Futboll

Inzagi kritikon Strakoshën: Nuk i mbaj mend ndonjë pritje me Interin

Disfata e thellë e Lacios përballë Inter brenda në “Olimpico” 0-3 ishte shumë vështirë për t’u përtypur nga lacialët. Një lojë ndjeshëm më e dobët se ajo e zikaltërve ka lënë një shije të keqe tek tifozët, që kanë filluar të gjejnë fajtorët për këtë gjendje të skuadrës së tyre. Një nga më të kritikuarit nga mediet dhe tifozët ka qënë portieri i kombëtares shqiptare, Tomas Strakosha. Por sikur mos të mjaftonin këto, gardiani 23-vjeçar është kritikuar edhe nga vetë trajneri lacial. Simone Inzagi në konferencën për shtyp pas ndeshjes ka shprehur hapur pakënaqësinë e tij karshi portierit shqiptar.

“Nuk ka justifikime për këtë ndeshje. Inter ishte superior dhe e meritoi fitoren. Ne duhet të qetësohemi dhe të bëhemi gati për ndeshjen e radhës. Inter ishte i aftë në rastet që pati para portës, të cilat i ktheu në gola, por nuk është se mbaj mend ndonjë pritje të Strakoshës, siç mbaj mend ato të Handanoviç nga kjo sfidë.”- tha trajneri i Lacios.

Më tej tekniku i bardhekaltërve ka folur edhe për pika të tjera që nuk shkuan në humbjen me zikaltërit. “Na duhet të përmirësohemi nëse duam të kapim objektivat tanë. Duhet të themi të drejtën, ne luajtëm kundër një ekipi që është ndërtuar për të luftuar për titullin kampion, ndërsa qëllimet tona në këtë sezon janë pak më ndryshe.”- ka vijuar më tej prononcimin e tij Inzagi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë