Politike

Ilir Meta në krah të Berishës: Masa e GJKKO-së, urdhër politik i Edi Ramës

Gazeta Si - Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka thënë se pas masës së SPAK ndaj ish-kryeministri Sali Berisha për “detyrim paraqitje”, qëndron kryeministri Edi Rama.

Në një reagim në rrjetet sociale, Meta ka dënuar vendimin e GJKKO-së, e cila po heton në lidhje me procesin e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”, dosje për të cilën u arrestua mbrëmjen e të shtunës dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi.

Sipas Ilir Metës, bëhet fjalë për një drejtësi me regji të urdhëruar nga Edi Rama, me synim të qartë për të shmangur vëmendjen nga korrupsioni i kësaj qeverie.

“Drejtësia me regji ka ndërmarrë veprimet e saj antikushtetuese dhe të paligjshme ndaj Kryetarit të Partisë Demokratike Prof. Dr. Sali Berisha me urdhër politik të Edi Ramës, - shkruan Meta. - Këto veprime, që kanë shkelur me këmbë edhe Parlamentin e Shqipërisë kërkojnë shmangien e vëmendjes nga korrupsioni dhe përgjegjësitë shumë të rënda personale të Edi Ramës për aferën e inceneratorëve dhe mjaft aferave të tjerave qindra milionëshe”.

Meta thekson se “qëllimi politik i vetëm është shantazhi dhe intimidimi i opozitës, e cila po denoncon me këmbëngulje të vërtetat shumë të hidhura të korrupsionit mafioz të Qeverisë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë