Ka nisur në mënyrën me spektakolare të mundshme ky sezon i Uefa Champions League. Barcelona ka bërë detyrën në “Camp Now”, duke fituar 4-0 me PSV, ndërsa Inter, pas një mungese 6-vjeçare është rikthyer me fitore, duke mundur 2-1 Toteham.
Nuk ka pasur shumë histori përballja në Katalojnë, me vendasit që kanë dominuar që nga minuta e parë e deri ën fund. Një Messi në formë është një lajm i keq për çdo skuadër dhe viktima e parë e “pleshtit” qëlloi të ishte PSV. Holandezët nuk mundur dot të bëjnë asgjë për t’ia ndryshuar fatin kësaj përballje edhe pse deri në pjesën e dytë tentoi të rezistonte. Me tripletën e tij, Messi e nisi dhe e mbylli serinë e golave, teksa në golin e dytë Osmane Dembele tregoi klasin e tij të plotë.

Shumë ndryshe ka qenë sfida e luajtur në “San Siro”. Në fakt nuk kishte se si të ndodhte ndryshe, pasi në Ligën e Kampionëve rikthehej “pazza Inter”. Zikaltërit kanë fituar me përmbysje përballë londinezëve të Totenham. Ndeshja ka dhuruar emocione të forta për të pranishmit në shkallën e mitikut “Meazza”, që ishte i tejmbushur. Me pjesën e parë të mbyllur në barazim dhe me një lojë të kujdesshme nga të dyja krahët, 45 minutat e dyta ishin shumë më ndryshe. Fillimisht do të ishte danezi Christian Eriksen që përfitoi nga një hutim i mbrojtës së Inter, për ta çuar topin në rrjetë dhe të kalonte në avantazh miqtë nga Londra. Pas këtij goli u duk dikur ndeshja mori fund dhe Inter do e niste me humbje rikthimin e tij në Champions pas 6 vitesh.

Por nuk ndodhi kështu, pasi në minutën e 86’ Mauro Icardi çoi topin në rrjetë me një gjuajtje spektakolare nga jashtë zone. Por nuk kishte mbaruar me kaq, pasi Inter kishte rezervuar një tjetër surprizë për Totenham. Në minutën e 93’ Matias Vecino pas një rrëmuje në zonë ka shënuar me kokë golin e avantazhit dhe të fitores për vendasit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.