Futboll

Inter dhe Milan 48 orë për dy synimet në mesfushë

Po thuhet gjithmonë dhe më shpesh që kampionati italian është duke rilindur këtë vit. Janë disa komponentët që të bëjnë të mendosh se kjo rilindje po vjen realisht. Por një nga më të rëndësishmet për italianët, por edhe për të gjithë tifozët në të gjithë botën, është ringjallja e dy skuadrave të Milanos, që kanë fansa në të gjithë botën. Inter fillimisht me kualifikimin në Ligën e Kampionëve dhe Milan me ndryshimin e pronësisë dhe disa blerje të rëndësishme, po tregojnë se ky sezon që starton të premten më 17 gusht mund të jetë ndryshe.

Me Juventusin sunduese e gjithë-pushtetshme në 8 vitet e fundit, ku ka fituar 8 kampionate rresht dhe ka shkuar disa herë deri në finalen e Ligës së Kampionëve, Milan dhe Inter kanë hartuar planin e kundërpërgjigjes. Siç zakonisht çdo gjë nis nga merkato, aty ku dy skuadrat milaneze janë treguar shumë aktive.

Inter ka marrë 8 lojtarë deri më tani, ku pa dyshim blerja që ka spikatur më shumë gjatë kësaj verë ka qenë Lautaro Martinez. Por në klubin zikaltër krahas të gjitha afrimeve, që një pjesë e mirë e tyre janë lojtarë me peshë që bëjnë diferencën, po presin një surprizë që do të jetë “qerisha mbi tortë” për teknikun Spaleti.

Ai quhet Luka Modriç dhe prej më shumë se 2 javë përflitet në të gjitha mediet italiane dhe spanjolle se do të largohet nga Madridi për të marrë në dorë frenat e Interit të ri, që do të kërkojë të jetë protagonist në Ligën e Kampionëve dhe në kampionat. Shkruhet se kroati dëshiron të largohet nga Real Madrid dhe dita e enjte mund të jetë shumë vendimtare për kalimin ose jo të tij në Serie A.  Inter e dëshiron Modriç për të udhëhequr një mesfushë me Brozoviç dhe Naingolan, çka do e kthente këtë repart të zikaltërve nga më të fortit në qarkullim. Inter nuk është dorëzuar, pavarësisht rezistencës së madrilenëve dhe këmbënguljes së presidentit Perez, po gjithsesi ka vetëm 48 orë kohë nëse dëshiron që lojtari më i mirë në Kupën e Botës “Rusi 2018”, të veshë fanellën zikaltër sezonin që vjen.

Në një situatë pak a shumë të ngjashme janë edhe “kushurinjtë” kuq e zinj të Inter. Milan që prej muajit korrik tashmë nën patronazhin e një prej grupeve më të mëdha financiare të botës, “Fondi Elliott”. Janë bërë disa blerje të rëndësishme, dhe mund të thuhet se është në rrugën e mbarë për t’u rikthyer pretendent në kampionat, por edhe të shkojë sa më larg në Ligën e Europës. Me Higuain, Milan ka zgjidhur përfundimisht problemin në repartin e sulmit, ndërsa tashmë të gjitha energjitë e dy drejtuesve të Milan, Leonardo dhe Maldini janë përqëndruar në goditjen e madhe të verës, Milinkoviç Saviç. Serbi ka qenë objektiv i disa klubeve të mëdha europiane, ku më e fundit që është interesuar, ka qenë Juventus, por ai ka një çmim shumë të kripur, 120 milion euro kërko Lotito për “xhevahirin” e tij.

Milan nën presionin e “fair play financiar” është i detyruar që të bëjë manovrime për ta marrë Milinkoviç nga Lacio. Në tryezën e drejtorit sportiv, Igli Tare dhe presidentit lacial, Lotito është një ofertë që parashikon një pagesë prej 40 milionë euro këtë verë dhe 50 të tjera në fund të sezonit, plus dhe dy lojtarë kuq e zinj që do të kalonin me fanellën bardhekaltër. Oferta është e majme, por Lacio nuk duket shumë e tunduar dhe Milan ashtu si Inter ka vetëm 48 orë kohë për ta sjellë në Milano mesfushorin serb.

Të dy nga Ballkani, të dy nga më të mirët në rolet e tyre, të dy emrat më të përfolur në këtë merkato, të dy dëshirat kryesore në Milano për trajnerët, drejtuesit dhe tifozët, vetëm dita e premte do të tregojë nëse Milinkoviç Saviç dhe Modriç do të kalojnë te Milan dhe Inter për ta patur "San Siro" shtëpinë e tyre të re.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë