Futboll

Ironia e shkodranëve: Pep Guardiola aplikon për trajner të Vllaznisë

Nga Fatjon Rupi- Kërkohet një trajner dhe një drejtor sportiv. Për vendin e parë kandidon edhe një farë...Pep Guardiola. CV-ja e tij është mjaft e pasur, pasi ka drejtuar skuadra si Barcelona, Bajerni i Mynihut dhe Mançester Siti. Megjithatë, ai sërish ka aplikuar gjithë druajtje, sepse nuk është i bindur, nëse CV-ja e tij bën punë në këtë rast, apo jo. Bëhet fjalë për një vend pune shumë serioz: trajner i Vllaznisë. Po, po, trajner i skuadrës shkodrane të futbollit, drejtuesit e së cilës kanë hapur audicionet për dy pozicionet e sipërpërmendura.

Publikimi në faqen zyrtare të klubit në facebook i  njoftimit se Vllaznia kërkonte trajner dhe drejtor sportiv, ndaj të gjithë të interesuarit duhej të dërgonin aty CV-të e tyre, solli reagime tallëse dhe ironike pa fund për klubin shkodran.  Ironia e tifozëve shkodranë ishte mjaft origjinale, teksa një nga CV-të e dërguara në faqen e Vllaznisë ishte edhe ajo e Pep Guardiolës. Të tjerë pyesnin me ironi se kur do të hapeshin audicionet për mbledhës topash.

"Aplikimi" i Pep Guardiolës për trajner të Vllaznisë

Në Shkodër e dinin shumë mirë se kjo ditë do të vinte. Prej kohësh e shikonin Vllazninë e tyre të përpëlitej në fundin e tabelës dhe të zhytur mes problemesh nga më të ndryshmet, kryesisht organizative. Stadiumi “Loro Boriçi” ishte braktisur prej kohësh nga tifozët shkodranë, unikë në llojin e tyre. Ata duartrokasin futbollin e bukur dhe e bëjnë me shumë dëshirë edhe kur këtë lloj futbolli e prodhon skuadra kundërshtare. Frika e madhe e këtyre tifozëve u bë fakt i kryer në maj të këtij viti, kur Vllaznia ra në Kategorinë e Parë. Ishin të parapërgatitur që një vit më parë, kur ajo shpëtoi vetëm në sekondën e fundit, në atë barazim dramatik me Tiranën. Pësimi nuk u bë kurrë mësim në klubin shkodran, që nën varësinë e bashkisë së qytetit ka lënguar gjithmonë. Ironi e fatit, kur mendon se vitin e ardhshëm Vllaznia feston 100-vjetorin e krijimit të saj dhe ky përvjetor jubilar e gjen jashtë elitës së futbollit shqiptar, para një udhëkryqi të madh dhe shumë dilemash.

Tifozët e Vllaznisë, që dikur mbushnin stadiumin

Me emërimin e Suad Licit në postin e administratorit të ri të klubit, u duk se gjërat nisën të merrnin rrugë, por edhe vetë njerëzit e sportit në Shkodër, ish-lojtarë të shquar të skuadrës veriore, refuzojnë të marrin poste drejtuese. Postin e drejtorit sportiv e ka refuzuar ish-sulmuesi i shquar Vioresin Sinani, ndërkohë që edhe Luan Shpuza, një tjetër ish-lojtar kuqeblu, është tërhequr nga kandidimi. Pse? Ata e dinë shumë mirë si funksionojnë gjërat aktualisht në klub, ku shumë çështje dhe vendime që merren janë të orientuar politikisht. Edhe për emërimin e Suad Licit në postin e administratorit të klubit pati akuza se ai ka lidhje biznesi me Kryebashkiaken Ademi. “E ndjej si detyrim qytetar për skuadrën e Vllaznisë që të vij dhe të jap kontributin tim për ringritjen e saj. Vij me dëshirë të madhe për ta bërë këtë dhe kërkoj që me ndihmën e të gjithëve Vllaznia të kthehet aty ku i takon. Dy parimet e mia janë disiplina dhe puna. Duke punuar me seriozitet dhe me disiplinë të lartë, do të kemi sukses. Së pari, po mundohemi të ngremë strukturat e duhura në klub dhe më pas ekipin e duhur”, - tha Lici në momentin e prezantimit. Por menjëherë ai hasi në vështirësitë për zgjedhjen e drejtorit të ri sportiv dhe trajnerit të ri. Ende këto dy çështje nuk janë zgjidhur zyrtarisht, për të mos folur për ekipin e sezonit të ri.

Suad Lici, administratori i ri i klubit shkodran

I gjithë opinioni sportiv në Shkodër dhe jo vetëm, e ka drejtuar gishtin tek institucioni i bashkisë, që akuzohet për keqmenaxhim të fondeve të klubit dhe shfrytëzim për interesa partiakë, pasi kur ka qenë me president Vllaznia nuk i ka pasur këto probleme. Ish-trajneri i Kombëtares dhe Vllaznsië, Astrit Hafizi, gjatë gjithë sezonit të fundit e ka ngritur problemin e dramës së skuadrës së qytetit të tij, duke thënë se ishin zgjedhur njerëzit e gabuar. I kontaktuar nga "Gazeta Si", për gjendjen e Vllaznisë Hafizi u shpreh shkurt: "Nuk dua të përsëris ato gjëra që kam thënë gjithmonë. Është për të ardhur keq kjo që po ndodh me Vllazninë, ku gjërat, me sa duket nuk janë marrë seriozisht. Tani së fundi nuk e kam ndjekur situatën, nuk ka pasur kontakte dhe nuk dua të flas më shumë".

Astrit Hafizi, ish-trajner i Vllaznisë dhe Kombëtares

Privatizimi i munguar

Prej shumë kohësh flitet për privatizimin e Vllaznisë, që do të ishte edhe shpëtimi për klubin legjendar. Kështu duhet të jetë realisht, por privatizimi i Vllaznisë aktualisht duket një mision i pamundur.  Klubi ka shumë borxhe të trashëguara, janë miliarda lekë, kryesisht detyrime ndaj institucionit të Tatim-Taksave. Kandidatët e përmendur për të marrë presidencën e Vllaznisë, pra për privatizimin e saj, stepen menjëherë për shkak të borxheve. Ish-presidenti Valter Fushaj e ka thënë qartë se nuk mund ta marrë Vllazninë në këtë situatë. Kuptohet që edhe kandidatët e tjerë kanë të njëjtin qëndrim. Zgjidhja e vetme është që Bashkia e Shkodrës të marrë përsipër likuidimin e borxheve dhe më pas të bëhet tenderi për privatizimin e klubit, ose dhënien e tij në administrim, siç është vepruar me Tiranën apo Flamurtarin. Problemi tjetër është se ata që duan ta privatizojnë klubin, duan të privatizojnë edhe asetet e tij, por kjo është diçka e pamundur, sepse mund të privatizohet vetëm stema dhe aktiviteti dhe jo stadiumi apo ambiente të tjera, që janë asete të klubit. Mbi klubin shkodran vazhdojnë të qëndrojnë re të zeza dhe festa e 100-vjetorit të krijimit do të jetë jo pak e trishtë. Lavdia e dikurshme nuk zbehet, por e ardhmja e Vllaznisë i ka pezmatuar të gjithë shkodranët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë