Nga Gazeta ‘Si’- Numri i anijeve që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit ra ndjeshëm, pasi Teherani tha se e ka mbyllur sërish këtë rrugë të rëndësishme detare, tregojnë të dhënat e transportit detar.
Teherani tha se e ka mbyllur ngushticën- përmes së cilës para luftës kalonin rreth 20 për qind e furnizimeve botërore me naftë dhe gaz- në shenjë hakmarrjeje ndaj shkeljeve të një marrëveshjeje të përkohshme armëpushimi nga SHBA-ja dhe Izraeli.
Të dhënat nga firma analitike, Kpler, treguan se më 21 qershor vetëm pesë anije kaluan ngushticën, nga 26 të regjistruara një ditë më parë.
Tri prej tyre u identifikuan si anije shumë të mëdha për transport nafte (VLCC)- secila me rreth 2 milionë fuçi naftë dhe karburant të papërpunuar saudit- dhe njëra prej tyre ishte duke u drejtuar për në Japoni.
Disa anije mund të mos jenë përfshirë në statistika, sepse kanë fikur pajisjet e gjurmimit gjatë kalimit në Gjirin Persik.
Teherani e hoqi bllokadën e ngushticës javën e kaluar, pasi arriti marrëveshje me SHBA-në për të zgjatur armëpushimin e shpallur në prill edhe për 60 ditë të tjera, me qëllim që t’u jepej hapësirë negociatave për paqe.
Por, më 20 qershor, Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) e deklaroi sërish të mbyllur këtë rrugë ujore, në përgjigje të sulmeve izraelite në Liban.
Ushtria amerikane deklaroi se anijet tregtare vazhdojnë të operojnë normalisht.
Ndërkohë, në orët e para të 22 qershorit u raportua se SHBA-ja dhe Irani janë pajtuar për një plan drejt arritjes së marrëveshjes përfundimtare për paqe.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje