Menaxhim

Impianti i parë fotovoltaik lundrues në Shqipëri fillon operimet tregtare

Pas përfundimit të fazës së zbatimit dhe lidhjen me rrjetin kombëtar të energjisë elektrike, njësia e parë e Impiantit Fotovoltaik Lundrues të Banjës ka filluar operimet tregtare.

Ky impiant po prodhon energji të rinovueshme e cila po futet në rrjetin shqiptar të energjisë. Projekti ndodhet në rezervuarin e Banjës, ku Statkraft operon Hidrocentralin e Banjës me kapacitet të instaluar 72 Mw.

 Impianti Fotovoltaik Lundrues i Banjës është një projekt inovativ kërkim-zhvillimi me kapacitet të planifikuar të instaluar prej 2 Mwp.

Njësia e parë e këtij impianti  e cila përbëhet nga 1536 panele diellore, ka kapacitet të instaluar prej 0.5 Mwp dhe mbulon një sipërfaqe afërsisht 4,000 m2.

Veç kësaj, 160 panele të njëjtë janë vendosur në tokë për krahasim dhe dokumentim të efektit ftohës në panelet lundruese. Projekti planifikon të vazhdoje me fazën e dytë të zbatimit gjatë gjysmës së dytë të vitit 2021, kur do të instalohen edhe tre njësi të tjera lundruese, me kapacitet të instaluar shtesë prej 1.5 Mwp.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga ambasadori i Norvegjisë në vendin tonë, Jens Erik Grøndahl, si dhe përfaqësues të kompanisë Statkraft kanë inspektuar nga afër projektin e implementuar në hidrocentralin e Banjës.

Ajo e cilësoi këtë projekt si një risi ku brenda së njëjtës hapësirë kemi një integrim të dy burimeve të rinovueshme të energjisë.

“Ky është një projekt, që shkon në linjë me strategjinë e qeverisë për diversifikimin e burimeve të energjisë elektrike të rinovueshme, pasi në Republikën e Shqipërisë ne prodhojmë vetëm energji të rinovueshme. Kjo është diçka për t’u shënuar, është një ditë shumë e rëndësishme për mua si ministre e Energjisë, padyshim për ju si ekipi i suksesshëm i Statkraftit, për ambasadorin që besoj ndihet krenar sot që një kompani shumë e rëndësishme nga vendi i tij arrin dhe dorëzon një projekt me vlera për të gjithë Europën, pasi strategjia e diversifikimit, apo rritja e kapaciteteve të energjisë së rinovueshme është një trend europian dhe një kërkesë e Bashkimit Europian.

Shqipëria ka fatin pasi është një kampione e prodhimit të energjisë të rinovueshme, duke qenë se e gjithë energjia që prodhohet në republikën tonë vjen nga burime të rinovueshme”, tha ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë