Muzike

In Memoriam Gaqo Çako – Jeta në foto e tenorit të përjetshëm të TKOB

A shuhet jeta e një këngëtari me ndarjen fizike nga kjo botë? E sigurt që zëri i Gaqo Çakos do të rrojë i përjetësuar në qindra e qindra regjistrime  operash, koncertesh apo festivalesh. Mbrëmjen e së mërkurës, tenori i përhershëm i Teatrit të Operas dhe Baletit  u nda nga jeta në moshën 83 –vjeçare, duke lënë pasuri për të gjithë ata që e duan muzikën lirike dhe brezat që do të vijnë duke ndjekur gjurmët e tij, ndërsa ne e sjellim në një rrugëtim të gjatë të karrierës që nisi në Moskën e mes viteve ’50.

Nga opera "Rigoletto" në Teatrin e Operas dhe Baletit

Tenori jo vetëm ishte simbol i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, por edhe “Nder i Kombit” për virtuozitetin, arritjet profesionale dhe gjithë mirënjohjen e asaj audience që e duartrokiti Çakon, ndërsa me vokalin e tij  ai u fali më të mirën e bel canto-s,  mjeshtrit e operës botërore dhe i bëri të udhëtojnë mes dramave dhe triumfeve të dashurisë së kënduar me zë shpirti.

Gjatë viteve '70 në skenën e TKOB

Rrugëtimin në muzikën lirike e nisi në Rusi, ku profesorët e shquar të kantos klasike e pikasën menjëherë studentin nga Shqipëria duke e ngjitur në vitin 1957 në skenat ruse si Rodolfoja e “La Boheme” të Giaccomo Puccini-it

Gaqo Çako student në Rusi

Talenti e bëri të fitonte sërish role në opera të rëndësishme si “Evgienij Onjegin”  i  Tchaikosvky–it apo e  “E fejuara e Carit”  e Rimsky-Korsakov. Gjithë ç’kish ëndërruar u përmbush në një kohë të shkurtër e të mos kish qenë për çështje të politikës së jashtme mes dy shteteve deri atëherë mike, Çako do të kishte gëzuar famën e një karriere ndërkombëtare.

Nga koha e studimeve në Rusi. 

Por në vitin 1961 kthehet në Shqipëri, ku do e presë një tjetër rrugëtim, sërish i shoqëruar me sukses e arritje.

Mbi skenën shqiptare do të debutonte në po të njëjtin vit,  me rolin e Komitit të parë në “Lulja Kujtimit”, më pas do të vishte petkat e Agronit në operën “Heroina” e Vangjo Novës, do të vinte nga fundi i viteve ’60 edhe roli i Besnikut nga opereta “Brigada e grave” e Llazar Morckës,  pastaj Shpendi nga “Përtej mjegullës” e Pjetër Gacit më 1971,  do të ishte Doda te opera “Mrika”  e Prenk Jakovës më 1975-ën apo roli i Galan Lugaparit tek opera “Borana” e Avni Mulës më 1984.

 
Gaqo Çako dhe Tatjana Kora në operën “La Boheme”, 1985

Megjithëse ëndrra ruse iu ndërpre fati i ndriti sërish në ato vite, ku udhëtoi për të studiuar në atdheun e operës, Itali.Në të gjithë hapat e tij qëndronte ajo, Luiza. Shoqja e skenës dhe e jetës, të cilën tenori e quante edhe muzë.Jeta profesionale e Gaqo Çakos nuk u shenjua vetëm nga muzika klasike. Ishtei vetmi këngëtar lirik i Operës që merrte pjesë dhe këndonte në festivalet e Radios. Do të bëhej i dashur edhe për atë publik të gjerë që nuk kishte arritur deri në sallën e teatrit të operës dhe baletit me këngë festivalesh si “Këputa një gjethe dafine” e “Rrjedh në këngë e ligjërime” .

Gaqo Çako në Festivalet e Radios. 

Sipas mikut dhe njeriut, të cilit ia  besoi kujtimet  muzikantit Eno Koço, Gaqo Çako ishte i pari këngtar lirik që nisi të rregjistroj  muzikë operistike të huaj, në Shqipërinë e izoluar dhe të rrethuar nga censurimet e ndikimeve të huaja. Eno Koço shkroi tre vite më parë biografinë e tenorit, me titullin “Gaqo Çako – Legjenda e gjallë e tenorit”. Një pjesë të madhe i mblodhi në vitin 1981 dhe dalëngadalë regjistroi deri në vitet ’90.

Për tri dekada me radhë ishte tenori i përhershëm i Teatrit të Operas dhe Baletit, ku krahas operave shqiptare solli edhe “La Boheme”, “Traviata”  e “Rigoletto” , ndërsa për herë të fundit do të ngjitej në skenë në nderim të sopranos së njohur shqiptare Tefta Tashko Koço, e cila tetë vjet më parë u përkujtuar në 100-vjetorin e lindjes së saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë