Treg

Inflacioni në Europë mund të qëndrojë mbi objektivin e BQE-së

Inflacioni i Eurozonës mund të jetë më i ulët se sa pritej në vitet e ardhshme, por mund të qëndrojë mbi objektivin prej 2% të Bankës Qendrore Europiane, tregoi Anketa e Parashikuesve Profesionistë të bankës (Survey of Professional Forecasters).

BQE ka rritur normat në shtatë mbledhjet e saj të fundit dhe ka premtuar edhe më shumë shtrëngime, për të luftuar rritjen e çmendur të çmimeve. Politikëbërësit janë të shqetësuar gjithnjë e më shumë, se rritja e presioneve të çmimeve bazë, mund të mbajë inflacionin në rritje për vitet në vijim.

Anketa tremujore e BQE-së, një kontribut kyç në diskutimet e politikave, tani e parashikon inflacionin e vitit 2023 në 5.6%, nga 5.9% që pritej tre muaj më parë, ndërsa parashikimi i 2024-ës u ul në 2.6% nga 2.7%.

Por, shifra e vitit 2025, viti i fundit në projeksionet e vetë BQE-së, u ngrit në 2.2% nga 2.1% dhe shifra “afatgjatë”, e cila i referohet 2027, u mbajt në 2.1%.

Pritshmëritë për inflacionin bazë u ngritën vetëm për vitin 2023, megjithatë, dhe të gjitha parashikimet e ardhshme mbetën të pandryshuara, duke përfshirë leximin prej 2% në “afatgjatë”.

Duke folur pas rritjes së normave me 0.25% bazë në 3.25%, presidentja e BQE-së Christie Lagarde tha se edhe nëse shumica e masave të pritjeve afatgjata të inflacionit qëndrojnë rreth 2%, disa tregues janë rritur dhe kërkojnë vazhdimin e monitorimit.

Projeksioni i rritjes për vitin 2023 i sondazhit, u ngrit në 0.6%, por kjo mbetet shumë më poshtë pritshmërisë së vetë BQE-së prej 1%, ndërsa projeksioni i 2024-ës u ul në fakt në 1.2% nga 1.4%, duke sugjeruar rritje të lehtë për vitet në vijim.

Sondazhi gjithashtu sheh një rënie më të shpejtë të papunësisë se sondazhi i mëparshëm, me normën që bie në 6.8% këtë vit kundrejt 7% të parë më parë.

Me 6.5%, papunësia është tashmë shumë më poshtë se ky tregues, megjithatë, dhe politikëbërësit e BQE janë të shqetësuar se tregu i punës po mbingarkohet, duke zgjatur inflacionin e lartë.

Burimi: Reuters/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë