Tema e ditës në futbollin shqiptar nuk është ajo çfarë skuadrat po prodhojnë në fushë në këto javë të para të kampionatit, por siguria në stadiumet tona. Ligji i sportit për të mos pasur më Policinë e Shtetit në stadiume dhe garantimin e rendit nga policia private është kundërshtuar nga drejtuesit e klubeve më të mëdha, sidomos pas ngjarjes së Korçës, ku gjatë ndeshjes Skënderbeu-Partizani pati përleshje tifozësh dhe ndërprerje 15 minuta të lojës. Për pasojë, edhe dënime nga Komisioni i Disiplinës në FSHF.
Ditët e fundit, presidentët Safet Gjici i Kukësit dhe Ardjan Takaj i Skënderbeut, kanë kërkuar publikisht kthimin e Policisë së Shtetit në stadiume, madje kanë kërcënuar me bojkot të kampionatit, nëse nuk ndodh një gjë e tillë. Por ndryshe mendon administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, i cili ka përsëritur atë që kishte deklaruar për Gazeta Si disa ditë më parë. Në një intervistë për Top-Chanel, kreu i klubit vlonjat ka theksuar se zgjidhja e problemit nuk është bojkoti i kampionatit, por forcimi i ligjit:
“Policia në stadium nuk është akt civil, nuk është akt qytetar. Për mua nuk është një vendim i parakohshëm, është një vendim që duhet mbështetur. Thjesht duhet të diskutohen detaje të tjera që rrjedhin pas këtij vendimi. Nga njëra anë duhet të forcojmë ligjin dhe nga ana tjetër duhet që stadiumet tona të bëhen civile. Është shumë e thjeshtë, nuk mbahet çdo gjë në Shqipëri me uniformën e policit. Ka një problem të madh, që klubet shqiptare nuk janë të përgatitura financiarisht të përballojnë këtë situatë.
Nëse sot nxjerrim si parësore bojkotimin e kampionatit, për shkak të elementëve të largimit të policisë nga stadiumet, më duket si gjëja e fundit për të bërë. Ejani të dialogojmë, por jo të bojkotojmë! Një qytetërim si anglosaksonët, që janë kohë përpara nesh, e shtrënguan stadiumin nëpërmjet ligjit, jo nëpërmjet policisë. Vendosni kamerat nëpër stadiume, identifikoni njerëzit që janë problematikë dhe çdo gjë mbyllet thjesht, sepse bojkoti është një fjalë shumë e rëndë.”
Deklarata e Idrizit për Gazeta Si disa ditë më parë
“Teorikisht jam shumë dakord për të mos pasur polici në stadiume, të jemi si gjithë Europa. Madje, kam vite që e kam kërkuar këtë gjë. Por gjithçka duhet të jetë një plan dhe një strategji e detajuar për mënyrën si do të garantohet siguria në stadiumet tona. Kosto ka, nuk ka diskutim, por kjo është një çështje më vete, aq më tepër kur dihet se futbolli në Shqipëri nuk prodhon. Ashtu siç është një çështje më vete ajo që duhet të ketë një standard dhe jo një klub të trajtohet si “i nënës” dhe një klub tjetër si “i njerkës”. Pra, e mbështes ligjin e ri për sportin në teori, pastaj praktika është një temë që ha diskutim. Gjithsesi, e theksoj se ky është një hap që duhej ndërmarrë ndoshta më parë. Duhet të mësohemi dhe për ata që ushtrojnë dhunë duhet të ketë dënime shembullore deri sa të disiplinohemi”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.