën e vitit 1990 Ismail Kadare vendosi të largohet nga Shqipëria dhe të qëndrojë në Paris. Shkrimtari në atë kohë e përligji këtë largim me “mungesën e ndryshimeve demokratike”.

Autoritetet e kohës e dënuan largimin e Ismail Kadaresë, por krijimtaria e tij nuk u ndalua. Në vitin 1990 e më pas vepra e tij bëhet shprehja më e fuqishme e vlerave gjuhësore dhe artistike të shqipes letrare. Letërsia e Ismail Kadaresë pas vitit 1990 bart të njëjtat tipare thelbësore të asaj të mëparshme: frymën etnografike dhe shpërfaqjen e identitetit shqiptar.

Ismail Kadare është laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare. Që nga viti 1994, Kadare është anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës dhe anëtar i jashtëm i ASHAK.

Ka qenë delegat në Kongresin e Drejtshkrimit (1972).

Në vitin 2005 fitoi çmimin “The Booker Prize Man”. Është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”.

Më 23.06.2012 u nderua me Çmimin e madh spanjoll, “Princi i Asturias për Letërsi”, një nga çmimet më prestigjioze letrare në botë.

Kadare është një nga shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë shqipe dhe gjithashtu një nga shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë botërore bashkëkohore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë