Drejtësia

Inceneratorët, Apeli i GJKKO-së lë në fuqi sekuestrimin e llogarive bankare të Arben Ahmetajt

Gazeta Si - Apeli i GJKKO-së ka rrëzuar kërkesën e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj për ankimimin e bërë për sekuestrimin e një prej llogarive bankare, i shpallur në kërkim si i akuzuar për aferën e inceneratorëve.

Gjyqtari Dhimitër Lara la në fuqi vendimin e GJKKO-së për sekuestrimin, duke rrëzuar kështu kërkesën e Ahmetajt për rishikim të këtij vendimi.

Bëhet fjalë për llogarinë bankare që Ahmetaj i kalonte para vajzës për shkollimin e saj, thotë avokati i tij Ardian Visha.

Avokatët e Arben Ahmetaj ankimuan pak muaj më parë në Apelin e GJKKO-së vendimin e SPAK për sekuestrimin e dy llogarive bankare dhe 4 apartamenteve në emër të tij, kërkesë e cila u rrëzua.

SPAK kishte vendosur masës së sigurimit pasuror, sekuestro preventive mbi 6 (gjashtë) pasuri nga të cilat 4 (katër) apartamente (njëri i përshtatur si AIR BNB) në pronësi të personit nën hetim Arben Ahmetaj si dhe 2 (dy) llogari bankare të po këtij shtetasi në shumën 124 300 (njëqind e njëzetë e katër mijë e treqind Euro).

Ndaj Ahmetajt ka një urdhërarrest ndërkombëtar me masë dhënë në mungesë “arrest në burg” për veprat penale korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Më 14 korrik, Parlamenti miratoi me 117 vota, kërkesën e prokurorëve për masën e arrestit ndaj Ahmetajt dhe kontrollin e banesës.

Sipas SPAK, Ahmetaj ka përfituar prona dhe shuma monetare në 6 episode të faktuara nga biznesmenët, në këmbim të përfshirjes së tyre në aktivitetin e inceneratorëve të Elbasanit dhe Fierit.

Shumat e përfituara, sipas prokurorisë, janë kthyer në prona, konkretisht dy vila në Hamallaj dhe Palasë, të sekuestruara pak muaj më parë nga GJKKO me urdhër të SPAK, edhe pse ishin në pronësi përkatësit të Erjola Hoxhës, partneres aktuale të Ahmetajt dhe ish-gruas së tij Albina Mançka.

Nëse Ahmetaj do të shpallej fajtor nga gjykatat për veprat penale nga të cilat akuzohet, mund të dënohet nga 10 deri në 15 vite burg.

Ahmetaj prej disa muajsh ndodhet ne arrati. Ai u largua nga vendi ditën kur SPAK i kërkoi Kuvendit që t’i hiqte imunitetin, për t'i hapur rrugën prangosjes së tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë