Interviste

Ibrahimi: Në shtator SPAK-u nis punën me ҫështje të nxehta

Genti Ibrahimi, Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ka theksuar në një intervistë të fundit për “Deutsche Welle” se në muajin shtator në Shqipëri do të nisë çmontimi i korrupsionit dhe lidhjes me krimin. Ja intervista e Ibrahimit:
Z.Ibrahimi, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, mbylli procesin e përzgjedhjes së Prokurorëve të Strukturës së Posaҫme Anti–Korrupsion, (SPAK). Sa prokurorë kaluan në sitën e KLP-së dhe mbi ҫfarë kriteresh u vlerësuan?
Procesi nisi në fillim të janarit, kur u hap gara për prokurorët e SPAK-ut. Kemi pasur 28 kandidatë, nga të cilët KLP-ja përzgjodhi 15. Ata u vlerësuan në bazë të 2 kritereve: aftësive profesionale dhe karakterit të fortë, vendosmërisë profesionale. Vlerësimi u bazua në dokumentacionin e ofruar prej vetë kandidatëve. Në mënyrë figurative e kemi quajtur këtë garë “konkurs bukurie”. Të gjithë kandidatët që konkurruan paraqitën produktet e punës së tyre, dokumentet e ҫështjeve penale që i konsideronin më të suksesshmet dhe që tregonin vendosmërinë e tyre për t’u ballafaquar me ҫështje të vështira. Ne zgjodhëm më të mirët në bazë të rezultateve të punës dhe o të emërohen nga KLP-ja, kur të kalojnë vetingun.
A do të kenë 15 kandidatët përparësi në radhën për të kaluar në veting?
Vetingu ka nisur sipas një rendi të paracaktuar në ligj. Të parët vetingut i nënshtrohen gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, Kryetarët e Gjykatave dhe prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme, të Prokurorive të Apelit, drejtuesit e Prokurorive në rrethe dhe gjyqtarë të Gjykatave të Apelit. 15 kandidatët për prokurorë në SPAK jo domosdoshmërisht u përkasin kategorive të mësipërme. Ka nga ata që ende nuk kanë filluar vetingun, të tjerë i kanë kaluar të gjitha fazat e vetingut, apo janë në një fazë më të hershme. Tani që dihet lista e kandidatëve, ata do të kenë prioritet që t’i emërojmë sa më parë.
Kur mund të fillojë funksionimin SPAK-u?
Nga shtatori apo fillimi i tetorit. Për secilin nga 15 kandidatët e SPAK-ut, KLP-ja do të marrë një vendim për ta emëruar sapo të kalojë vetingun. Kur kjo të ndodhë, për 7 apo 8 syresh do të shpallim krijimin e SPAK-ut dhe fillimin e funksionimit të tij.
Sa Prokurorë duhet të ketë SPAK-u?
Kjo nuk është kompetencë e KLP-së. Numri i tyre do të jetë në varësi të ngarkesës së punës, por sipas Kushtetutës, SPAK-u nuk mund të ketë më pak se 10 prokurorë. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka 22 prokurorë. SPAK-u do të ketë një Kryeprokuror, që do të zgjidhet nga radhët e 15 kandidatëve, i cili do të ketë edhe përgjegjësi administrative dhe organizative, përpos atyre hetimore. Brenda SPAK-ut do të ketë disa seksione, si për shembull, ai për krimin e organizuar, korrupsionin, hetimin e pasurisë etj.
Çfarë kartash ka në dorë SPAK-u, që të përligjë pritshmëritë e mëdha që njerëzit dhe elitat intelektuale kanë ndaj tij si institucioni kyҫ i drejtësisë së re, që do të fillojë ҫmontimin e pandëshkueshmërisë për ish-politikanë dhe politikanë të përfolur për korrupsion, lidhje me krimin dhe pasurim të paligjshëm, por janë të paprekur deri më sot nga drejtësia?
Shqipërisë nuk i kanë munguar institucione hetimore për korrupsionin. Por SPAK-u ka tri karta të reja dhe të rëndësishme në dorë. Së pari: pavarësinë e prokurorëve. Para reformës në drejtësi dhe ndryshimeve kushtetuese një prokuror i lartë kishte të drejtë të ndryshonte gjithçka në punën e një prokurori në pozicion më të ulët. Për shembull, nëse një prokuror i një niveli më të ulët vendoste fillimin e një ҫështjeje penale, eprori i tij mund të vendoste mosfillimin e saj ose anasjelltas. Sot kjo varësi është ҫmontuar jo vetëm për SPAK-un, por për ҫdo prokuror. Prokurorët e SPAK kanë një mandat 9-vjeҫar, janë të pashkarkueshëm, ndryshe nga prokurorët e tjerë që shërbejnë me një afat të përcaktuar dhe mund të lëvizin nga KLP nga një zyrë në tjetrën. Nëse një prokuror i SPAK-ut ka kryer shkelje disiplinore, për ta shkarkuar duhen 2/3-at e 11 anëtarëve të KLP-së, gjë që vështirë të arrihet në kushte normale.
Së dyti: SPAK-u ka kontroll të plotë mbi policinë gjyqësore, që do të jetë e përbërë nga oficerët e policisë gjyqësore, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, që do të rekrutohen nga prokurorët e SPAK-ut. Ndryshe nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, SPAK-u nuk do të ketë nevojë për Policinë e Shtetit për hetimin e korrupsionit dhe lidhjeve me krimin. Deri tani rastet e korrupsionit të funksionarëve të lartë janë hetuar nga Policia e Shtetit, për llogari të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Policia e Shtetit varet nga Ekzekutivi, nga Ministria e Brendshme dhe nuk është ҫudi që pushteti ekzekutiv të sabotojë hetimin nga prokuroria, pasi e ka nën kontroll policinë gjyqësore. Kjo do të ndryshojë në mënyrë drastike në rastin e SPAK-ut, që do të ketë policinë e vet gjyqësore. Hetimet do të kryhen në një sekret më të madh se deri tani, kur hetimet për krimin e organizuar dhe korrupsionin bëhen nga struktura të ndryshme dhe mundësia për rrjedhje të informacionit është më e madhe. Me SPAK-un hetimi do të zhvillohet brenda një zyre të vetme, nga një grup njerëzish që janë në lidhje profesionale dhe hierarkike me njëri-tjetrin.
Së treti: Mbi Prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore të SPAK-ut rëndon detyrimi i aksesit në privatësinë e tyre. Ata janë gjithë kohës të monitoruar. Sa herë që flasin në telefon e dinë që dikush i regjistron, llogaritë e tyre bankare janë të aksesueshme.
A synon aksesi në privatësinë e prokurorëve dhe hetuesve të zbulojë raste potenciale korrupsioni brenda vetë SPAK-ut?
Çdo institucion ka rrezikun e kalbëzimit nga brenda. Edhe prokurorët e SPAK-ut mund të bëhen viktima të korrupsionit, por ata do të jenë nën kontroll të vazhdueshëm nga brenda institucionit. Nga ana tjetër, për ta minimizuar mundësinë e rënies pre të korrupsionit, pagat e tyre u japin mundësi të jetojnë me dinjitet pa u korruptuar. Prokurori i SPAK-ut e ka pagën mujore 1500 euro që ditën e parë të punës. KLP-ja i ka propozuar qeverisë t’i rrisë deri në 2.500 euro.
Me këto 3 karta të forta në duar, a do të fillojë SPAK-u hetimin e ҫështjeve të nxehta lidhur me korrupsionin dhe lidhjet me krimin në nivel të lartë?
SPAK-u do të trashëgojë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda rreth 90% të portofolit të kësaj prokurorie, per shembull, do të vijojë hetimin e pastrimit të parave nga ish-Prokurori i përgjithshëm, Adriatik Llalla. Besimi i publikut te SPAK-u do të sjellë kallëzime të reja penale. Vetë prokurorët e SPAK-ut shpresoj të gjejnë guximin të aktivizojnë ҫështje të fjetura. Portofoli i SPAK-ut do të jetë më i pasur nga ai i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, që do të shkrihet kur SPAK-u të fillojë punën dhe prokurorët e saj do të emërohen nga KLP-ja në zyrat e prokurorive të rretheve. Dëshiroj të theksoj që hapja e ҫështjeve të fjetura penale nuk ka kufizim kohor kur ato nuk janë parashtruar. Për vepra penale të korrupsionit afati ligjor i hapjes së tyre është shumë i gjatë, shkon me dekada.
Kur parashikohet ngritja e BKH-së? A mund të fillojë punën SPAK-u pa hetuesit ose ndryshe oficerët e policisë gjyqësore të BKH?
Kryeprokurori i SPAK-ut do të rekrutojë drejtuesin e BKH-së dhe të dy bashkë do rekrutojnë oficerët e policisë gjyqësore, pra hetuesit e BKH. Pas përzgjedhjes ata do të trajnohen nga ekspertë amerikanë të FBI, gjë që do të marrë disa muaj. Por SPAK-u do të fillojë punën, duke përdorur oficerët e policisë gjyqësore të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, derisa të ngrihet BKH-së.

 

Më Shumë