Analize

Inteligjenca artificiale përkundrejt marrëzisë njerëzore

Nga Nouriel Roubini* - Që kur jam kthyer nga takimi i Forumit Ekonomik Botëror të këtij viti në Davos, më kanë pyetur vazhdimisht se cilat ishin rekomandimet e mia kryesore. Një ndër çështjet më të diskutuara këtë vit ishte ajo mbi Inteligjencën Artificiale, sidomos ajo gjeneruese (“GenAI”).

Me shfaqjen e modeleve të mëdha gjuhësore (si ai ku bazohet ChatGPT), ka shumë shpresë  mbi atë që mund të bëjë Inteligjenca Artificiale për produktivitetin dhe rritjen ekonomike në të ardhmen. Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetje, duhet të kemi parasysh se bota jonë dominohet shumë më tepër nga marrëzia njerëzore sesa nga Inteligjenca Artificiale.

Përhapja e kërcënimeve të mëdha, konfirmon se politika jonë është shumë jofunksionale. Ato janë shumë të gabuara për të adresuar edhe rreziqet më serioze dhe më të dukshme për të ardhmen tonë. Këtu përfshihen ndryshimet klimatike, të cilat do të kenë kosto të mëdha ekonomike; do të prodhojnë shtete të dështuara, të cilat do t’i bëjnë edhe më të mëdha valët e refugjatëve; përsëritjen e pandemive, të cilat mund të jenë edhe më të dëmshme ekonomikisht se sa Covid-19.

Ç’është më e keqja, rivalitetet e rrezikshme gjeopolitike po evoluojnë në luftëra të reja të ftohta - si ajo midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës - dhe në luftëra të nxehta potencialisht shpërthyese, si ato në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme.

Në mbarë botën, rritja e të ardhurave dhe pabarazia e pasurisë, e nxitur pjesërisht nga hiper-globalizimi dhe teknologjitë e kursimit të kostos së punës, kanë shkaktuar një reagim kundër demokracisë liberale, duke krijuar shanset për lëvizjet politike populiste, autokratike dhe të dhunshme.

Nivelet e paqëndrueshme të borxhit privat dhe publik, kërcënojnë që t’i përshpejtojnë krizat e borxhit dhe ato financiare, dhe mund të sjellin ende një rikthim të inflacionit dhe goditje stagflacioniste negative të ofertës agregate. Tendenca më e gjerë në nivel global, është drejt proteksionizmit, de-globalizimit, ndarjes dhe de-dollarizimit.

Për më tepër, të njëjtat teknologji të reja të guximshme të Inteligjencës Artificiale që mund të kontribuojnë në rritjen dhe mirëqenien e njerëzve, kanë gjithashtu një potencial të madh shkatërrues. Ato janë duke u përdorur tashmë për të përhapur informacionet e rreme, falsifikimin e thellë dhe manipulimin e zgjedhjeve, por edhe për të rritur frikën ndaj papunësisë së përhershme teknologjike dhe madje edhe pabarazinë më të madhe.

Po aq shqetësuese, është shtimi i armëve autonome dhe lufta kibernetike e përeforcuar nga AI. Të verbuar nga sukseset e kësaj të fundit, të pranishmit në Davos nuk u fokusuan në shumicën e këtyre kërcënimeve të mëdha. Dhe kjo nuk ishte e befasishme. Nga përvoja ime them se fryma e Forumit Ekonomik Botëror, është kundër-treguese në raport me atë se ku po shkon bota në të vërtetë.

Politikë-bërësit dhe drejtuesit e biznesit janë aty më shumë për të promovuar librat dhe idetë e tyre. Ato përfaqësojnë tezat e zakonshme, që cila shpesh bazohen tek një pikëpamje retrospektive e zhvillimeve globale dhe makroekonomike.

Prandaj, kur paralajmërova në forumin e Davosit të vitit 2006, se po mbërrinte një krizë e re globale financiare, më cilësuan si një alarmist dhe pesimist. Dhe kur parashikova në vitin 2007, se shumë vende anëtare të eurozonës do të përballeshin së shpejti me probleme të borxhit sovran, u kritikova publikisht nga Ministri italian i Financave.

Kur të gjithë më pyetën në vitin 2016, nëse rënia e tregut kinez të aksioneve paralajmëronte një krizë globale të re, unë argumentova - dhe koha më dha të drejtë - se Kina do të pësonte një rënie ekonomike të ndjeshme por të menaxhueshme.

Gjatë viteve 2019- 2021, tema më e preferuar në Davos ishte flluska e kriptomonedhave, që u ça duke filluar nga viti 2022. Më pas fokusi u zhvendos te ekonomia e gjelbër, një tjetër temë që tashmë po largohet nga vëmendja. Kur flitet për Inteligjencën Artificiale, ka shumë gjasa që teknologjia ta ndryshojë vërtet botën në dekadat e ardhshme.

Por fokusi i Forumit Ekomomik Botëror duket se është i gabuar. Sepse teknologjitë dhe industritë e AI të së ardhmes, do të shkojnë shumë përtej këtyre modeleve. Marrim për shembull, revolucionin e vazhdueshëm në robotikë dhe automatizim, i cili së shpejti do të çojë në zhvillimin e robotëve me veçori të ngjashme me njeriun, të cilët mund të mësojnë dhe të kryejnë shumë detyra njëlloj si ne njerëzit.

Apo mendoni pak se çfarë do të bëjë Inteligjenca Artificiale për bioteknologjinë, mjekësinë dhe tek e fundit për shëndetin dhe jetëgjatësinë e njerëzve. Jo më pak intriguese janë zhvillimet në llogaritjen kuantike, të cilat përfundimisht do të bashkohen me AI për të prodhuar aplikacione të avancuara të kriptografisë dhe sigurisë kibernetike.

E njëjta perspektivë afatgjatë, duhet të zbatohet edhe për debatet mbi ndryshimet klimatike. Ka gjithnjë e më shumë gjasa që ky problem të mos zgjidhet përmes kalimit tek energjia e rinovueshme, e cila po zhvillohet shumë ngadalë sa për të nxitur ndryshime të rëndësishme, apo nëpërmjet teknologjive të shtrenjta si kapja dhe eliminimi i karbonit nga atmosfera.

Në vend të këtyre qasjeve, ne mund të shohim një revolucion të energjisë bërthamore, me kushtin që një reaktor komercial të mund të ndërtohet në 15 vitet e ardhshme. Ky burim i bollshëm i energjisë së lirë dhe të pastër, i kombinuar me shkripëzimin e lirë dhe agroteknologjinë, do të na jepte mundësinë të ushqejmë 10 miliardë njerëz që do të jetojnë në planet deri në fund të këtij shekulli.

Po ashtu, revolucioni në shërbimet financiare nuk do të përqendrohet tek blloqet e decentralizuara apo kriptomonedhat. Përkundrazi, ai do të shfaqet në llojin e sektorit financiaro-teknologjik të centralizuar dhe të aktivizuar përmes Inteligjencës Articifiale, që tashmë po përmirëson sistemet e pagesave, dhënien e huave dhe alokimin e tyre, si dhe  menaxhimin e aseteve.

Shkenca e materialeve do të na çojë tek një revolucion i elementëve të rinj, prodhimin përmes printimit në 3D, tek nanoteknologjitë dhe biologjia sintetike. Eksplorimi dhe shfrytëzimi i hapësirës, do të na ndihmojë ta shpëtojmë planetin dhe të gjejmë mënyra për të krijuar mënyra të jetesës jashtë planetit tonë.

Këto dhe shumë teknologji të tjera, mund ta ndryshojnë për mirë botën, por vetëm nëse ne mund t’i menaxhojmë efektet e tyre anësore negative, dhe vetëm nëse ato përdoren për të zgjidhur të gjitha kërcënimet e mëdha me të cilat përballemi. Shpresojmë që një ditë Inteligjenca Artificiale do ta kapërcejë marrëzinë njerëzore. Por kjo nuk do të jetë asnjëherë e mundur nëse ne e shkatërrojmë veten.

Burimi: Project Syndicate/ Përshtati: Gazeta Si

*Nouriel Roubini është profesor i ekonomisë në Shkollën e Biznesit të Universitetit të Nju Jorkut. Më herët ka qenë një nga ekonomistët kryesore për çështjet ndërkombëtare në Këshillin e Këshilltarëve Ekonomikë të Shtëpisë së Bardhë gjatë administratës Clinton.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë