Rend dhe Ligj

I vodhën makinën një 30-vjeçari në Shkodër, 6 të arrestuar

Arrestohen gjashtë persona në Shkodër, autorë të vjedhjes së automjetit të një 30-vjeçari, të cilin më pas, me anë të mashtrimit, i kanë marrë edhe një sasi lekësh duke i premtuar se do t’i gjenin automjetin.

Të arrestuarit janë me precedent penal të mëparshëm dhe të dyshuar edhe për disa vjedhje të tjera të ndodhura në qytetin e Shkodrës.

Në pranga kanë përfunduar shtetasit:

S. G., 26 vjeç, banues në fshatin Dragoç, Shkodër, i dënuar më parë për veprën penale “Trafik klandestinësh”;

L. N., 36 vjeç, banues në fshatin Dajç, Lezhë, i dënuar më parë për veprën penale “Kallëzim i rremë”;

G. T., 25 vjeç, banues në lagjen ”1 Maji”, Shkodër, i dënuar më parë për veprat penale “Përndjekja” dhe “Vjedhja”;

V. B., 31 vjeç, banues lagjen ”10 Korriku”, Shkodër, i dënuar më parë për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”;

S. H., 40 vjeç, banues në lagjen “Partizani”, Shkodër;

F. H., 46 vjeç, banues në fshatin Boriç i Madh, Malësi e Madhe.

Siç njofton policia, arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi, në fshatin Mes, Njësia Administrative Postribë, Shkodër, në bashkëpunim me njëri-tjetrin i kanë vjedhur automjetin shtetasit E. B., 30 vjeç, banues në fshatin Mes, Shkodër dhe më pas, me anë të mashtrimit, i kanë marrë edhe një sasi parash, duke i premtuar se do t’i gjenin automjetin që i kishin vjedhur.

Gjithashtu u procedua penalisht shtetasi L. N., 46 vjeç, pronar i një servisi.

Gjatë kontrollit në banesat e shtetasve të arrestuar, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 1 motomjet, 1 automjet, 50.000 lekë dhe 5 aparate celular. Ndërkohë, po punohet për gjetjen e mjetit tip “Mercedez Benz”.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim dhe “Mashtrimi”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë