Biznes

Importuesit e makinave: Qeveria të kontrollojë naftën, po falimentojmë

Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës Balluku nuk dha asnjë zgjidhje konkrete për importuesit e automjeteve në takim me ta.

Në takimin e iniciuar nga shqetësimet e tregtarëve të makinave të përdorura nga i gjithë vendi me ministren e Infrastrukturës dhe përfaqësues të tjerë të këtij dikasteri, tregtarët ngritën shqetësimin e falimentimit të sipërmarrjeve të tyre si pasojë e një VKM-je të miratuar në nëntor të vitit që lamë pas.

Vendimi ndalon importin e automjeteve mbi 10 vite me argumentimin e ndotjes të tejskajshme të mjedisit. Duke e mbështetur këtë shqetësim, importuesit e automjeteve argumentuan se ndotja e mjedisit ka ardhur si pasojë e karburantit pa cilësi. Në bisedë me ministren, ata kërkuan kontroll të menjëherëshëm të cilësisë së karburantit.

“Nisni kërkoni cilësinë e karburanit. Në Shqipëri vijnë makinat dhe bllokohen. Të targohet kur nis e lëviz. Na është kërkuar inxhinier teknik, garanci. Ne jemi importues, nuk jemi servis. Për ne kontrollor është koalidimi. Ne nuk kemi garanci tjetër. Euro 4 ka dalë 2004-2005. Problemi është karburanti, cilësia e tij. Po shkatërrojmë makinat, veten dhe mjedisin”, u shpreh një tregtar.

Për importuesit e automjeteve ky vendim i dënon me falimentim, pasi fuqia blerëse është shumë e vogël.

“Këto makina që ndalohen me VKM këtu, në Gjermani qarkullojnë, vend nga ku ne kryesisht importojmë. Ne si tregtarë në Durrës furnizojmë popullin e thjeshtë që kërkon makina deri në 4 mijë euro. Ai që vjen tek ne nuk vjen me 20 mijë euro, shkon tek firma. Targimi është absurd. Unë jam me licencë dhe faturë. I kam në faturë transaksionet. Pse duhet të paguaj të bëj targimin e gjithë makinave. Është dëm ekonomik duke marrë parasysh se unë nuk mund t'i shes menjëherë automjetet. Mund të kaloj edhe 1, a dy vite derisa të shiten. Targimin e bën blerësi”, tha Iliri nga Durrësi duke i kujtuar ministres afatin 1 mars në të cilin duhet të impelementohet vendimi.

Pavarësisht kësaj, Ministrja Balluku nuk u dha një zgjidhje imediate tregtarëve, por u shpreh se do të gjejë zgjidhjen e duhur shumë shpejt.

“Jam në dijeni të afatit. Do shohim edhe çështjen e burokracive për licencimin”, tha Balluku

Sipas vendimit të 20 nëntorit 2018, makinat e reja që do të hyjnë duhet të përmbushin normën Euro 5, si për automjetet ashtu dhe kamionët, kurse makinat e përdorura, që përmbushin normën Euro 4, duhet të jenë prodhuar jo më shumë se 10 vjet para datës së regjistrimit të parë në Shqipëri.

Për regjistrimin e automjeteve që tashmë kanë hyrë në Shqipëri dhe janë të përdorura mbi 10 vjet është lënë kohë për t'i regjistruar deri më 1 mars 2019.
Vendimi detyron se automjetet të cilat kanë hyrë në territorin shqiptar para hyrjes në fuqi të këtij vendimi, por nuk kanë përfunduar procedurat e regjistrimit, kanë afat deri në 1 mars 2019, për kryerjen e procedurave të nevojshme.

Nga kjo përjashtohen autoveturat e reja me zero km dhe që nuk janë regjistruar më parë për qarkullim në asnjë shtet tjetër, të cilat përmbushin normën Euro 5, të Bashkimit Evropian; Mjetet motorike të tjera të reja si motorë, autobusë, kamionë të kategorive M2 dhe N1, me zero km dhe që nuk janë regjistruar më parë për qarkullim në asnjë shtet tjetër, të cilat përmbushin normën Euro 5, të Bashkimit Evropian.

Autoveturat e përdorura (të gjitha ato që nuk janë me zero km dhe që janë regjistruar më parë për qarkullim në rrugë në një shtet tjetër, të cilat përmbushin normën Euro 4) duhet të jenë prodhuar jo me shumë se 10 vjet para datës së regjistrimit të parë në Shqipëri;
ç) Mjetet motorike të tjera të përdorura si motorë, autobusë, kamionë, të kategorive M2 dhe N1, (të gjitha ato që nuk janë me zero km dhe që janë regjistruar më parë për qarkullim në rrugë në një shtet tjetër, të cilat përmbushin normën Euro 3) duhet të jenë prodhuar jo më shumë se 15 vjet para datës së regjistrimit të parë në Shqipëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë