Drejtësia

Zbardhet ekspertiza mjeko-ligjore, Prokuroria: Lear Kurtit i pushoi zemra nga mbidoza

Gazeta Si - I riu Lear Kurti humbi jetën pas një ataku në zemër për shkak të mbidozës së kokainës dhe ishemisë akute.

Prokuroria ka zbardhur eksperëtizën mjeko-ligjore këtë të enjte në lidhje me shkaqet e vdekjes së Kurtit, 32-vjeçarit i cili humbi jetën pas shoqërimit nga policia mbrëmjen e 20 tetorit në Tiranë.

Akt ekspertimi mjeko ligjor konstaton se vdekja e të riut ka qenë helmimi (mbidozim) akut me lëndë narkotike të llojit kokainë, i komplikuar me shok toksik, me mekanizimin e ishemisë akute të miokardit që ka sjellë për pasojë asistolinë kardiake (Ndalim i menjëhershëm i zemrës).

“Në përgjigje të aktit të ekspertimit mjeko-ligjor, përcaktohet diagnoza Anatomo-Patologjike:  Mbidozim (Helimim) akut me lëndë narkotike e llojit kokainë. Ishemi akute Hypoksite e miokardit e shoqëruar me kontraktim dhe deformim të miofibrilive, edemë e shprehur e trurit, stazë vazale dhe ekstravazat kapilar, atelektazë dhe emfizemë kompesatore e mushkrisë, hepatit kronik persistent. Shkaku i vdekjes se shtetasit Lear Kurti ka qenë helmimi (mbidozim) akut me lëndë narkotike të llojit kokainë, i komplikuar me shok toksik, me mekanizimin e ishemisë akute të miokardit që ka sjellë për pasojë asistolinë kardiake (Ndalim i menjëhershëm i zemrës)”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Para disa javësh, prokuroria nisi hetimet ndaj punonjësve të policisë që e shoqëronin për "veprime arbitrare dhe "mosdhënie ndihme".

Mbrëmjen e 19 tetorit, rreth orës 23:00, Lear Kurti ka qenë duke lëvizur në këmbë në rrugën “Riza Çuka” kur një patrullë e komisariatit nr 3 i ka kërkuar të ndalonte.

Por 32-vjeçari nuk iu bind duke u larguar me vrap. Pas një arratie rreth 400 metrash i riu u kap nga policia në rrugën “Don Bosko”.

Në njoftimin paraprak Agjencia e Mbikëqyrjes Policore thotë se gjatë shoqërimit ai shfaqi problem shëndetësore dhe është kërkuar ndihma e urgjencës.

Ndërsa policia pohoi se ai ndërroi jetë në spital, mjekët e Traumës theksuan se Kurti erdhi i vdekur.

Nga autopsia e kryer në Institutin e Mjekësisë Ligjore, rezultoi se në stomakun e viktimës është gjetur një qese plastike e çarë me ngjyrë të bardhë me përmasa 5×5 cm, e dyshuar si ambalazh i lëndës narkotike, e cila i është nënshtruar ekzaminimit në Institutin e Policisë Shkencore.

Nuk rezultoi që në trupin e viktimës të ketë dëmtime apo shenja dhune. Në kyçe u konstatuan shenjat e krijuara në momentin e prangosjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë