Treg

Importet e energjisë rekord historik për periudhën janar-nëntor, kapin shifrën 213 mln euro

Importet e energjisë këtë vit kanë arritur vlerën më të lartë ndonjëherë në historinë e vendit ku gjatë periudhës nga janari në nëntor janë shpenzuar 213 milionë euro.

Kjo shumë përfaqëson 44.42% të të ardhurave totale të kompanisë së shpërndarjes OSHEE sipas bilancit të vitit 2019. Në këtë vit të ardhurat nga aktiviteti i kompanisë ishin rreth 59 miliardë lekë apo 481 milionë euro.

Çmimet e importeve sipas ditëve dhe javëve janë luhatur mes 220 deri në 320 euro/MWh.

Çmimet u rritën në nivele rekord në fund të shtatorit dhe fillim tetori dhe kjo do të cilësohej si efekt i disa faktorëve që niste nga Kina, rritja e kërkesës për energji globalisht si pjesë e rimëkëmbjes post-pandemike por edhe nga prodhimi i ulët i energjisë fotovoltaike apo kushteve jo të favorshëm hidrikë.

Nëntori duket se do të rezultojë muaji me shpenzimet më të larta për energji ku deri më tani nga data 3 e deri në 22 nëntor janë shpenzuar 65 milionë euro.

Tetori kapi nivelin e 65.8 milionë eurove sipas përllogaritjes së shifrave të ankandeve të publikuara nga FTL. Vetë OSHEE Group më herët ka raportuar se importet nga janari në shtator ishin 83 milionë euro.

Aktualisht vendi është në gjendjen emergjente të furnizimit me energji elektrike dhe për këtë janë marrë një sërë masash si pezullimi i investimeve nga operatorët e tregut, dhënia e 100 milionë eurove në funksion të sigurimit të energjisë për konsumin në vend.

Gjithashtu qeveria ka miratuar edhe një shumë prej 100 milionë eurosh të tjera të cilat do të përdoren për importet për vitin e ardhshëm.

Gjendja e emergjencës në furnizimin me energji sipas vendimit të qeverisë është në fuqi deri më 15 prill 2022. Arritja e çmimeve të pranuara si normalë në tregje nuk pritet të ndodhë për të paktën dy vite sipas parashikimeve të ekspertëve globalë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë