Drejtësia

S’pagoi tarifën, Beqaj ‘ngujohet’ në SPAK, avokati: Kemi 24 orë kohë për të shqyrtuar 700 fashikuj të dosjes!

Gazeta Si - Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme, ku po shqyrton 700 fashikujt e dosjes hetimore ndaj tij për çështjen e "Sterilizimit".

Kjo pasi Beqaj nuk ka pranuar të paguajë të marrë dosjen me 700 fashikuj që SPAK po i bën gati ta dorëzojë në Gjykatën e Posaçme me kërkesën për të filluar gjykimin.

Sipas avokatit të tij mbrojtës, Ermal Yzeiraj, ai po njihet me dosjen në ambientet e SPAK-ut, pasi refuzoi të paguajë tarifën e akteve të dosjes. Avokati i tij tha për mediat se aktualisht janë tek fashikulli numër 2  dhe se do të lexojnë sa të munden.

“Na u dha një afat 24 orë, sepse sot është dita e fundit për të shqyrtuar 700 fashikuj, aktualisht jam tek fashikulli nr 2. Pasi lexuam dy vendimet, për përfundimin, kërkuam kopjen e akteve dhe u përballëm me faturën 10 milionë euro, një mund të skanohet, të tjerat merren copy-paste, por prokuroria vendosi ta shumëzojë 10 herë faturën”, tha avokati.

Ermal Yzeiraj, avokati i Ilir Beqajt në SPAK

Nga ana e avokatit të Beqajt, pagesa prej 1.2 milionë lekë të vjetra është një faturë e kripur dhe kjo situatë është skandaloze dhe e pakuptueshme.

Beqaj dhe avokatit të tij do t’i duhet të njihen me aktet dhe e premtja (29 mars) është dita e fundit kur mund të dorëzojnë pretendimet për hetimet e Prokurorisë para se dosja të paraqitet në GJKKO për nisjen e gjykimit.

Ish-ministri është zyrtarisht i pandehur për dosjen e koncesionit të sterilizimit, ndërsa më 18 mars iu komunikua edhe akuza shpërdorim detyre.

Për sterilizimin janë marrë të pandehur edhe 8 persona të tjerë, ndërsa SPAK pritet të dorëzojë dosjen në GJKKO me kërkesën për nisjen e gjykimit.

Beqaj do të jetë në bankën e të akuzuarve së bashku me ish-zëvendësin e tij në Ministrinë e Shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj, që mori koncesionin e sterilizimit, të dy në burg që prej gushtit të kaluar, aty ku u janë komunikuar edhe akuzat.

Ish-zv.ministri akuzohet për shpërdorim detyre, ndërsa biznesmeni për mashtrim. Në gjykim do të shkojnë edhe 6 ish zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilët kanë qenë anëtarë të Komisionit të tenderit të sterilizimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë