Art dhe Kulture

Ikën Zana Çela, në krye të TKOB-së violinistja Abigela Voshtina

Abigela Voshtina zgjidhet drejtoresha e re e Teatrit të Operas dhe Baletit.

Violinistja Voshtina zëvendëson në këtë post Zana Çelën, e cila e mbajti këtë detyrë që nga gushti i 2016-s, teksa nuk arriti që të merrte një mandat të dytë.

Voshtina mundi në këtë garë primabalerinën Adela Muçollari, tenorin Josif Gjipali, koreografin Tomorr Kokona, trompistin Kleanthi Gjika dhe violinistin Arben Skënderin.

“Në mbështetje të pikës 2, të nenit 100, të Kushtetutës, e të pikës 3, të nenit 9, të ligjit nr.10352, datë 18.11.2010, “Për artin dhe kulturën”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I: Znj. Zana Çela, drejtor i Përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, lirohet nga kjo detyrë.

Znj. Abigeila Voshtina emërohet drejtor i Përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor”, thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave.

Shtatë kandidatët për drejtimin e operës, Zana Çela, Josif Gjipali, Adela Muçollari, Abigela Voshtina, Kleanthi Gjika, Tomorr Kokona dhe Arben Skënderi, dolën para komisionit për të prezantuar platformat menaxheriale më 7 qershor.

Voshtina ka qenë për 8 vite drejtoreshë Artistike e Operas, që në kohën kur në krye të saj ishte Ilir Kerni.

Në vitin 2016 ish-Drejtori Ilir Kerni i dha paralajmërim për përjashtim, por asokohe drejtoresha e sektorit të operas e paditi Kernin. Gjykata vendosi në maj të po atij viti rrëzimin e padisë. Pak muaj më vonë artistët e Orkestrës Simfonike të TKOB që kanë dashur largimin e saj nga ky pozicion në 2017-ën, madje edhe duke bërë një peticion ku e akuzonin për përdorim të postit për përfitime personale, shkelje të rregullores, probleme komunikimi etj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë