Futboll

Ish-kryeministri Tony Blair mund të drejtojë Premier League

Vitet e fundit politika po përfshihet gjithmonë edhe më shumë me sportin dhe më veçanërisht me futbollin. Një lajm sensacional vjen nga Anglia, ku ish-kryeministri Tony Blair është kandidat serioz për t’u bërë president i Premier League.  Lajmi është publikuar nga e përditshmja britanike Daily Mail që specifikon se Blair është më favoriti në mesin e kandidatëve që mund të marrin rolin honorifik të presidentit të ligës angleze të futbollit.

Për shumë kënd ky lajm mund të përbëjë një çudi, por vetë ish-kryeministri Blair njihet si një fans i pasionuar i futbollit. Ai më herët e kishte deklaruar publikisht se mbështet skuadrën e Newcastle. Madje shumë herë ai është parë në shkallët e stadiumit “St James’ Park” për të ndjekur ndeshjet e këtij ekipi gjatë kampionatit. Dy kandidatët e tjerë për të marrë drejtimin e Premier League janë edhe  Gavin Patterson dhe Barney Francis, por për momentin Blair duket më shumë favorit.

Vlen të theksohet se roli i presidentit në drejtim e Premier League është më shumë honorifik, pasi peshën e përgjegjësisë e ka bordi. Mediet angleze shkruajnë se figura e Blair është zgjedhur më shumë për shkak se është një personazh konsensual dhe i pranuar nga pjesa më e madhe klubeve që përbëjnë ligën.

Toni Blair ishte kryeministër i Anglisë për një periudhë 10-vjeçare. Që pas largimit nga posti i kryeministrit ai ka punuar në disa vende të ndryshme si këshilltar i liderëve në botë, përfshi edhe Shqipërinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë