Drejtësia

Sterilizimi / Ilir Beqaj nën akuzë për ‘shpërdorim detyre’: SPAK nuk hetoi si duhet, e vërteta në gjykatë

Gazeta Si - Ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj i është komunikuar akuza këtë të hënë në SPAK për “shpërdorim detyre” për çështjen e sterilizimit, duke u marrë kështu si person i pandehur.

Pas daljes nga SPAK, ai tha se prokuroria në 50 muaj nuk hetoi dot dy elementët kryesorë të një hetimi për Sterilizimeve. Sipas tij, janë kursyer para nga koncesioni dhe ka përfituar çdo shqiptar.

“Të vërtetën time do ta ballafaqoj në gjykatë. Do vërtetohet sa kanë përfituar shqiptarët nga sterilizimi. Prokuroria nuk mori mundimin për 50 muaj të kuptonte pse qendra e sterilizimit nuk u vendos në punë”, tha ai.

Prokuroria e Posaçme mbylli hetimet për dosjen e koncesionit të sterilizimit dhe ka vënë nën akuzë 9 persona. Mes tyre është edhe Beqaj ndaj të cilit është caktuar më herët masa e detyrimit për t’u paraqitur.

Nga hetimet ka rezultuar se ish-ministri nuk ka evituar konfliktin e interesit me biznesmenin Ilir Rrapaj, fituesin e koncesionit me vlerë 100 milionë Euro dhe nuk ka kërkuar studim të detajuar për nevojat e sterilizimit në mënyrë që të zgjidhte një variant më pak të kushtueshëm.

Në këto kushte SPAK ka vënë në akuzë dhe Ilir Rrapajn në cilësinë e aksionerit të kompanisë dhe ish-zëvendësministrin Klodian Rrjepaj, të cilët aktualisht ndodhen në burg.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, ata kanë konsumuar veprat penale të falsifikimit të dokumenteve, mashtrimit dhe shpërdorimit të detyrës. Ndërkohë sa i takon 6 ish-zyrtarëve dhe anëtarëve të Komisionit të Ofertave, SPAK ia ka komunikuar akuzat të enjten e kaluar.

Hetimet kishin në fokus marrëveshjen mes ministrisë me kompaninë që fitoi koncesionin me vlerë 100 mln euro.

Raportet e bëra ndër vite nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë ngritur alarmin se ky koncesion po i shkaktonte një dëm të madh ekonomik buxhetit të shtetit, pasi kostot kishin nisur të rriteshin me 20-30% më shumë nga ç’ishin parashikuar në kontratë.

Sipas dosjes hetimore, në kontratën e lidhur mes ministrisë së asaj kohe me kompanitë që kishin fituar koncesionin ishte në favor të “Bashkimit të Operatorëve Ekonomikë” dhe jo të shtetit.

Për dosjen e “Sterilizimit” janë nën masën e arrestit me burg Rjepaj e Rrapaj, dy persona të tjerë janë nën masën e sigurisë “Arrest shtëpie” dhe 4 të tjerë nën masën “Detyrim paraqitje”.

Masat ndaj 8 ish-zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë:

-Klodjan Rjepaj: arrest me burg për “shpërdorim detyre”

-Ilir Rrapaj: arrest me burg për “mashtrim me pasoja të rënda”

-Saimir Kadiu: arrest shtëpie për “falsifikim dokumentesh” dhe “shpërdorim detyre”

-Marsela Serjana: arrest shtëpie për “falsifikim dokumentesh:” dhe “shpërdorim detyre“

-Arben Gjata: detyrim paraqitje për “falsifikim dokumentesh” dhe “shpërdorim detyre”

-Naile Ajazi: detyrim paraqitje për “falsifikim dokumentesh” dhe ‘shpërdorim detyre”

-Genc Byrazeri: detyrim paraqitje për “falsifikim dokumentesh” dhe “shpërdorim detyre”

-Petri Mersini: detyrim paraqitje për “falsifikim dokumentesh” dhe “shpërdorim detyre”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë