Mendim

Ish-këshilltari i Trump në zgjedhjet e Kosovës dhe një fushatë në emër të Amerikës

Një nga këshilltarët e presidentit amerikan Donald Trump gjatë fushatës elektorale të vitit 2016 duket se është përfshirë në zgjedhjet e Kosovës, duke punuar për kreun në largimit të Kuvendit të Kosovës, njëherësh kryetar i PDK-së, Kadri Veseli.

Samuel Nunberg do t’i ofrojë shërbime Partisë Demokratike të Kosovës në fushën e marrëdhënieve me publikun, komunikimeve dhe këshillimve strategjike, nga periudha 26 shtator deri më 15 dhjetor.

Siç thuhet në një dokument zyrtar, të dorëzuar pranë Departamentit amerikan të Drejtësisë, ai do të angazhohet në përgatitjen e fjalimeve të zotit Veseli si dhe në raportimin dhe informimin e mundshëm të zyrtarëve amerikanë për rezultatet e zgjedhjeve.

Për këtë shërbim, Nunberg do të paguhet 110,000 dollarë dhe përveç kësaj, Partia Demokratike e Kosovës do të shlyëjë koston edhe të udhëtimeve, të hoteleve dhe të shërbimeve të telefonit dhe internetit. Sipas këtij dokumenti, ai do të qëndrojë në Kosovë nga 22 shtatori deri më 8 tetor.

Dokumenti zyrtar i dorëzuar pranë Departamentit amerikan të Drejtësisë

Dashuria që kosovarët ndjejnë ndaj Shteteve të Bashkuara nuk është e fshehtë. Për të flasin edhe disa hulumtime të organizatës Gallup, sipas të cilave, qytetarët e Kosovës janë mbështetësit më të mëdhenj në botë të udhëheqjes amerikane.

Angazhimi  i tij në fushatën e Veselit nuk është çudi, pasi në garën për zgjedhjet e 6 tetorit, “lidhjet me Amerikën” po bëhen gjithnjë e më shumë pjesë e deklaratave publike të kandidatëve për kryeministër.

Veseli thotë se qytetarët më 6 tetor, do të zgjedhin midis forcimit të bashkëpunimit me Amerikën, me një qeveri të udhëhequr nga ai, ose izolimit dhe korrupsionit më të madh, me një qeveri të udhëhequr nga rivalët e tij politikë. Ai është shprehur se presidenti amerikan, Donald Trump, është mik i madh i Kosovës, se Amerika është aleatja më e madhe e Kosovës dhe se e ardhmja e Kosovës është më e sigurt me mbështetjen e saj të fuqishme.

Në Kosovë janë shfaqur edhe postera me fotografinë e Veselit dhe Trumpit. Mediat kanë shkruar më shumë për Nunbergun kur ai është thirrur në gjyq nga hetuesi i posaçëm amerikan, Robert Mueller, i cili ka hetuar ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016 në SHBA.

Vëmendjen e publikut kosovar, në mënyrë të veçantë, e tërhoqi tubimi i Partisë Demokratike të Kosovës, të martën në Gjilan, ku u shfaq edhe Matthew Whitaker, i cili ka qenë ushtrues detyre i prokurorit të përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara nga nëntori i vitit 2018 deri në shkurt të këtij viti.

Paraprakisht ai ka qenë shef i stafit të prokurorit të përgjithshëm dhe aktualisht është drejtor i “Axiom Strategies”, kompani këshilluese e Partisë Republikane në SHBA.

Në tubim, Whitaker tha se zgjedhjet e ardhshme në Kosovë kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit dhe mundësitë ekonomike për qytetarët e Kosovës dhe se këto synime mund të arrihen me një kryeministër që do miqësi dhe mbështetje nga SHBA-ja, e ai, sipas tij, është Kadri Veseli.

Një ndër njerëzit e besueshëm të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Matthew Whitaker

Në fushatën parazgjedhore në Kosovë, për lidhjet me Amerikën flasin edhe udhëheqës të tjerë politikë.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, duke reaguar ndaj deklaratave të Veselit, tha se “nëse dikush është me Amerikën, ajo është Lidhja Demokratike e Kosovës, sepse Ibrahim Rugova kryetari i parë i kësaj partie e ka shtruar rrugën e Kosovës drejt Amerikës".

Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate, ka thënë se ka marrëdhënie të mira me amerikanët dhe se Amerika është aleate e Kosovës dhe jo e politikanëve të caktuar.

Pas këtyre deklaratave, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, të martën pasdite, lëshoi një deklaratë për mediat:

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara nuk favorizon ose mbështet asnjë parti politike ose kandidat në zgjedhjet e kësaj jave”.

“Ne e respektojmë të drejtën dhe përgjegjësinë e votuesve në Kosovë për të zgjedhur të ardhmen e tyre”, u tha në deklaratë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë