Futboll

Inter vijon marshimin, dështojnë Bayern dhe United

Me kompeticionet europiane pushim, në mesjavë ka sërish futboll. Në disa vende si Italia, Gjermania, Franca dhe Spanja është luajtur për kampionatin, ndërsa në Angli është luajtur për Carabao Cup. Edhe në ndeshjet e kësaj të martë nuk kanë munguar surprizat dhe rezultatet befasuese.

Në Gjermani ka ardhur surpriza e parë, aty ku Bayern Munich ka barazuar në shtëpinë e tij me Augsburg. Edhe pse kaluan të parët në avantazh, bavarezët nuk arritën dot të fitojnë në këtë sfidë.

Këto janë rezultatet e të gjitha ndeshjeve këtë të martë në Bundesliga:

Në Francë, Monako i befasuar të gjithë duke u mundur në shtëpi. Skuadra nga principata është mposhtur me shifrat 0-1 nga Angers.

Këto janë rezultatet e të gjitha ndeshjeve këtë të martë në Ligue 1:

Inter ecën në rrugën e duhur

Ndërsa në Itali e vetmja e ndeshja që është luajtur këtë të martë, ka qenë ajo mes Inter dhe Fiorentinës. Zikaltërit duket se janë futur në shinat e duhura dhe këtë të martë kanë marrë fitoren e tretë radhazi, duke fituar 2-1 me Fiorentina. Skuadra e Spaletit ka vuajtur jo pak për të marrë tre pikët në këtë përballje, pasi vjolët provuan deri në fund për të mos dalë pa pikë nga “San Siro”. Në fillim ai që i kaloi në avantazh zikaltërit, ishte kapiteni Mauro Icardi me një penallti që u dha pas konsultimit me sistemin VAR. Por në pjesën e dytë skuadra e Stefano Pioli do të reagonte për të barazuar në minutën e 65’ me anë të Chiesa.

Por, pas këtij goli që u duk sikur e gjeti në befasi Interin, skuadra diti të reagojë dhe do të gjente rrugën e rrjetës në minutën e 77’ me anë të Danilo D’Ambrosio. Në fund gjithçka mbyllet në shifrat 2-1 dhe Inter koleksionon kështu fitoren e radhës dhe vijon të rikuperojë pikë të rëndësishme që i la në tre ndeshjet e para.

Në Spanjë Atletico Madrid nuk ka gabuar, duke fituar shumë thjeshtë përballë Huesca. Skuadra e Siemone e ka mbyllur ndeshjen që në pjesën e parë, duke shënuar tre gola të shpejtë dhe më pas thjesht ka administruar avantazhin komod.

Edhe në dy ndeshjet e tjera  nuk ka pasur surpriza, teksa Real Sociedad dhe Rayo Vallecano janë ndarë në barazim 2-2, ndërsa Espanyol ka mposhtur 1-0 Eibar.

Këto janë rezultatet e të gjitha ndeshjeve këtë të martë në La Liga:

Manchester United stonon në Angli

Surprizat e mëdha në këtë të martë të futbollit europian kanë ardhur nga ishulli britanik. Në ndeshjet e vlefshme për Carabao Cup, Manchester United është mposhtur në “Old Traford” nga Derby County. “Nxënësi”, Frank Lampard ka mposhtur “mësuesin” Jose Mourinho, pikërisht në “Teatrin e Ëndrrave”. Pas mbylljes në barazim 2-2 rezultati në kohën e rregull, nga gjuajtja e penalltive Derby është treguar më e saktë, duke triumfuar 2-3.

Në ndeshjet e tjera, skuadrat pretendente nuk kanë gabuar, por janë kualifikuar në raundin pasardhës të këtij kompeticioni. Manchester City ka mposhtur 0 – 3, Oxford Utd duke kaluar në raundin tjetër. Në këtë ndeshje ka debutuar si titullar, portieri shqiptar Arjianet Muric.

Këto janë rezultatet e të gjitha ndeshjeve këtë të martë në Carabao Cup:


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë