Para

Të investosh në borxhin e qeverisë: Individët blenë 22 milionë euro në obligacione për tremujorin e parë

Shqiptarët kanë rritur sërish investimet në obligacionet e qeverisë gjatë tremujorit të parë të këtij viti.

Të dhënat nga Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se blerjet e obligacioneve në tregun primar nga individët arritën në 2.73 miliardë lekë, ose rreth 22 milionë euro.

Sipas statistikave, investimet e individëve në këto instrumente u rritën me 25.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Pasi normat e interesit të depozitave pësuan një ulje drastike, individët vitet e fundit kanë kërkuar kthime më të larta në tregun e letrave të borxhit të qeverisë, duke u orientuar më shumë tek instrumentet afatgjatë.

Edhe për tremujorin e parë 2021, investimet e individëve në bono përmes ndërmjetësve financiarë të licencuar nga AMF pësuan rënie me 18.9%, ndërsa gjatë vitit 2020 rënia kishte qenë 12%.

Për obligacionet me maturim 10-vjeçar, kuponi aktualisht është në nivelin në 5.38% dhe ky është kthimi më i lartë që ofron tregu financiar në monedhën vendase. 

Pjesëmarrja direkte në ankandet e letrave me vlerë të qeverisë duket se ka tendencë në rritje.

Në vitet e fundit, investimet direkte në obligacione po zëvendësojnë gjithnjë e më shumë blerjen e kuotave në fondet e investimit, që përgjithësisht për lekun janë një formë e grumbulluar e investimit po në letrat e borxhit të qeverisë.

Investimi në obligacione është bërë gjithmonë përmes ndërmjetësve financiarë të licencuar, ndërsa investimi në bono thesari mundësohej edhe nga Banka e Shqipërisë. Por, në gusht 2020, BSH vendosi ndërprerjen e ofrimit të shërbimit të pjesëmarrjes në ankandet e bonove për individët.

Duke filluar nga viti 2021, banka qendrore nuk do të pranojë më hapjen e llogarive të reja për këtë qëllim dhe individët do të mund ta marrin këtë shërbim vetëm prej bankave tregtare të licencuara nga AMF.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë