Njerez

Igli Zarka- Të protestosh me art

Suadela Balliu - Ai do të vinte në këtë botë, një vit pas protestave studentore, që do të njihej më vonë në histori si Lëvizja e Dhjetorit dhe pasioni do ta çonte në dyert e asaj godine nga nisi ndryshimi i shoqërisë shqiptare, në ‘90, dikur Instituti i Lartë, sot Universiteti i Arteve.
Si student i nivelit master, në degën e aktrimit, Igli Zarka i është bashkuar protestës studentore, në këtë dhjetor të dytë, njëzetetetë vite më vonë, e cila prej dy javësh ngulmon në plotësimin e tetë pikave, që nisin nga ulja e tarifave e shkojnë deri në anulimin e ligjit të ri të Arsimit.
“Ne nuk konkurruam në akademi për t’u bërë spektatorë pedagogësh, objekte seksuale apo vegla falas në projektet private duke na kërcënuar se do të na ngelin”, lexohej në një deklaratë të përbashkët të të gjithë studentëve të Arteve, të cilën aktori e kishte publikuar në profilin e tij të Facebook-ut. Zarka është nga ata të rinj, që pasi provoi jetën jashtë vendit, u kthye për të ndjekur studimet dhe për të bërë karrierë në vendin e tij.

Igli Zarka në protestën studentore, dhjetor 2018. 


Konkurroi në Universitetin e Arteve, fitoi dhe me të përfunduar tre vitet e para të studimeve apo ciklin Bachelor, sipas sistemit të Bolonjës, do të merrte të parin rol në teatër. Një debutim që rezultoi i bujshëm dhe ai e gjeti veten, menjëherë pas premierës në Teatrin Kombëtar, vitin e kaluar – kur godina ishte ende në funksion dhe mikpritëse për trupat teatrale -në të gjitha mediet. Në rolin e djaloshit 17 -vjeçar, Alan Strang, i cili kish verbuar gjashtë kuaj, në dramën “Equus” të dramaturgut britanik Peter Shaffer, të vënë në skenë në shqip nga regjisori boshnjak Dino Mustafiç, Igli Zarka bëri që për herë të parë një aktor teatri, në atë skenë, të interpretonte i zhveshur. Askush para tij, nuk kishte dalë krejt lakuriq, për hir të një roli. Kish kush e quajti guxim të regjisorit apo oportunitet të aktorit të ri për të tërhequr vëmendjen menjëhershëm.

Por ajo për të cilën ranë dakord të gjithë ishte një shfaqje që të trazon e të vë në mendime të thella mbi lirinë prej zinxhirëve ekzistencialë, edhe kur nevojiten ekstremitete. Për të parën herë në skenë do të ngjitej krah pedagogëve të tij. Timo Flloko, në rolin e psikiatrit Martin Dysart, i cili përpiqet ta kurojë të riun që ushqen një magjepsje patologjike për kuajt, aq sa ka krijuar edhe perëndinë e tij, të quajtur Equus apo Ema Andrea, në rolin e zonjës Strang, mamasë, një grua e devotshme dhe fetare që nuk e heq biblën nga dora.

Në rolin e Alan Strang, "Equus", 2017. 

“Ishte fat për ne aktorët e rinj të luanim krah profesorëve tanë, të cilët në çdo moment na kanë mbështetur, sepse në fund të fundit të gjithë luftuam për një qëllim”, do të më thoshte atë kohë, pasi shfaqjet në teatër të ishin mbyllur. Ai rol dhe suksesi me sallën e teatrit plot, në të gjitha netët kur kjo dramë iu propozua publikut kryeqytetas, e bënë të ndiente se e kish bërë tashmë kapërcimin e madh e të pakthyeshëm nga auditorët drejt skenës. Edhe pse, guximi me lakuriqësinë mund të rezultonte thikë me dy presa, duke e lënë të ngecur në një pikë, për t’u njohur gjithmonë si ai djali që u zhvesh në skenë. Këtë vit, u ngjit sërish në skenë, në Teatrin Eksperimental, në një rol që e desh krejt të veshur. Në petkat e një murgu ortodoks, në Rusinë e shekullit të 19-të. “Nuk mund të flasësh për personazhin e Atë Sergit, pa rrëfyer diçka nga vetja”, do të më thoshte, në një bisedë, kur shfaqja ishte ende në provat e fundit, përpara premierës. Me flokët e gjatë, si të një prifti, që shkrimtari i madh rus, Leo Tolstoi e kishte përshkruar si një të ri të pashëm, Igli Zarka shpjegonte arsyet që e çuan të provonte shndërrimin në këtë rol, që nis me princin Stefan Kazatski, i riu ambicioz që dëshiron të shkëlqejë në çdo fushë ku përfshihet, oficer i ushtrisë së Carit Nikolla I dhe mik i tij, i fejuari i një gruaje të re nga shoqëria e lartë, tradhtia e së cilës e zhgënjen aq fort, sa e bën të ndjekë një tjetër shteg, atë të shenjtërimit.

Në rolin e Atë Sergit, nëntor 2018. 

“E provova këtë pjesë, sepse kam guximin të përballem me pasqyrën time”, thotë Zarka, që shfaqjen “Atë Sergi” , e kishte parë që në krye të herës, kur bisedonte me regjisorin nga Kosova Fatos Berisha, rreth portretizimit dhe zhvillimit të karakterit, si një marrëdhënie të njeriut me pasqyrën. Përtej dukjes, perceptimit në sytë e të tjerëve, vetëm para vetes, njeriu e di kush është, ku e ka anën e tij të bardhë dhe të errët, shenjtërinë e natyrën e tij mëkatare. “Stefan Kazatski u fut në Akademinë Ushtarake për të qenë më i miri. U fejua me Maria Korotkovën për të depërtuar në shoqërinë e lartë dhe me tradhtinë e saj, i zhgënjyer dhe në pamundësi për të vrarë Carin, gjen një vend tjetër për të qenë më i mirë: Zotin”. Pika ku regjisori, i cili ka vendosur ta aktualizojë veprën, novela e cila ka parë vetëm ekranizime kinematografike dhe jo dramatizim, e kishte vënë theksin tek ironia me shenjtërinë e predikuar nga religjionet dhe seksi si tabu, edhe pse në vitin 2018-të, duken edhe të tejshkuara bisedat rreth seksit si kënaqësi e ndaluar.“Për të mos iu nënshtruar epshit, ati pret gishtin”, thotë Zarka, ndërsa zbulon se gjatë provave, ndërsa interpretonte skenën e fshikullimit me kamxhik – praktikë e njohur në shenjë pendese për tundimet e mishit, mes priftërinjve, në shekullin e 14-të –e ka goditur aq veten, sa i kanë mbetur shenjat e mavijosje në shpinë. E me gjithë rezistencën e këtij murgu asket për t’i rezistuar tundimeve mishtore, të kryesuara nga epshi, gjatë rrugëtimit të përsosjes shpirtërore bie pre, duke rënë në shtrat me një vajzë të re, që rezultoi e suksesshme në përpjekjen e saj për të joshur priftin, fama e të cilit ishte përhapur në të gjithë Rusinë.

"Vjet kam qenë një djalë me shpatë, por sivjet kam kuptuar se kam një shpatë aq të mirë sa nuk ka nevojë ta gërvisht me gjëra të pavlera"

Me një përshtatje të tekstit nga poeti Shpëtim Selmani, “Atë Sergi” i interpretuar nga Zarka dhe i konceptuar nga regjisori Berisha, kapërcen herë pas here peizazhin e shekullit të 19-të të Rusisë perandorake, për të mbërritur tek kultura e televizionit, emisioneve debat alla “Opinion” apo “Zonë e lirë”, duke kritikuar përmes talljes fiksimin e besimeve fetare tek dëlirësia apo abstinenca seksuale. Hyrje- dalje nga konteksti kohor i një murgu, i cili vazhdon të qëndrojë në epokën e tij, pa e kapërcyer përveçse në dialogët me narratorin, i cili nga këndi gjysmerrësirë i skenës, “Moliere” në Teatrin “Kujtim Spahivogli” , të ngjan si një aktor kabareje apo kërkesat muzikore për maestron, një kitarist metalar, që luan me kitarë elektrike. Kjo e zbeh shqetësimin e brendshëm të priftit, që lufton me tundimet e veta dhe e bën shfaqjen të mbetet, ashtu si edhe debatet televizive, në sipërfaqe të çështjes. Por Zarka, mendon ndryshe. “Mesazhet universale kanë nevojë të aktualizohen, në kontekstin e shoqërisë. Është vepër aktuale, sepse e trajton njeriun në problemet më të vogla të brendshme: xhelozinë, ambicien, smirën, urrejtjen, hakmarrjen.”

Egla Ceno dhe Igli Zarka në "Atë Sergi". 

Sipas aktorit, epshi, është ajo çka e mundon çdo mashkull. “Vepra jonë e trajton këtë brishtësi të njeriut”. Nëse në shfaqjen e regjisorit Mustafiç, do të luante djaloshin adoleshent, në këtë shfaqje – e cila për hir të së vërtetës nuk i afrohej “Equus”-it – Igli Zarka do të bënte një rrugëtim të gjatë, nga i riu ushtarak tek murgu, flokëthinjur dhe i përulur, jo vetëm në transformim fizik, por mbi të gjitha introspektiv. “Çdo njeri, ta vije në rrethanat e atë Sergit do të bënte më keq”, do të përgjigjej Zarka, ndërsa shtonte se hipokrizia në shoqëri, veçanërisht në atë shqiptare, i bën njerëzit të mos kenë guximin të përballen me pasqyrën e tyre. “Unë e kam këtë guxim”, do të thoshte aktori. Pas shfaqjes së parë, shpejt do ta kuptonte sesi funksiononin punët në profesionin e tij dhe sesa e vështirë do të ishte për të rinjtë, të mund të çanin qarqet e vjetra, për të pasur mundësinë, në mos të një roli, të paktën të një audicioni të hapur, të barabartë me aktorët me përvojë. Nuk është se priste të thirrej nga regjisorët dhe as nuk u deh nga roli i parë, me mendimin se karriera do të ndërtohej me hapa të vegjël, çdo ditë, rol pas roli. “Vjet kam qenë një djalë me shpatë, por sivjet kam kuptuar se kam një shpatë aq të mirë sa nuk ka nevojë ta gërvisht me gjëra të pavlera”, thotë ai. Një vit më parë do të fliste i zhgënjyer nga realiteti që kishte hasur në teatër, e presionet e vogla, kontratat që e i mendonte fiktive, tek ata që duket sikur e marrin teatrin në pronësi. “Vjet, çdo gjë që ishte cenim për mua, për punën dhe projektin tone, merrte shpatën time në kokë…” Me kalimin e kohës, do të shtonte, gjërat humbasin përparësi. Ëndrra ime, thotë, “është të luaj nga një rol në vit. Një këtë vit, një vitin tjetër…”

Igli Zarka dhe Krist Lleshi në shfaqjen "Drama e dy karaktereve", 2018


Më herët, pranverën e këtij viti, sfidoi veten edhe përtej aktrimit, duke bërë regjinë e “Drama e dy karaktereve”, të dramaturgut amerikan Tennessee Williams dhe duke aktruar në krah të aktores Krist Lleshi, me të cilën interpretoi edhe tek “Equus”. Jo më si të dashur , por si vëlla e motër, Felice dhe Clare, dy aktorë në turne. Përballë një audience që pret një performancë ata vënë në skenë dramën e dy karaktereve, një iluzion brenda iluzionit dhe një britmë prej izolimit, panikut dhe frikës. Një dramë që të ngatërron dhe e vështirë për t’u ndjekur, me fare pak ndjesi zgjidhjeje. Personazhet janë të dëmtuar psikologjikisht pasi kanë dëshmuar me sytë e tyre, vrasjen dhe vetëvrasjen e prindërve. Ata kanë mbetur të izoluar në shtëpi, qysh prej incidentit dhe janë ngurrues të hyjnë në kontakt me botën jashtë. Ndërsa aktorët zhyten dhe dalin nga performanca, duke përmirësuar pjesët e pa memorizuara apo të pashkruara ende, bëhet e vështirë të ndahen aktorët nga personazhet dhe realiteti nga iluzioni.

“Drama e dy karaktereve ishte shumë e fortë, nuk kishte moment që të merrje frymë”, kujton Zarka, ndërsa shton se në fund, kishte spektatorë që do t’i afroheshin aktores Krist Lleshi për ta pyetur “A je mirë?”, për shkak të atij intensiteti të dramës në gjashtëdhjetë minuta. Por, shton se në këtë pikë të karrierës, që vetëm sa ka nisur, ka kuptuar se “ Kjo nuk ka vlerë. Nuk jam pesimist, jo”, shton, duke pyetur më tej se cilat janë përparësitë e jetës.“Nisa një debat me një shoqe, para disa kohësh. Kishte shkruar në një letër fjalën “liri”. Fjalë e madhe, liria! E pyeta ç’do të thoshte për të, të ishte e lirë. Më tha: Të bëj ç’të dua, kur dhe si ta dua”. Ndërsa për mua, liria është të krijoj një familje, për të cilën nuk jam i lirë, sepse ka shumë kushte dhe pranga, duke nisur nga ekonomia. Nuk jam i lirë të kem shokë, sepse nuk janë të lirë, kur kanë hall të zgjidhin se ç’do të hanë në darkë.”

Igli Zarka 


Një frymë që duket se mbizotëron sot tek të gjithë ata të rinj që protestojnë, që ironizojnë me pankarta se janë “ngelës” që i kërkon Gjermania, një problem akut i vendit, ku profesionistët largohen çdo ditë, në pamundësi të gjejnë punësim në vendin e tyre dhe ku një vend i huaj, i pret duke i vlerësuar monetarisht më shumë apo se po u kushton miliona lekë studimi, për të përfunduar më pas si kamerierë. “Dikush ngeli se korrigjoi pedagogun për paaftësinë e vet, dikush se nuk e pranonte dot që pedagogu t’i shkruajë mesazhe erotike pas mesnate e ta ftojë për kafe në mëngjes,dikush se nuk lejoi të diskriminohej, të përbuzej e shtypej , dikush se nuk kishte leke ta blinte librin shtesë që shet pedagogu, dikush për mungesat që vetë pedagogu bën, e barra ne fund na ngel neve”, shkruanin në deklaratën e tyre, të revoltuar studentët e Universitetit të Arteve, ku bën pjesë edhe aktori Zarka. “Po ne që s’i kemi katër mijë euro apo prindërit artistë , inxhinierë, arkitektë, doktorë, çfarë të bëjmë ? Të shtrijmë dorën dhe të ulim kokën ? Jo kurrë! Ju shtrijeni dorën, na jepni krahë, na ndihmoni t’i japim jetë vendit tonë , t’i japim jete me dëshirat dhe ëndrrat tona”, thonë studentët, me asnjë shenjë dorëzimi gjatë gjithë këtyre ditëve protestë në rrugë, përpara institucioneve si Ministria e Arsimit, Kryeministria apo Parlamenti. “Biseduam edhe mbi jetën këtu dhe jashtë ”, vijon për ta lidhur fillin Zarka “dhe kuptova se asgjë nuk ka kuptim. Edhe sikur të bësh “Atë Sergin” këtu , në Nju Jork apo në Moskë, askush nuk do ta dijë. Do ta shijojnë një orë e gjysmë, do ta duartrokasin, do ta vuajnë pak dhe do ta harrojnë. Kjo është e gjitha”. Të ikurit jashtë vendit, përvojë që tashmë e njeh, e sheh si “një “Bullshit””, thotë, edhe po të bëhej fjalë ta provonte në profesionin e tij, në audicione teatri apo edhe kinematografike.

Edhe sikur të bësh “Atë Sergin” këtu , në Nju Jork apo në Moskë, askush nuk do ta dijë. Do ta shijojnë një orë e gjysmë, do ta duartrokasin, do ta vuajnë pak dhe do ta harrojnë. Kjo është e gjitha”

“Nuk duam ta braktisim Shqipërinë, nuk duam ta braktisim vendin tonë, sepse këtu kemi lindur e jemi rritur. Shumë po tentojnë ta manipulojnë në fshehtësi këtë protestë , por nuk do t’ia dalin sepse rinia është gjallë, rinia është këtu! Sot ne 2018 nuk kërkon partia një të ardhme, por ne, studentet”, thoshin studentët e po ashtu edhe Igli Zarka, si pjesë e tyre, që si studentë të arteve, kanë thënë se protestojnë me art.
“Çdo artist lufton me veten për të ngritur standardin vetjak dhe jo me kolegët”, do të thoshte Zarka, pas shfaqjes së parë, “Equus” , duke mos e fshehur edhe keqardhjen që kjo shfaqje nuk mundi të shkojë në festivale ndërkombëtare teatri, për shkak edhe të luftërave të brendshme e klaneve, që kanë ndarë aktorë apo edhe drejtues teatrosh. Por standardet, nuk duhet të jenë vetëm për të rinjtë, do të thoshte ai. “Karriera mund të shihet edhe si një fushëbetejë ku secili bën luftën vetjake për ta ngritur çdo ditë e më shumë standardin profesional”. Duket se të gjithë atë zell rinor, aktori i ri e ka bashkuar tashmë me studentët protestues. Duke hequr petkat e murgut Sergi, i cili udhëtoi edhe në skenat e Kosovës, se njeriu bëhet më i mirë, kur njeh përulësinë, aktori njëkohësisht student i Universitetit të Arteve ka vendosur të protestojë, duke e parë si shumë të rinj, si të vetmin mjet për ndryshim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë