Ne rrjet

“Do Zoti na buzëqesh fati”. Sot hapet Lotaria Amerikane, çfarë duhet të dini

“E kam ëndërr të jetoj në Amerikë, të vazhdoj studimet dhe të tërheq familjen time atje, Është hera e parë që aplikoj por ka një parandjenjë të mirë se do ta fitoj”.

Hygerta ka mbushur 18 vjeç pak muaj më parë dhe është një nga shqiptaret me të reja që do të aplikojë këtë vit për Lotarinë Amerikane. Edhe pse do të nisë studimet e larta në Universitetin e Tiranës për infermieri, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë për të, ashtu si për shumë shqiptarë, “toka e ëndrrave”.

Me hapjen e Llotarisë Amerikane në orën 18:00 të pasdites së të mërkurës, Hygerta dhe katër mikeshat e saj,po ashtu 18 vjec, thonë: Ishalla na buzëqesh fati!. Ajo na tregon se prindërit dhe familjarët e saj kanë aplikuar përgjatë gjithë viteve të kaluara, por edhe pse deri më tani kanë pasur fat, do ta provojnë sërish.

Aplikimet për Lotarinë Amerikane nisin prej datës 2 tetor dhe deri në orën 17:00 të datës 5 nëntor 2019, duke iu dhënë kështu mundësinë të të gjithë qytetarët shqiptarë të emigrojnë drejt SHBA-së.

Hygerta, 18 vjeç, është një nga shqiptaret me të reja që do të aplikojë këtë vit për Lotarinë Amerikane

Tre vitet e fundit, numri i qytetarëve që kanë aplikuar që në orët e para që është hapur Lotaria Amerikane ka qenë aq i madh sa ka rënë serveri. Prej disa vitesh, shqiptarët renditen të parët sa i takon numrit të aplikimeve në krahasim me numrin e popullsisë. Në 2018, kishte 367 mijë aspirantë, ose mbi 10 për qind e popullsisë që provuan fatin, por 4500shqiptarë u shpallën fitues

Seksioni i aplikimeve online do të qëndrojë i hapur nga 2 tetori deri më 5 nëntor. Njoftimi shoqërohet me një link që të çon tek udhëzimet e plotësimit të dhëna me detaj, që nga formati i fotografive që duhet e deri tek shmangia e çdo deklarimi të rreme.

Ajo që njihet zyrtarisht si Lotaria e Vizave të Shumëllojshmërisë pritet të tërheqë edhe këtë vit me mijëra shqiptarë. Mjafton të përmendim se në dy vitet e fundit, numri i aplikimeve ka qenë rreth 200 mijë, ndërsa numri i aplikantëve mbi 330 mijë.

Rregullat e aplikimit janë të njëjta. Aplikantët mund të kryejnë aplikimin elektronik në faqen zyrtare të E-DV, gjatë periudhës së regjistrimit. Udhëzimet e DV janë gjithashtu në dispozicion në faqen e internetit të Departamentit të Shtetit.



Duke filluar nga 5 maji 2020, për të parë nëse janë përzgjedhur, të regjistruarit e DV-2021 do të mund të përdorin numrin e tyre unik të konfirmimit të dhënë në regjistrim duke kontrolluar online Kontrollin e Statusit të të Regjistruarve në faqen zyrtare të E-DV-së. Kontrolli i Statusit të të Regjistruarve do të informojë pjesëmarrësit e përzgjedhur se si të aplikojnë për vizën e Lotarisë për veten e tyre dhe anëtarët e familjes së tyre. Të përzgjedhurit do të mund të mësojnë datën e tyre të intervistës për vizë duke hyrë tek Kontrolli i Statusit të të Regjistruarve.por edhe datën e intervistës në Ambasadën Amerikane.

Edhe këtë vit, Ambasada Amerikane i bën thirrje qytetarëve në njoftimin e saj zyrtar që të bëjnë kujdes dhe të mos e lënë aplikimin për ditët e fundit, pasi serveri mund të mbi ngarkohet dhe këshillohet që të regjistroheni më parë.

Edhe për këtë vit do të jenë në dispozicion të lotari 50 mijë viza. Regjistrimi për në programin e Lotarisë është falas në faqen zyrtare ëëë.dvlottery.state.gov.
Po kush mund të marrë pjesë? Aplikuesi duhet të jetë mbi 18 vjeç, nëse aplikon vetëm. Në rast aplikimi familjar, mund të përfshihen dhe fëmijët deri në moshën 21 vjeç. Regjistrimi është i thjeshtë, shkruhen gjeneralitet, gjendja civile aktuale, vendlindja, adresa, numri i telefonit dhe origjina e shtetit.

Ajo që ju duhet është një foto e këtij viti, pasi ato të mëhershmet nuk pranohen dhe mund të penalizoheni nga sistemi duke mos u përfshirë në lotari. Duhet një fotografi portreti digjitale e muajve të fundit sipas parametrave të përcaktuar në faqen e aplikimit. Aty gjendet dhe guida për përmasat, në fotografi duhet të dilni pa syze.

Gjithsesi nëse fotografia është e pavlefshme ajo nuk pranohet nga vetë sistemi. Kur aplikimi është familjar duhet fotografi për secilin anëtar. Ndërkohë nëse je i martuar duhet patjetër regjistrim edhe të bashkëshortit, ose bashkëshortes, në rast të kundërt s’kualifikohesh.

Secili bashkëshort ka të drejtë të jetë aplikant kryesor duke përfshirë pjesën tjetër të familjes. Në rastin kur dikush është i divorcuar dhe ka fëmijë deri në moshën 21 vjeç, është i detyruar të përfshijë në aplikim edhe fëmijët, pavarësisht ka apo nuk ka kujdestarinë e tyre.

Çdo aplikant duhet të ketë përfunduar ciklin e plotë të studimeve 9-vjeçare dhe shkollën e mesme, ose dy vjet përvojë pune brenda pesë viteve fundit në një punësim që kërkon të paktën 2 vjet trajnim ose eksperiencë për ta ushtruar. Duhet të aplikoni vetëm një herë për person. Personat që do aplikojnë më shumë se një herë skualifikohen.

Në total janë rreth 200 popuj që kanë të drejtë të aplikojnë për Lotarinë Amerikane. Shqiptarët radhiten në vendin e pestë gjatë periudhës 1993-2015, si populli më me fat në këtë pjesë, por kjo nisur nga fati se numri i aplikimeve është shumë i lartë në vendin tonë.
Në 22 vite, nga 1993, kur u hap për herë të parë lotaria amerikane, përmes këtij sistemi kanë përfituar rreth 42 mijë shqiptarë, që më pas janë pajisur me Green Card në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo shifër përbën thuajse gjysmën e shqiptarëve që janë pajisur me Green Card në SHBA.

4.5 për qind e shqiptarëve që kanë aplikuar për lotarinë e kanë fituar atë në harkun kohor të 22 viteve, pra një mesatare 1 në 20 vetë.

Përqindje më të lartë se vendi ynë kanë; Etiopia me 6.5 për qind, Nigeria me 5.94 për qind, Egjipti me 5.11 për qind dhe Ukraina me 5.04 për qind.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë