Biznes

Inteligjenca Artificiale, kështu Shell po synon të ulë kostot

"Royal Dutch Shell PLC" po integron brenda zyrave të saj një program në internet që u mëson punonjësve të saj aftësi të inteligjencës artificiale, pjesë e një përpjekjeje për të ulur kostot, për të përmirësuar proceset e biznesit dhe për të gjeneruar të ardhura.

Kompania Anglo-Hollandeze e naftës, e cila ka rreth 82,000 të punësuar, tha se rreth 2,000 kanë shprehur interes ose janë afruar nga menaxherët për marrjen e kurseve të AI (inteligjencës artificiale) përmes kompanisë së arsimit online “Udacity”. Shumica e punonjësve kanë edukim në fushën e inxhinierisë të naftës, kimisë dhe gjeofizikës.

“Kurset janë vullnetare, nuk kërkohen me detyrim dhe punonjësit mund t'i kryejnë ato me ritmin e tyre gjatë orarit të punës.” tha Shell. Kompania e naftës mbulon koston e trajnimit.

Shell ka si strategji të integrojë AI-në gjatë operacioneve të saj, një veprim që e ka ndihmuar gjigantin të naftës të ulë kostot dhe të shmangë vonesat përgjatë integrimit të teknologjive të reja. Kompanitë e tjera të naftës dhe gazit që kanë përdorur AI-në për të përmirësuar operacionet dhe për të zvogëluar kostot përfshijnë “Exxon Mobil Corp”, “BP PLC” dhe “Chevron Corp”.

"Inteligjenca artificiale na lejon të përpunojmë sasinë e madhe të të dhënave në bizneset tona për të gjeneruar njohuri të reja që mund të na mbajnë përpara konkurrencës," tha Yuri Sebregts, drejtuesi kryesor i teknologjisë së Shell, në një email.

Nisma në Shell përfshin një program pilot njëvjecar me Udacity, me qendër në Mountain View,  të Kalifornisë, që përfshin rreth 250 shkencëtarë dhe inxhinierë të të dhënave të Shell. Ata morën aftësi të AI-së si mësimi i përforcimit (reinforcement learning), një lloj mësimi për makineritë kompjuterike ku algoritmet mësojnë mënyrën e duhur për të kryer një veprim bazuar në prova-dhe-gabime (trial and error).

Dan Jeavons, menaxheri i përgjithshëm i të dhënave në Shell.

"Teknologjia po ecën aq shpejt sa nëse nuk stërvitni vazhdimisht punonjësit tuaj, ju do të jeni jashtë kohe", tha z. Dan Jeavons menaxheri i përgjithshëm i shkencës të të dhënave

Kompania nuk pranoi të zbulojë se sa para po shpenzon për trajnime, por Z. Jeavons tha që është një investim material dhe strategjik.

Bizneset paguajnë për kurse Udacity sipas një plani vjetor të licencimit të softuerit. Çmimet varen nga gjatësia dhe përshtatja e kursit. Klasat që punonjësit e Shell po ndjekin të quajtura “nanodegrees”, kushtojnë USD 400 mesatarisht kur blihen nga konsumatorë individualë ka thënë shefi ekzekutiv i Udacity, Gabe Dalporto.

Kurset e Udacity për punonjësit e korporatës pritet të jenë biznesi më i madh këtë vit, tha Z. Dalporto, duke shtuar se interesi i ndërmarrjeve për kurset e Udacity të AI-së ka "shpërthyer" gjatë dy viteve të fundit. Klientë të tjerë të ndërmarrjeve përfshijnë Airbus SE, Ford Motor Co dhe AT&T Inc  

Çdo kompani e Fortune 500 po e kupton se AI do të jetë e ardhmja," tha Sebastian Thrun, themeluesi, presidenti dhe drejtuesi ekzekutiv i Udacity. Z. Thrun është gjithashtu themeluesi i departamentit të hulumtimit të Alphabet Inc. dhe përpjekjeve të makinave të vetë-drejtuara të Google.

Punonjësit e Shell mund të regjistrohen në kurse nanodegrees në nënfushat e inteligjencës artificiale siç janë mësimi i përforcimit, vizioni i kompjuterit (computer vision), analiza e të dhënave dhe përpunimi i gjuhës natyrore (natural language processing), në të cilat algoritmet përdoren për të nxjerrë një mësim apo të kuptojnë diçka të re nga kërkesat e përdoruesve. Kurset janë të bazuara në projekte dhe mund të zgjasin për gjashtë muaj.

Njerëzit që kanë përfunduar kurset mund t’a shfaqin veten si "alumni nanodegree Udacity" në faqen profesionale të rrjetit LinkedIn.

Nisma arsimore vjen gjatë kohës që Shell është duke punuar për t'u shndërruar në një biznes me emetime më të ulta të karbonit e teksa përballet me kushte të vështira të tregut. Shell ka thënë se pret që nafta dhe gazi të mbeten biznesi i saj thelbësor, por ai synon të jetë ndërmarrja më e madhe e energjisë elektrike në botë deri në fillim të viteve 2030.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë