Mendim

“Investoni tani në ndërmarrjet e mesme dhe të vogla. Do shpenzoni më pak nesër për papunësinë”

Nga Meri Lika - Qeveria e cila deri tani ka qenë inekzistente për biznesin, duhet të gjenerojë siguri për të dalë nga kriza, dhe fillimisht duhet të japë siguri duke marrë masat dhe aprovuar ligje për nevojat e kompanive të vogla dhe të mesme, pasi ato përfaqësojnë 98% të rrjetit të biznesit shqiptar, më shumë se gjysmën e punësimit zyrtar dhe pothuajse 60% të faturimit dhe mbledhjes së taksave. Por ndikimi i tyre në ekonomi është edhe më i madh kur përfshin gjithashtu të vetëpunësuarit, profesionistët e lirë dhe ortakët e vetëm.

Karakteristikat unike të këtyre biznesve, formojnë asetin kryesor jo-material të NVM-ve, të cilat së bashku me burimin njerëzor dhe prodhues, janë kapitali kryesor që gjeneron ky sektor dhe duhet ta ruajmë përtej recesioneve dhe krizave në mënyrë që të forcohet gjenerimin e punësimit cilësor dhe zhvillimi produktiv i vendit.

Ekosistemi prodhues dhe social i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme është i kërcënuar nga pasojat ekonomike të karantinës. Nëse nuk merren masa urgjente nga qeveria, falimentimet e kompanive të vogla dhe të mesme do të bëhen të përgjithshme, dhe me të papunësia do të arrijë shifra të paimagjinueshme.

Gjithashtu falimentimi i këtyre biznese do të jetë goditje për klasën e mesme, e cila do të rrudhet dhe do të shkojë në nivele minimale. Klasa e mesme është garantuesi i përparimit shoqëror dhe demokracisë. Pa një klasë të mesme, të dy janë në rrezik. Nëse klasa e mesme përmirëson nivelin e saj socio-ekonomik, ajo krijon rritje në punësim dhe të ardhura në ekonominë më shumë se çdo klasë tjetër në piramidën sociale.

Do të ishte mirë të hartohet një ligj i ri, ku të mendohet për kompaninë e vogël dhe pastaj ky ligj të përshtatet edhe për shoqëritë e mëdha dhe jo anasjelltas siç ndodh shpesh. Amnistia me aq sa është bërë publike, do të jetë sërish në ndihmë të shoqërive të mëdha, sepse NVM-të nuk kanë aq shumë “pisllëqe” për të pastruar.

Pas luftës për jetët njerëzore, kjo pandemi është duke "hapur një gropë" për shumë kompani dhe ka lëshuar një mesazh pa zë: "Nëse qeveria nuk investon tani në ndihmën ndaj NVM-ve, do t’i duhet të shpenzojë shumë më shumë në të ardhmen për të përballuar papunësinë.

Shoqëritë e mëdha të fasonistëve po kërkojnë investime në para, të cilat të mos kthehen asnjëherë, “Fondo perduto” si ata e quajnë, kurse shoqëritë e vogla dhe të mesme ende janë të pa përfaqësuara.
Në këndvështrimin tim, të gjitha palët do të dalin të humbura, sepse nuk mendoj se qeveria do ndihmojë disa biznese (që në fund, nëse ndodh, do të jetë thjeshtë ndihmë për një ose dy prej tyre) duke iu dhuruar para.

Veçanërisht gjatë karantinës, një seri masash ekonomike ishin të pamjaftueshme për të ruajtur ekosistemin e NVM-ve për të arritur një riaktivizim të shpejtë pas daljes nga karantina.

Për të gjeneruar një zgjidhje u ofruan dy kreditë sovrane, realisht vetëm njëra, ajo për likujdim të pagave dhe sigurimeve shoqërore, sepse ajo për kapital qarkullues ende nuk është vendosur në zbatim. Por marrja e kredisë së parë sovrane është një kalvar i gjatë, me kushte qesharake, kushti kryesor: p.sh në muajin maj (ose qershor ose një muaj tjetër) pagat që mund të mbulohen nga kjo kredi duhe të jenë patjetër sa pagat e muajit shkurt 2020, dhe vetëm për ata persona që kanë qenë në sistem në muajin shkurt!!! Mirë nëse pagat e muajit që kërkohet kredia janë më të mëdha se muaji shkurt, sepse kompania mbulon diferencën, po nëse pagat janë më të vogla? Kjo e dyta ka më shumë mundësi të ndodh sepse në muajin shkurt shoqëritë kanë qenë më kapacitet të plotë, kurse në muajin maj shumica e bizneseve nuk ka punuar gjithë muajin. Në rastet kur pagat e muajit nuk janë sa të shkurtit biznesi nuk e përfiton dot shumën.
Por nga ana tjetër, kjo ndihmë me kredi rriti rrezikun sepse biznesi nuk e ka akoma të qartë vazhdimësinë, e nëse nuk e ka të qartë atëherë shlyerja e kredisë bëhet e pamundur.
Dhe për më tepër që ardhja e kësaj kredie nuk u bë me shpejtësinë e duhur në momentet kritike për biznesin.

Por një faktor që do të ndihmojë rrëzimin e biznesve janë dhe kostot e shtuara që kërkojnë protokollet e pas karantinës.

Po çfarë masash do ta ndihmonin biznesin dhe sidomos NVM-të për të dalë nga kriza dhe për të siguruar vazhdimësinë dhe të shmanget falimenti.

Sipas gjykimit tim disa prej masave që do të  ndihmonin biznesin mund të ishin:

1. Bankat duhet të fillojnë në mënyrë urgjente dhënien e kredisë sovrane për kapital qarkullues, në mënyrë që biznesi të sigurojë likuiditetin e munguar.

2. Qeveria duhet të financojë shpenzimet e shtuara që ka biznesi për të siguruar protokollet e detyrueshme.

3. Qeveria duhet të financojë shpenzimet e shtuara që bizneset kanë paguar për të siguruar transportin e punonjësve të tyre, në kushtet e mungesës së transportit publik.

4. Amnistia fiskale duhet të përfshijë falje të gjobave, kamatvonesave dhe interesave si dhe amnisti të pasqyrave financiare, në mënyrë që të lehtësojë aksesin e biznesve pranë kredive.

5. Mbështetja për NVM-të të kryhet edhe me aftësi paguese fiskale, duke i ulur barrierat fiskale deri dhe tek taksat vendore.

6. Ulje të normave të TVSH-së sipas madhësisë së bizneseve por jo zerimin e saj. Sepse të gjithë duhet të kontribuojmë në zgjidhjen e situatës dhe jo të shmangemi nga ky kontribut.

7. Hartimi me shpejtësi i një legjislacioni i cili të shkurtojë procedurat gjyqësore në zgjidhjen e konflikteve midis kompanive të cilat pas kësaj situate, gjykoj, se do të jenë të shumta, dhe ky legjislacion të përfshijë edhe personat fizik, jo vetëm shoqëritë, pra fatura të ketë të njëjtin titull ekzekutiv për të gjithë bizneset: i vetëpunuësuar apo sh.p.k. Të ndihmohen shoqëritë që të mos bëjnë vajtje –ardhje disa vjeçarë dyerve të gjykatave për fatura të papaguara.

8. Legjislacioni duhet të përfshijë ndihmë për NVM-të edhe nga paditë e punëmarrësve, sepse pushimi nga puna i shumë prej tyre nuk erdhi nga dëshira e punëdhënsve por nga kushtet e krijuara, pra nëse punëdhënësi është trajtuar nga bonuset e shtetit nuk duhet t’i lejohet padia ndaj punëdhënësit.

9. Ndoshta do të ishte mirë që të krijohej një kolegj si p.sh Kolegji Zgjedhor, i cili të jetë institucion i pavarur nga politika e partive dhe interesat e korporatave që bashkë-zgjedhin shtetin kundër atyre që nuk kanë përfaqësim si: NVM-të, profesionistë të lirë, të vetëpunësuar të cilët vazhdojnë me një deficit të dukshëm përfaqësimi.

Nëse bizneseve të vogla dhe të mesme, tani, nuk iu jepen këto ndihma por dhe të tjera, do të jetë e pashmangshme mbyllja e tyre e si rrjedhim rritje e papunësisë.

Qeveria, duhet të hartojë nja plan mbështetje dhe stabilizmi sa më efikas dhe të shpejtë në mënyrë që pas tre muajsh (siç parashikohet koha kur do të fillojë “bumi” i falementeve) të mos gjendemi me duar të lidhur dhe me dëme të pa riparueshme.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë