Bota

Incidente në Stokholm, policia autorizon një protestë ku tubuesit mund të djegin Kuranin!

Gazeta Si - Policia suedeze tha se ka dhënë një leje për një protestë në të cilën organizatori synon të djegë një Kuran jashtë xhamisë kryesore të Stokholmit sot, në fillim të festës tre-ditore myslimane të Kurban Bajramit.

Drita jeshile erdhi dy javë pasi një gjykatë suedeze e Apelit hodhi poshtë një ndalim të policisë pas djegies së librave të shenjtë myslimanë përpara ambasadës turke, e cila në janar shkaktoi protesta dhe thirrje për bojkotimin e produkteve suedeze dhe bllokoi më tej kandidaturën e Suedisë për NATO.

Protagonisti i gjestit provokues, është shtetasi suedez me origjinë siriane, Salwan Momika, 37 vjeç.

Në fillim policia e kishte refuzuar kërkesën me pretendimin se ekzistonte rreziku i hakmarrjes me natyrë terroriste.

Arsye, të cilat megjithatë sipas Gjykatës së Apelit nuk janë të mjaftueshme për të parandaluar një protestë.

"Rreziqet e sigurisë dhe pasojat që autoritetet mund të shohin të lidhura me djegien e Kuranit, nuk janë të një natyre të tillë që të jenë në gjendje, sipas legjislacionit aktual, për një vendim për të refuzuar një kërkesë për një tubim publik".

Në këtë moment edhe organet e sigurisë publike dhanë dritën jeshile, por në të njëjtën kohë shtuan praninë e agjentëve në rrugë, veçanërisht para xhamisë ku do të vendoset zjarri simbolik.

Duke filluar nga ora 13:30, rreth 200 njerëz u mblodhën para xhamisë dhe një kordon i madh policësh u vendos në të gjithë zonën.

Kishte edhe njerëz që kundërshtuan “zjarrvënësit” e Kuranit dhe tentuan të gjuanin gurë; një person është arrestuar.

Fjalën e mori organizatori, Saiwan Momika: “Zgjohu Suedi! Demokracia është në rrezik nëse na pengojnë të bëjmë këtë protestë”. Menjëherë më pas ai grisi disa faqe të vëllimit që mbante dhe i vuri flakën.

Deri ku mund të shkojë liria e shprehjes dhe ku nisin rreziqet për rendin publik dhe respektimin e mendimeve të të tjerëve?

Në vendin skandinav dilema nuk është e re dhe në fakt tashmë në prill Gjykata e Apelit kishte autorizuar një tjetër djegie të Librit të Shenjtë të Islamit para ambasadës turke në Stokholm.

Autori i gjestit ishte Rasmus Paludan, një ekstremist i djathtë ksenofobik, i cili u zbulua se financohej nga një mbështetës i kanalit propagandistik Russia Today.

Por çështja prek edhe sferën e politikës së jashtme: Suedia ka kërkuar të anëtarësohet në NATO, por gjithmonë ka hasur në kundërshtimin e Turqisë: "pushimi" i Kuranit ka provokuar protestën zyrtare të autoriteteve në Ankara dhe ka komplikuar procedurën për hapjen e dyerve të Aleancës Atlantike në Suedi: bisedimet midis dy vendeve u pezulluan zyrtarisht në janar.

Së fundi, media suedeze raporton një detaj paradoksal: drita jeshile e dhënë nga Gjykata e Apelit do të binte ndesh me një tjetër rregullore të bashkisë së Stokholmit që ndalon ndezjen e zjarrit në publik.

"Por mbrojtja kushtetuese ka përparësi ndaj ndalimit të zjarrit", tha zëdhënësja e policisë Julia Mariç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë