Drejtësia

Arben Ahmetaj kërkon në Gjykatën e Lartë zhbllokimin e pasurive të sekuestruara

Gazeta Si - Nga arratia, i akuzuar për aferën e inceneratorëve, ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj është kthyer sërish me një kërkesë në Gjykatën e Lartë, ku këtë herë kërkon zhbllokimin e pasurive të sekuestruara.

SPAK ka sekuestruar 6 pasuri të Ahmetajt nga të cilat 4 apartamente, njëri i përshtatur si AIR BNB, si dhe 2 llogari bankare të tij në shumën 124.300 euro.

Një lëvizje nga ana e Ahmetajt vjen në një kohë kur GJKKO rrëzoi kërkesën e tij për ankimimin e bërë për pasurinë e sekuestruar.

Pavarësisht pretendimit të Ahmetajt, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar la në fuqi vendimin e GJKKO. Ndaj në këto kushte, Ahmetaj iu drejtua Gjykatës së Lartë.

Hetimi për ish-zëvendëskryeministrin është pjesë e dosjes së inceneratorëve, ku për Ahmetajn ka dyshime se ka përfituar financiarisht për shkak të favorizimit që u ka bërë biznesmenëve Mirel Mertiri e Klodian Zoto, gjithashtu të shpallur në kërkim nga SPAK.

Ish-zëvendës kryeministri, Arben Ahmetaj, është nën akuzë për 4 vepra penale, atë të “shpërdorimit të detyrës”, “korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, “pastrimit të produkteve të veprës penale” dhe “përfitimit të paligjshëm të interesave”.

Ai ndodhet në arrati prej disa muajsh dhe dyshohet se u largua nga Shqipëria kur SPAK i kërkoi Kuvendit që t’i hiqte imunitetin, për t'i hapur rrugën prangosjes së tij.

Ish-zv.kryeministri është në kërkim ndërkombëtar për akuza të rënda që lidhen me aferën e inceneratorëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë